Home KRYESORE Ngacmojnë vajzën “Sa e bukur je, të hëngsha…”, gjykata jep burg për...

Ngacmojnë vajzën “Sa e bukur je, të hëngsha…”, gjykata jep burg për 2 djemtë!

Dy djem, 25 dhe 23 vjeç, u dënuan me burg nga Gjykata e Tiranës, për shkak se komplimentuan me fjalë të pahijshme në distancë një vajzë në rrugë, raporton “Panorama”. Të rinjtë Leonard B. dhe David B. u kallëzuan për “ngacmim seksual” nga 20- vjeçarja me iniciale B.A., e cila pretendoi se ishte ndier e fyer dhe e frikësuar.

Sipas saj, dy djemtë nuk i ishin afruar, por i kishin shoqëruar frazat me veprime me natyrë seksuale. Shfajësimi i të pandehurve Leonard B. dhe David B. në gjyq, se vetëm kanë komplimentuar 20-vjeçaren, nuk ka bindur gjyqtarin Ardian Kalia.

Në një vendim të shpallur pak ditë më parë, të pandehurit u shpallën fajtorë për akuzën e “ngacmimit seksual” dhe u dënuan me nga 1 vit e 6 muaj burg secili. Më herë, në pretencën e paraqitur në gjyq, prokuroria i kërkoi gjykatës nga 4 vjet burg për dy të rinjtë. Vendimi i gjykatës është ankimuar në Apel edhe nga të pandehurit, edhe nga Prokuroria.

DËSHMIA E VAJZËS

Sipas vendimit të shpallur më 14 tetor, një kopje e të cilit zotërohet nga “Panorama”, episodi i ngacmimit të 20- vjeçares ka ndodhur në oborrin e pallatit të saj, në një nga lagjet e kryeqytetit. Gjatë procesit gjyqësor, në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura, e reja ka dëshmuar se sapo kishte dalë nga shtëpia, nga apartamenti i saj, për të shkuar në punë, ka parë të pandehurit.

Ata kanë qenë të kapur me njëri-tjetrin dhe të pozicionuar në një rrugë të ngushtë ngjitur me pallatin e saj. “E dëmtuara ka dëshmuar se është tronditur mjaft nga shprehjet e thëna ndaj saj si: “…. sa e bukur je…”, “të hëngsha…”, lëvizje e duarve dhe bërja e gjesteve të ndryshme në drejtim të saj, gjeste me natyrë seksuale, situatë kjo e cila, sipas të dëmtuarës, ka zgjatur dy ose tre minuta”, thuhej në vendim.

Para trupit gjykues 20-vjeçarja është shprehur se u ka bërtitur të pandehurve, duke u ndier e frikësuar dhe e fyer, shkak që, sipas saj, buronte dhe nga fakti se ndodhej pranë banesës dhe pranë një lokali ku punonte babai i saj. E reja ka dëshmuar se në atë moment aty ka ardhur kushëriri i saj i parë, i cili ka ndërhyrë duke debatuar me të pandehurit dhe më pas një patrullë policie që ka shoqëruar dy të pandehurit.

“NUK MË PREKËN”

E pyetur në seancë gjyqësore nga ana e gjykatës dhe palët ndërgjyqëse, nëse të pandehurit kishin kryer ndonjë veprim ndaj saj, në kuptimin e prekjes fizikisht të saj, e dëmtuara B.A. është shprehur se nuk e kishte prekur asnjë person. Ajo ka përsëritur se thjesht i ishin thënë fjalë të rënda në drejtim të saj, faktin se ishte ndier e fyer, si dhe gjeste të ndryshme me duar ndaj saj, të cilat kishin natyrë seksuale.

“E KOMPLIMENTUAM”

Gjatë hetimit dy të pandehurit kanë deklaruar se thjesht e kishin komplimentuar 20- vjeçaren. Ata kanë mohuar të kenë prekur ndonjë pjesë intime, apo ta kishin ngacmuar atë. Gjatë gjykimit, avokatët e tyre janë shprehur se rasti i sjellë për gjykim nga organi i Akuzës është i nxituar dhe keqinterpreton një traditë pozitive në lidhje me mënyrën e sjelljes ndaj së bukurës, duke e ngatërruar me veprën penale të ngacmimit seksual./360grade.al

Share: