Home KRYESORE Ilir Demalia sjell Ismail Kadarene kunder Todi Lubonjes dhe Fadil Pacramit dhe...

Ilir Demalia sjell Ismail Kadarene kunder Todi Lubonjes dhe Fadil Pacramit dhe me vone si konformistin

Nga Ilir Demalia

“Heshtja bëhet dobësi kur rasti e kërkon të flasësh të vërtetën duke vepruar në lidhje me rrethanat”
Mahtma Gandi

Pas publikimit të librit “ Kadare i denoncuar në 101 dokumente të Pallatit të Ëndrrave” dhe publikimit të një faksmile të një “denoncimi” që paska bërë F.Lubonja në hetuesi në lidhje me Kadarenë dhe përgjigjeve të Lubonjës se me këtë dokument manipulohet dhe falsifikohet të cilat na i sjell me dokumente dhe prova Lubonja, hapet prap një temë që nuk duhet mbyllur dhe Lubonja nuk duhet lënë i vetëm, jo për ti dale në krah Lubonjës apo ndëshkuar Kadarenë, por për të krijuar një raport me të vërtetën dhe moralin tone si shoqëri ku nëpermjet manipulimit, fallsifikimt dhe gënjeshtrës për ta pranuar si të vërtetë se kështu bëjnë të gjithë dhë kështu ecet dhe ngjitet shkallë në këtë katundin tone, se kështu bën kariere dhe ke përfitime e privilegje duke u bërë pale me pushtetin, kemi arritur në këtë pike sa vendi sot është nën pushtetin e krimit dhe injorancës.

Kjo lloj kulture e konformizmit me të fortin, me të pushtetshmin, por jo me të drejtën, të vërtetën, interesin komunitar dhe publik është shumë më e thellë në jetën e historinë tonë.

Ka kaq kohë që me gjoja dokumente dhe materiale e proçes-verbale mbledhjesh, bisedash dhe kritikash të Lidhjes Shkrimtarëve, të hapura dhe publike, ashtu siç ka dhe shkrimtari Ismail Kadare për të tjerët pa llogaritur ato të Gent Arbanës,(pseudonimi I.Kadares në artikujt që shkruante në shtypin e kohës) me botimet e Sinanit dhe Kaloçit nën sponsorizimin e Henri (Naim) Çilit, duan të na i shesin këto materiale si ndjekje të Sigurimit Shtetit ndaj Kadaresë.

Çilit i duhet emri Kadaresë ne bordin e Universitetit që shet diploma, Kadarese i duhet Çili për librat dosje për dosjen e “disidentit” dhe Krishtit nën diktaturë me “Peshën e Kryqit” për në Stokohlm.

Materialet që serviren si “denoncime” nuk kanë të bëjnë me ndonjë aktivitet illegal shkrimesh apo veprimtarie me individin Ismail Kadare. Ato materiale janë të kufizuara vetëm në ato ç’ka ai ka shkruar, pra në botime publike që kontrolloheshin nga K.Q si çdo artikull, librat ashtu si dhe filmat, dhe duhej aprovimi nga lart a ishin në rregull me përmbajtjen ideologjike të partisë para se të dilnin në public ku kishte një zyrë shtypi në KQ që kontrollonte gjithçka para se të botohej e në veçanti “Zeri Popullit” si organ K.Q të Partis.

Denoncime të tilla jo vetëm mbledhjesh por edhe publike në artikuj gazetash të kohës ka plot shkrimtari Ismail Kadare për shkrimtarë të tjerë e sidomos për shkrimtarët e ndaluar dhe në veçanti për ato të klerit katolik. Sigurisht, duke mos gjetur ndonjë denoncim në kuptimin e mirfilltë të fjalës, autorët venë shenjën e barazimit midis “denoncimit” dhe kritikës nga individë të ndryshëm në diskutimet për veprën letrare të shkrimtarit në këtë rast, pa përmendur raste kur kritikët kundër veprës Kadaresë janë ndëshkuar.

Ndjekja nga sigurimi është gjë tjetër siç shpjegon Lubonja, pra hapet në fillim dosja përpunimit pastaj dosja 2A që bëhej gati për arrestim dhe në atë dosje janë agjentët bashkëpuntorët dhe deponimet kundër personit.

Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami ishin dërguar në dërguar njëri në Lezhë dhe tjetri në Fush Arrëz dhe Fatos Lubonja kishte që nga korriku i vitit 1973 që i ishte hapur dosja PP ( proçesi përpunimit) kohë kur Todi dhe Fadili ishin përjashtuar nga K.Q dhe partia dukej sikur e kishte zbehur valën e goditjes … Pikërisht në 13 Janar 1974 shkrimtari Ismail Kadare shkruan një artikull në gazetën “Zëri Popullit” Organi Komitetit Qëndror të Partisë dhe sh. Enver me titullin Realizmi socialist – art i madhi revolucionit.

Në këtë shkrim Kadare dencon hapur Lubonjën dhe Paçramin si armiq të atdheut, të kulturës kombëtare. Ai shkruan, “. Nuk është e rastit që ai bashkë me Todi Lubonjën ishin kundërshtar të tërbuar të karakterit kombëtar në artet tona. Në poezi F.Paçrami urrente figurën e baballarëve, në skulpture figurën e nënës, në prozë përbuzte plakat shamizeza. Ai tmerrohej nga figura Skëndërbeut më keq se një pasha turk. Pra, ai nuk duronte dot asgjë që kishte lidhje me themelet e popullit e kombit. Nga kjo pikpamje ai të kujton ato dijetarë të Ishullit të Laputëve për të cilët Suifti tregon kërkonin të shpiknin një metodë ndërtimin e shtëpive nga çatia. Djathtizmi i T.Lubonjës e F.Paçramit, kozmopolitizmi tyre treguan dhe njëherë se lufta e klasave në terrenin e letësisë dhe arteve është e gjallë dhe do të jetë e tillë pë një kohë shumë të gjatë”.

Ky artikull i Kadaresë ngjason më shumë me një pretencë prokurori se sa me një kritikë letrare.

Është koincidencë apo lidhet me këtë shkrim-nxitje (që sigurisht e ka lexuar E.Hoxha si artikull në faqe të pare të Z.P-së) ajo që ndodhi pikërisht një javë më vonë në 21 Janar 1974?! Sipas kartelës së sigurimit shtetit, dosja PP e F.Lubonjës kalon në 2A kontigjent për arrestim

Në të gjitha librat Kadare i “denoncuar” nuk gjejmë një denoncim-pretencë kaq të hapur si ky që Kadare i bën dy miqve dhe përkrahësve të tij kur ato ishin në pushtet. Kadare ishte dhe është mjeshtri më i madh për t’ju ngjitur pushteteve dhe njerëzve me pushtet duke u përdorur dhe u përdorur nga ata si konformizëm me të keqen për ngjitjen e tij dhe përfitimet me pushtetet si dje dhe sot, dhe po ashtu për ti groposur kur i lypet nevoja siç ka bërë dhe me të tjerë.

Përse lodhen me librat “Kadare i Denoncuar” , “Kadare në 101 dokumente të Pallatit të Endërrave”, “Dosja Kadare” e plot shkrime e mund për ti veshur shkrimtarit një “qyrk” që ai nuk e ka, atë të njeriut “kundër” regjimit diktatorial dhe ndjekjes që i është bëre këtij njeriu nga sigurimi për “rrezikshmërinë” që paraqiste ky ndaj regjimit? Në qoftë e vërtetë, le të nxjerrin dosjen e PP apo 2A siç ka nxjerrë Lubonja të tijën dhe mbyllet kjo histori. Unë i pari do ti kërkoj Lubonjës ti kërkoj falje publike Kadaresë për atë që se paskemi ditur se në çfare “rreziku” paska qenë shkrimtari në kohën e diktaturës.

Jeta e shkrimtarit me shkrimet e librat e tij, ofiqet dhe privilegjet na tregojnë krejt gjë tjetër në mardhëniet e Kadaresë me regjimin. Ai ishte njeriu me trajtimin më të veçantë nga të gjithë shkrimtarët dhe artistët, intelektualët dhe njerëzit e elitës së regjimit. Po rreshtoj këtu vetëm disa se po të radhisim të gjitha përfitimet, privilegjet, trajtimet, artikujt, shkrimet, poezitë, librat për regjimin do na dale një dosje gjigande dosja K në shërbim të regjimeve.

1.Që nëmoshën 28 vjeçare në krijimtari të lire i paguar nga shteti diktatorial “për të shkruar kundër diktaturës.”

2 Anëtar i P.P.SH në vitin 1970 ku dhe stazhin e partis në Uzinën e Traktorëve po na e shesin sot si dënim i Kadares me librin “Kadare i denoncuar”.

3. Njeriut që i jepeshin fonde nga shteti për botimin e veprave të tij jashtë vendit sipas dëshmisë se Javer Malos dhe fondit kulturës pranë K.Q.P.P.SH

4. Përkthyesi që përkthente veprat e Enver Hoxhës përkthente dhe ato të Kadarese me një punë të papaguar, dhe nuk vihej emri i tij si përkthyes se ky kishte qenë i burgosur nga regjimi, Isuf Vrioni.

5. Njeriu që ndiqej nga sigurimi ngjiti shkallët deri në deputet i Kuvendit i Popullor.

6.Duke pare rrezikshmërinë e tij në rritje regjimi shtojë ndjekjen duke e bërë nenkryetar te frontit demokratik me kryetare Nexhmie Hoxhën, gruan e diktatorit. Nuk duhet harruar se Fronti Demokratik ka qenë organizata më e zezë e diktaturës e cila propozonte interrnimet dhe dënimet nëpër lagje.

7.Ka fituar çmimet më të larta gjatë diktaturës si çmimin e Republikës për letërsi

A mund të mendoj kush se një njeri i tille ndiqej nga sigurimi?

Edhe në regjimin atoritarist dhe të korruptuar, kriminal të pas 1990, Ismail Kadare bën të njëtën gjë si me regjimin diktatorial, mbyll gojën para së keqes, përdor dhe përdorohet nga e keqja e pushtetit, shfrytzon deri në maksimum heshtjen e tij për përfitime dhe vazhdim të manipulimit dhe fabrikimit të veprës dhe jetës tij me fuqinë finaciare dhe politike të pushtetit.

Kadare duhet ti përgjigjet për heshtjen e tij gjatë këtyre 25 vjetëve deri me kryeministrin e fundit në detyrë Edi Rama i cili tallej dhe ironizonte shkrimtarin si sherbëtor të regjimit diktatorial në revistën Përpjekja numri 7 Nëntor 1996 (por dhe më para dhe më pas) në shkrimin “Pinoku, mbreti i të varfërve”, ku si personazh kishte Gent Arbanën që ishte pseudonimi Kadaresë në shumë shkrime të shtypit shqiptar gjatë viteve 70-85.

Ramës i duhet sot Kadare me heshtjen e tij, bile Rama e propozon edhe për president! Të dy më kujtojnë vargjet e Nolit, “ Se Feridi faqe ndërron/ Fryn bëçitë dhe gjëmon,/ Se katrani zbardhëllon!”.

A kanë lidhje heshtja e shkrimtarit në postidiktaturë me shërbimet e qeverive autoritariste dhe të korruptuar gjatë këtyre 25 vjetëve me nderet që i kanë bëre shkrimtarit Kadare?

Kadare duhet të pëgjigjet!

1. Në kohën që minister i kulturës ka qënë Teodor Laço a është dhënë një fond nga shteti Berishës prej 1 milion dollarësh për botimin e veprave të tij në shqip përmbledhja “Veprat e Ismail Kadares” me kapak blu nga Fayard që më pas ju shitën emigracionit dhe parat i mori Kadare?

2. Toka që ka marrë në Golem ku ka ndërtuar shtëpinë e tij të verimit, a ja ka dhënë Ilir Meta falas duke dhënë i pari shëmbullin për prishjen e natyrës dhe rrembimin e pronës publike?

3. Si është marrë apartamenti tek Vodafoni a ka lidhje me shtesën e kateve dhënë ndërtuesit nga qeveria e Berishës për ti dhënë apartamentin falas Kadares?

4. Emërimi i vajzës së tij si ambasadore sa në UNESCO në Paris, sa në UN në New York pa asnjë meritë dhe karriere në shërbim diplomatik para emërimit por vetëm se është vajza e Kadares? A ka lidhje me atë se e vetmja detyrë që ajo bën është se do të lobojë me ambasadorët për Stokolmin dhe Kadare do heshtë për qeverinë e CANABISIT?

Kadare e vetmja gjë që bën që pas 1990 rishkruan librat dhe i transformon në atë mënyre sa nuk njihet më botimi i pare më të fundit. Si jeta dhe historia nuk rishkruhet sa herë ndyshojnë regjimet, mund të ndryshosh mendje, mund të kesh të tjera bindje, por një njeri publik duhet të spjegoj pse e ka bërë atëherë dhe jo te mundohet ti fsheh.

Vetëm E. Hoxha dhe Kadare kanë pasur luksin që tu botohen e ribotohen veprat si dhe të modifikojnë pjesë të së kaluarës së në varësi të ndryshimeve politike.

Ja çfarë shkruan Kadare në artikullin e 13 Shkurtit 1974 për artin e realizmit socialist, “ Si pjesë përbërëse e mekanizmit të revolucionit, realizmi socialist ka pasur, ka do të ketë po ato armiq që ka revolucioni. Tërbimi i tyre, rrufetë që ato lëshojnë mbi të, nuk tregojnë gjë tjetër veç rrezikshmërinë e fuqinë e tij për klasat sunduese. Akuzat për gjoja ngushtësinë e tij, për pamundësinë, për rregullat kufizuese që shkurtojnë jetën, koha i ka hedhur e do ti hedhë njëra pas tjetrës. Realizmi socialist është arti së ardhmes. Asnjë art i gjeritanishëm nuk mund të jetë i krahasueshëm me të për nga mundësia e kapaciteti, thellësia, dramaciteti dhe niveli lartë artistic, këtë omipotencë na e jep revolucioni komunist.”

Të gjithë e bisedojnë, të gjithë e pranojnë kur rufisin kafet dhe diskutojnë kur hapet kjo temë se Kadare manipulon dhe fabrikon të shkuarën e tij. Këtu nuk e kam fjalën për njerëz të thjeshte, por shkrimtarë, kineastë, artistë, gazetarë, analistë, e them këtë nga një eksperiencë personale me këtë kategori jo vetëm sot, por edhe përpara 1990’ ku çfaqnin qëndrime dhe kundërshti rreth vlersimit të veprës tij letrare dhe shpreheshin dhe të irrituar për trajtimin e veçantë që kishte Kadare nga regjimi me privilegjet që merrte nga regjimi në shërbim të regjimit.

As atëherë dhe as sot, kjo kategori kurrë nuk doli haptas si për veprën e tij letrare dhe si për manipulimin dhe fallsifikimin e jetës dhe veprës tij sipas situatave. Mirë atëherë se jetonim në një regjim diktatorial dhe Kadare mbrohej nga vetë diktatori siç pohon dhe vetë ai sipas mënyrës së tij… dhe mund ta pësoje siç e pësoj Bilal Xhaferri dhe të tjerë, apo Renato i dashuri vajzës së tij ku Kadare me rrjetin dhe fuqinë e tij vinte në dispozicion një ministri të brendëshme, një komitet partie, një hetuesi, nje gjykatë, për të eleminuar siç dhe ka bërë, pra mire atëherë, po sot çfarë i pengon këta njerëz të thonë atë që mendojnë realisht dhe e thonë në biseda private por jo publikisht? Apo më keq akoma, dalin dhe himinizojnë në publik kur disa orë më pare e kanë bërë cop në kafe apo në diskutim me ty?!
Kjo dyftyrsi, kjo jetë e dyfishtë, ka të bëjë me nënshtrimin tonë dhe pajtimin si model “suksesi” me të keqen. Pra, nuk ka rëndësi çfarë është e drejtë dhe e moralshme, por çfarë bëjnë të gjithë me modelin që kemi ne si model “suksesi” të bëj dhe unë. E pse duhet të kemi kokçarje kur mund te ndjek modelin e “suksesit” kur megjithëse e di që është jo e drejtë dhe e jo-moralshme është e “sukseshme” në shoqërinë tone si kulturë fabrikimi dhe manipulim-simulimi të pranuar dhe ndjekur nga modeli “Gjeneralit letrave” dhe zbret si kulturë e tillë në gjithë nivelet e shoqërisë tone? Kjo quhet konformizëm me të keqen. Teoritë dhe praktikat e moralit na mësojnë ndryshe: të bësh çfarë është e drejtë pa pasur parasysh çfarë bëjnë të gjithë.

Është sa absurde dhe qesharake që sot të shfaqësh një mendim të papëlqyeshëm për letërsinë e tij, apo të thuash disa të vërteta që i ka shkruar vetë Kadare, të mos biesh dakort me himinizimin dhe marrëzinë si njeriu më i madh i letrave në botë dhe padyshim në Shqipëri, të mos biesh dakort në marrëzinë kolektive se Kadare është identifikim me atdheun, se pa të nuk do të njihej Shqipëria, pra të mos biesh dakort me këtë lloj idolartrie që vjen nga injoranca, provincializmi, inferioriteti i provincave që të kujtojnë histerinë për Enver Hoxhën, sot e njëta gjë me Kadarenë, të hedhin një lum akuzash si “mohues i kulturës shqiptare” deri antikombëtar sa mendon se këto njerëz mendojnë se është në fuqi neni 55 i Kodit Penal ai që dënonte për agjitacion dhe propagandë.

Në të gjithë këtë histori nuk është çështja ke Kadare si person, por ke modeli Kadare që kemi krijuar ne nëpermjet manipulimit dhe fallsifikimit si model “suksesi” nëpërmjet fuqisë së pushtetit dhe lidhjeve dhe sherbimeve të së keqes ku po zhytemi për ditë në llumin e një imazhi të rremë si model suksesi.
Ilir Demalia

Share: