Home KRYESORE “Kosovarizmi”, një broçkull që nuk mbin nder shqiptare

“Kosovarizmi”, një broçkull që nuk mbin nder shqiptare

Nga Artur Zheji

Kosovarizmi i sotëm, është një shpikje kulturore që nuk ka bazë reale të ketë jetë dhe zhvillim të mirëfilltë. Kosovarzmi është një ishull i dëshpëruar, ku përmes vecimit artificial, që disa cuna dhe goca intelektuale shqiptare nga Veriu i hapësirës sonë historike shumë shekullore, të mbiquajtur së fundmi Kosovë, duan të ndërtojnë si strehë, për të përkëdhelur sedrën e tyre, që lëndohet shpesh në Tiranë.

Është e vërtetë, që në Tiranë dhe në pjesën Jugore pra, të hapësirës sonë historike ku jetojmë si shqiptarë, shqiptarët e pjesës Veriore, nuk janë ndjerë gjithmonë në shtëpinë e tyre, ndonëse janë në shtëpinë e tyre, e cila u nda pjesë-pjesë, për arsye historike tashmë të njohura. Madje ata janë lënduar plot herë, keqtrajtuar, grabitur apo fyer. Është mirë të pranohet pa një gjuhë të drunjtë dhe hipokrite se ka ndodhur vërtet kështu. Anipse kanë ndodhur edhe plotë raste të lëndimit reciprok, ku me hapjen e kufinjve të pas viteve të ’90, mjaft biznesmenë të vetë shpikur, prej krahinës shqiptare të Veriut që mbiquhet Kosovë së fundmi, kanë abuzuar plot herë me dojcmarkat e tyre, që zgurdullonin sytë e babëzitur të tiranasve dhe jo vetëm.

Por të ngresh një serë artificiale kulturore dhe të kultivosh aty, bimën më të re të Kosovarizmit, do të thotë në rastin më të mirë të jesh i cekët dhe egoist dhe në rastin më të keq, në shërbim të jo miqve të shqiptarëve me banim në Beograd.

Sepse kjo bima Kosovariste, mund të duket trendy, por është gjithashtu prodhuese e fryteve të helmatisura, të thellimit të ndarjes mes nesh, në të njejtën vijë dhe strategji, që historikisht, na ndanë jo miqtë e shumtë që kemi.

Sepse kështu të ndarë, mund të jemi dhe do të jemi më të dobët.

Nëse ka sot një identitet shqiptar rrënjëthellë në Krahinën veriore shqiptare, që mbiquhet shteti i Kosovës dhe që është shteti i Kosovës, e pra një Shqipëri e dytë, ka ardhur mirë apo keq, nga mosndarja kulturore dhe shembja e kufinjve kulturorë, që jo miqtë vendosnin ndërmet nesh me para dhe dhunë. Duke shkelur gjuhën, duke ndaluar shkollat shqipe dhe duke sllavizuar me sa mund, tokat e të parëve tanë.

Pamvarsisht ca prishtinalinjve Kosovaristë, nga ana tjetër, ka pasur dhe do të ketë Rilindas punëtorë e të varfër, që do të mbeten sot dhe nesër të panjohur. Sepse ata, më shumë baresin fshatrave shqiptare, në gjurmët e atyre që sot s’janë më dhe që rrëzuan mbretër e diktatorë kolonizues, me një abetare shqipe dhe me një flamur dhe gravurë të Gjergj Kastriotit në dorë.

Tani cunat dhe gocat e shkolluar mirë në Perëndim të Krahinës tonë Veriore shqiptare, i janë futur punës, për të ndërtuar Serën Kosovariste, që prodhon ca kastraveca dhe kunguj, që nuk vlejnë as edhe për një sallatë burgu.

Kinse sot ata, janë brezi i ri, që nga atdhe mohuar përdhunisht, të zhgënjyer nga mitologjia e rreme e Shqipërisë ndricuese, rrëfyer shtetrrethimeve serbe, nga gjyshër dhe prindër, po krijojnë edhe kulturalisht shtetin e ri të Kosovës. Duke na ndarë në Kosovaristë dhe Shqiptaristë.

Sepse në Kosovaristan, disa zotnij tkrekosur, qyftet dhe qebabat, i kanë kthyer në guzhinë italiane, njomur me verë franceze, e tash, tnaltsuem e me pare, nshpija, nprona e në poste me kolltuk, ndihen fare mirë sa më larg Shqipërisë, ku kalojnë me pshurr, vec n’det të Sarandës apo Vlonës, duke premtuar që vitin pasardhës, duhet me ju kthy prap ishujve t’Greqisë apo në Spanjë e Itali.

Sjam aspak kundër guzhinës së re ushqimore, as edhe kundër dinjitetit të plotë, që ata manifestojnë dhe për këtë kanë respektin tim më të plotë. As kundër ndjesisë së rehatisë që të jep shtëpia jote, ku të ka lindur koka dhe të ka hedhur shtat trupi. Edhe vëllezërit e një nëne, sot e mot, ndahen e banojnë në shtëpi të tyre dhe mirë bëjnë.

Por kultura e rrënjës nuk ndahet dhe nuk tjetërsohet. Sepse kjo është sjellje qesharake dhe tipike e popujve pa rrënjë dhe që u mësonjë të tjerëve, se meqë ata kanë qëlluar pa rrënjë, atëhere rrënjët nuk kanë vlerë dhe duhet të qethemi prej tyre.

Anipse do të thahemi dhe do të flasim e mendojmë më pas majmunërishte, vecse gjuhën dhe kulturën e të tjerëve.

Unë mendoj se kastravecat dhe kungujt e serave artificiale të Kosovastanit, nuk do ti blejë më askush, mbas pak kohe. Dhe cunat dhe gocat prishtinase, do të kthehen shpejt në shtëpi.

Në Shtëpinë Tonë të Përbashkët kulturore, që ka themele po ka mbetur pa mure, pa dritare dhe pa cati.

Sepse nuk besoj që genet tona, kanë udhëtuar më kot mijëra vite e deri më sot.

Dhe kjo është busull.

Share: