Home KRYESORE Ja si do të hapen dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit

Ja si do të hapen dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit

Nga Dr. Marenglen KASMI*

Debati për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit është jo vetëm një nga çështjet më aktuale në politikën shqiptare, por po ashtu përbën ndoshta edhe një nga debatet që ka ngacmuar dhe intriguar më tepër publikun shqiptar në këto 25 vitet e fundit. Në thuajse gjithë vendet e tjera të ish-Bllokut Lindor, dosjet e shërbimeve sekrete janë hapur prej kohësh. Votimi më 17.11.2016 i pesë anëtarëve të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit i hapi rrugë fillimit të këtij procesi të rëndësishëm edhe në Shqipëri. Përveç tendencave për ta politizuar dhe hera-herës edhe për ta paragjykuar punën e Autoritetit, ende pa filluar aktivitetin e tij, nuk mungojnë edhe përpjekjet për ta nxjerrë krijimin e këtij institucioni si të panevojshëm, të dështuar, madje ndonjë syresh e quan edhe antiligjor.

Është e vetëkuptueshme që sfidat që duhet të kapërcejë ky Autoritet janë të mëdha. Përveç ndjeshmërisë që mbart në vetvete kjo çështje, ky institucion duhet të operojë në një një rrugë të pashkelur më parë; Pikësëpari duhet të përgatitet Rregullorja e Organizimit dhe Funksionimit të Autoritetit. Po ashtu, duhet të ngrihet një strukturë funksionale. Më tej duhet të gjendet një godinë e përshtatshme që plotëson gjithë kushtet e nevojshme teknike, të fillojë mbledhja e dokumentacionit etj. Dhe puna e vërtetë ende nuk ka filluar.

Gjithsesi, përvojat për t’u orientuar nuk mungojnë. Shembulli më i mirë dhe më i përparuar për kryerjen e këtij procesi është modeli gjerman, i cili ka shërbyer edhe si udhërrëfyes në hartimin e ligjit tonë për hapjen e dosjeve. Më të drejtë mund të mendohet se ne nuk jemi Gjermania. Por ama plagët e shkaktuara nga diktatura dhembin njësoj kudo. Njerëzit po ashtu janë njësoj dhe nuk ndryshojnë në thelb nga njëri tjetri. Ai që ndryshon është mjedisi. Edhe diktatura ka të njëjtën fytyrë, me specifikat e veta për çdo vend. Por në thelb të saj qëndron shtypja e të drejtave të njeriut dhe të lirisë së fjalës.

Le të qartësojmë qysh në fillim një gjë. Ngritja e këtij Autoriteti, në arkivin e të cilit do të mblidhen gjithë dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, nuk e cënon misionin e arkivave të tjerë, majde e lehtëson punën e tyre. Ata që e shohin ngritjen e këtij institucioni, të kufizuar vetëm në rolin e një arkivi shtesë dhe si një konkurrent të arkivave të tjerë, ose nuk e kanë kuptuar ligjin, ose nuk ju intereson realisht ky ligj. Sigurisht që, puna do të tregojë se edhe ligji për krijimin e këtij institucioni nuk është i plotë dhe do të kërkojë përmirësime. Edhe në Gjermani, me të cilën zor se mund të krahasohemi, qoftë edhe për mënyrën se si po përballemi me të kaluarën, Ligji për Dokumentet e Shërbimit të Fshehtë të ish-Republikës Demokratike Gjermane (Stasi-Unterlagen-Gesetz StUG) është amenduar shtatë herë qysh prej vitit 1991, kur ai hyri në fuqi.

Por çfarë qëndron në thelb të Ligjit Nr. 45/2015 „Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të RPSSH“, mbi bazën e të cilit ngrihet dhe funksionon ky Autoritet?

Piksëpari duhet të theksojmë se ky ligj ka për qëllim të përcaktojë rregullat dhe procedurat për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në periudhën 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991, në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar.

Në një vlerësim të përgjithshëm, puna e këtij institucioni do të bazohet në tre shtylla kryesore. Së pari, Autoriteti duhet të grumbullojë dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe për qëllimet e parashikuara në ligj t’i vlerësojë, rendisë, evidentojë, ruajë dhe administrojë këto dokumente sipas parimeve të legjislacionit në fuqi për arkivat. Së dyti, të informojë individët, institucionet kushtetuese, autoritetet publike dhe subjektet e tjera të interesuara sipas ligjit, duke garantuar shqyrtimin e dokumenteve dhe dorëzimin e tyre te kërkuesit. Së treti, ky Autoritet duhet të mbështesë kërkimin shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit.

Siç e lexuam edhe më sipër, nisur nga natyra e dokumentacionit të mbledhur, arkivi i këtij institucioni do të funksionojë në përputhje me dispozitat e ligjit të ngritjes së Autoritetit, rregullores së funksionimit të tij dhe legjislacionit në fuqi për arkivat. Hapja dhe deklasifikimi i dokumenteve të këtij arkivi do të ndjekë një procedurë të rreptë të ruajtjes dhe publikimit të të dhënave. Pra, hapja e dosjeve nuk duhet menduar si një mundësi që, çdo njeri mund të shkojë pranë këtij institucioni dhe të kërkojë informacion për fqinjin, kolegun apo dikë tjetër, nëse ai ka qenë apo jo bashkëpunëtor i Sigurimit. Ligji e ndalon këtë gjë. Një informacion të tillë për persona të tretë mund ta kërkojnë me shkrim vetëm institucionet publike dhe jopublike, duke argumentuar qartë se përse u duhet ky informacion.

Siç cilësohet në ligj, i interesuari mund të kërkojë informacion vetëm për veten e tij. Kërkesa për t’u informuar mund të ketë edhe qëllime rehabilitimi, dëmshpërblimi, shmangieje të cënimit të jetës private apo dëmit moral ose vërtetimin e faktit të mosbashkëpunimit me ish-sigurimin e shtetit. Sigurisht që edhe familjarët dhe pasardhësit mund ta bëjnë këtë gjë, nëse personi i prekur nuk jeton më.

Pasi bëhet kërkesa me shkrim, punonjësit e Institucionit përgatisin dokumentet përkatëse për t’ia dhënë për shikim të interesuarit. Kjo është një procedurë e rëndësishme, sepse jo të gjitha informacionet që janë në dosje mund të shikohen. Informacione dhe të dhëna që nuk janë të rëndësishme për personin e interesuar bëhen të palexueshme. Këtë gjë e kërkon ligji i ruajtjes së të dhënave dhe të drejtave të njeriut. Pseudonimet e punonjësve të Sigurimit apo bashkëpunëtorëve që janë marrë me çështjen përkatëse nuk fshihen nga dosja. Madje i interesuari ka të drejtë të mësojë edhe emrin e vërtetë të këtyre personave.

Po ashtu, autoriteti ka detyrim t’i përgjigjet çdo kërkese të institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike, lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumentet e ish-sigurimit të shtetit kur kjo kërkohet në kuadër të vlerësimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve për t’u emëruar ose ngritur në detyra të caktuara shtetërore, si në ekzekutiv, legjislativ, judikativ, Forca të Armatosura dhe Policinë e Shtetit. Madje efekti i këtij ligji shtrihet deri te anëtarët e Akademisë së Shkencave, nga rektori e deri te zëvendësdekani i univeristeteve publike etj.

Pa hyrë më në detaje të funksionimit të këtij institucioni, mund të themi se, krijimi i tij është një përpjekje e parë për t’u ballafaquar me të kaluarën komuniste të Shqipërisë. Ky ballafaqim nuk do të bëhet në mënyrë kaotike siç është bërë deri tani, ku ndonjëherë kemi parë se, dosje bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit kanë përfunduar deri në studiot televizive, duke thyer gjithë ligjet e rregulloret e funksionimit të një arkivi!

Të pretendosh se me ngritjen e këtij institucioni, në vend të transparencës do të mbyllen dosjet dhe do të vështirësohen procedurat e marrjes së informacionit është marrëzi. Përvoja po tregon se, institucionet analoge si Autoriteti, të ngritura në ish-vendet komuniste, me përjashtim të Rusisë, ku ende nuk ka filluar një proces i tillë, po rezultojnë të suksesshme. Ajo që do të vështirësohet është abuzimi me dokumentet! Kjo nuk do të thotë se po cënohet e drejta për informim, qoftë për arsye personale, funksionale apo studimore, por do të jetë një shfrytëzim i materialeve arkivore sipas rregullave.

Kësisoj mund të shfrytëzohen pa kufizim për arsye studimore gjithë dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, qoftë edhe kur përmbajnë të dhëna personale mbi punonjësit, bashkëpunëtorët ose të favorizuarit e ish-Sigurimit të Shtetit, për veprimtari në favor të ish-Sigurimit të Shtetit të kryera pas moshës 18-vjeçare. Po ashtu, mund të konsultohen pa kufizime edhe dokumentet që përmbajnë të dhëna personale mbi persona të historisë së kohës, mbajtës të funksioneve politike. Dokumentet e tjera që përmbajnë të dhëna personale vihen në dispozicion vetëm kur nëpërmjet përdorimit të tyre, nuk dëmtohen interesat e ligjshëm dhe të drejtat e personave të përmendur në këto dokumente dhe për aq kohë sa përdorimi i tyre nuk bie në kundërshtim me ligjet për mbrojtjen e të dhënave personale. Nuk përbën ndonjë çudi që, njëri apo tjetri i prekur, të mos ketë dëshirë të bëhet objekt i debatit publik.

Unë jam plotësisht dakort me skeptikët, kur ata shprehen se misioni i këtij Autoriteti do të jetë i vështirë. Por ama nuk jam aspak i një mendje me ta, kur thonë se ky Autoritet nuk do të jetë në gjendje të kryejë misionin e tij. Që të arrihet në këtë përfundim, duhet që së pari Autoriteti të fillojë punën e tij. E sigurtë është që, pikërisht si pasojë e mungesës së këtij institucioni është abuzuar në forma nga më të ndryshmet me këto dosje e përmbajtjet e tyre. Po ashtu, rreziku që dosje të caktuara bashkëpunëtorësh edhe mund të jene zhdukur është shumë i madh. Po kaq e vërtetë është që, pas mëse 25 vjetësh nga rrëzimi i sistemit komunist, pjesa më e madhe e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit ndoshta nuk janë më aktivë e nuk mbajnë më poste të larta në administratën shtetërore. Koha dhe moshapja e dosjeve punoi për ta! Parë në këtë këndvështrim, kritikat e ushtruara ndaj ngritjes së këtij Autoriteti janë pa vend, sepse siç thotë edhe një fjalë e urtë popullore, “më mirë vonë se kurrë”, duhet të fillohet me këtë proces transparence. Sfidat e para të këtij institucioni janë procesi i Vetingut dhe i zgjedhjeve parlamentare në vitin e ardhshëm.

***

Natyrisht që reflektimi mbi të kaluarën është për shumë qytetarë një çështje tejet personale, sepse ka të bëjë me jetën dhe mënyrën se si ata jetuan dhe përjetuan diktaturën komuniste.
Ngritja dhe funksionimi i këtij Autoriteti, më shumë se një hapje mekanike dosjesh, ka të bëjë me njerëzit dhe me fatin e tyre. Koha nuk shëron çdo plagë. Plagët e diktaturës janë e do të jene një shqetësim edhe për brezat e ardhshëm. Kjo është një përvojë që ne shqiptarët e ndajmë edhe me kombet e tjera. Nëse do t’i referohemi përvojës gjermane, ende sot e kësaj dite, plot 27 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, pranë institucionit gjerman për hapjen e dosjeve paraqiten rreth 5000 kërkesa në muaj për shikim të dosjes personale.

Kësisoj do të jetë përgjegjësia e këtij Autoriteti që në bazë të ligjit të grumbullojë, administrojë dhe japë informacion për qytetarët e të prekurit nga aktiviteti i Sigurimit të Shtetit. Më tej ai duhet t’i përgjigjet nevojave institucionale për pastërtinë e figurës së zyrtarëve përpara emërimit ose ngritjes në detyrë. Po ashtu, një detyrë kaq e rëndësishme e këtij autoriteti do të jetë edhe mbështetja e kërkimit shkencor për rishqyrtimin historik të veprimtarisë së ish-sigurimit të shtetit. Puna e këtij Autoriteti nuk do të mjaftohet vetëm me vënien në dispozicion të studiuesve të dokumenteve që pasqyrojnë veprimtarinë e ish-Sigurimit të Shtetit. Autoriteti do të marrë pjesë aktivisht edhe në studimin e historisë së Shqipërisë gjatë periudhës komuniste, duke bërë botime, studime shkencore, duke organizuar konferenca e ekspozita për veprimtarinë e ish-Sigurimit të Shtetit, etj.. Këto aktivitete i shërbejnë ruajtjes së kujtesës historike. Sa më shumë largohen brezat që kanë vuajtur nën regjimin diktatorial, aq më të nevojshme janë këto aktivitete. Sa më mirë ta kuptojmë diktaturën, aq më mirë do të mund të ndërtojmë demokracinë. Kujtesa historike ruhet duke u kujdesur për të. Shpesh përvoja botërore ka treguar se sa e hollë është vija ndarëse ndërmjet demokracisë dhe diktaturës, nëse shkatërrohet kujtesa dhe ndërgjegjja historike.

*Anëtar i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit

Share: