Home KRYESORE Gjenerali i Shtabit të Përgjithshëm si “mbushës topi”

Gjenerali i Shtabit të Përgjithshëm si “mbushës topi”

Nga Azem Parllaku

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka refuzuar propozimin e Kryeministrit Edi Rama që gjeneral-majorit Jeronim Bazo t’i besohet edhe një mandat i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Mandati i Bazos përfundoi dy javë më parë dhe një komision i përbërë nga gjeneralë të ushtrisë vlerësoi se gjeneral-majori Jeronim Bazo shefi i tyre mund të vazhdojë detyrën edhe për një mandat tjetër. Vlerësimin për ecurinë në karrierë të ushtarakëve e bën një komision që e udhëheq funksioni i Shefit të Shtabit, e në këtë kontekst i bie që Bazo është ai, që është vetpropozuar për një mandat tjetër.

Ministrja Kodheli duke e paraditur që shefi i saj Rama as nuk e ka idenë çfarë ndodh në taborin e saj, i’a ka përcjellë propozimin Kryeministrit, e ky i fundit me siguri ka pyetur Lleshin këshilltarin e tij ushtarak, njëherësh miku i çmuar i Kodhelit. E kështu Rama vuri firmën dhe i propozoi Presidentit të rifreskonte emërimin.

Publikisht, kreu i shtetit nuk ka dhënë asnjë shpjegim për refuzimin e ish-këshilltarit të tij të mbrojtjes. Por, burime zyrtare konfirmojnë se Bujar Nishani nuk e ka dekretuar gjeneral-majorin Jeronim Bazo për shkak të mosrespektimit të Kushtetutës dhe shkeljes së ligjit të komandimit zinxhir të Forcave të Armatosura.

Sipas arsyetimit të Zyrës së Presidentit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjatë 3 viteve të mandatit të tij të parë nuk i ka raportuar asnjëherë Presidentit Nishani, i cili është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, nuk i ka dërguar atij asnjë informacion dhe nuk ka zhvilluar asnjë konsultim për dokumentat, planet apo strukturat e Forcave të Armatosura.

Në fakt ligjërisht Nishanit si Komandant i Përgjithshëm në tryezën e tij të punës i mbërrijnë informacionet nëpërmjet komunikatave operacionale nga fusha e mbrojtjes. Ky informacion është formulohet nga ekspertë të Qendrës Operacionale në Shtabin e Përgjithshëm. Duke e nënshkruar këtë informacion Bazo, e quan se e ka kryer detyrën për t’i raportuar Presidentit si Komandant i Përgjithshëm.

Çfarë përmbajtje kanë informacionet shabllone të Qendrës Operacionale, e di fort mirë Nishani si ish-ushtarak, ndërsa me ç’duket shpreh keqardhje për gjeneralin i cili është dekretuar në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike.

Teksa, Shefit të Shtabit i ka mbaruar mandati, ironikisht edhe Kryeministri i’a shprehu atij në një takim të para pak ditëve, duke e thumbuar se ai nuk e zotëron situatën, aq më keq, kur dhe bëhet fjalë për çështje të operacionalitetit të strukturave ushtarake. Është e mjaftueshme “ironia”, për të kuptuar çfarë lidershipi kanë në krye njerëzit nën uniformë të Shqipërisë në NATO.

Sigurisht që, “ironi” të tilla ka dhe do të ketë, përderisa zverdhja e spaletës ushtarake, kalon nga selia e Partisë. Është Partia ajo që, rekruton edhe ushtarin profesionist, i cili betohet në emër të Partisë. Në harkun kohor të 11 muajve, Kodheli u vendua në krye të fushatës për rekrutimin e ushtarit profesionist, çuditërisht fushata u zhvillua vetëm në njësitë administrative, bastione të së majtës, teksa zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes, e raportoi zellshëm agendën e “Nënëmadhes”.

Një arsye tjetër për refuzimin e emërimit të Jeronim Bazos është se ai i ka nxjerrë jashtë përdorimit të Forcave të Armatosura shumë prona të ushtrisë, pa marrë më parë miratimin e Komandantit të Përgjithshëm, Presidentit Bujar Nishani, detyrim ky që është sanksionuar edhe nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Në fakt është Presidenti ai, që e miraton planin e dislokimit dhe përhapjes së Forcave të Armatosura. Dhe jo më larg, në fillimvitin 2015, ky plan u rishqyrtua dhe u miratua nga Nishani. Ajo çfarë Nishani nuk e ka kuptuar atëkohë, ishte shkrirja e disa strukturave efiçente kryesisht atyre të mbështetjes së operacioneve, e ngritja e disa të tjerave që ende deri sot, nuk e kanë të formuluar misionin dhe fushën e përgjegjësisë.

Dje, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Dedë Prenga ishin në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura për vitin 2017. Ndonëse kryetari i Komisionit e quajti si rrezik për Sigurinë Kombëtare mosdekretimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Kodheli ironikisht si shefi i saj Rama, tha para kamerave që për atë nuk ishte problem. Qartësisht nuk përbën problem një fakt i tillë, mbasi vetë vartësit yjeverdhë të frustuar, e kanë zhveshur nga të gjithë kopetencat funksionin e Shefit të Shtabit, thjeshtë funksioni i tij në terma të përgjithëshme është i një burokrati, në terma ushtarake funksioni i tij është mbushës i topit.

Kodheli një pjesë të mirë të diskutimeve si përherë i’a kushtoi angazhimeve të të përzgjedhurive të saj në misionet ndërkombëtare, ndërsa nuk tha asnjë fjalë për fatin e ushtarakëve të karrierës kryesisht ata të gradës kapiten-major, të cilët janë me dhjetra dhe i demotivoi, duke i detyruar të bëjnë kërkesën për t’i ikur investimit moral e monetar të familjeve dhe vetë shtetit, një gjest ky për të cilin Bazo nuk ka mundur të bëjë asgjë veçse të heshtë.

Kodheli përmendi armatimin e ri nga Italia me një vlerë prej rreth 10 milionë euro dhe mbështetjen nga Forcat e Armatosura amerikane me rreth 250 mjete të blinduara, ndërsa nuk tha asgjë në lidhje me trajnimin e personelit që do të jetë përdoruesi i këtij armatimi dhe teknike luftarake. Në funksionin e tij Shefi i Shtabit është ai, që e planizon dhe udhëheq trajnimin dhe stërvitjen e trupës, e kështu Kodhelit nuk i intereson trajnimi, përpos disa shfaqjeve dhe eventeve me nxënës shkollash e kryepleq fshatrash.

Kodheli përmendi edhe angazhimin kushtetues të Forcave të Armatosura në ndihmë të popullsisë civile, ku veçoi urat “bailey” të ndërtuara anembanë vendit, operacionet në mbështetje të popullsisë civile dhe autoriteteve qendrore e lokale gjatë emergjencave civile, si dhe pastrimin e hotspoteve të rrezikshme. Por, hezitoi të fliste për koston e këtyre angazhimeve, për miliona lekët e papaguara në zërin dieta e shërbime.

Me zëvendësshefin e Shtabit të Përgjithshëm në krah, ky i fundit pa kurrëfarë kopetence, Kodheli vetëm dje në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, dëshmoi se Partia është ajo që na duhet, për Shqipërinë dhe Ushtrinë, le të mendojë dikush tjetër.

Share: