Home KRYESORE Të rindërtohet besimi në marrëdhëniet shqiptaro–greke

Të rindërtohet besimi në marrëdhëniet shqiptaro–greke

Nga Bashkim Zeneli

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë ka kohë që janë të mbërthyera në një ngërç të plotë dhe kjo reflektohet në të gjitha drejtimet. Edhe ditët e fundit, përplasjet e tensionet u shtuan, me një gjuhë të papranueshme. Po i themi njëri-tjetrit fjalën e fundit të parën. Kemi bërë një hap përpara këto 2-3 vitet e fundit në marrëdhëniet me Serbinë për normalizimin e tyre. Dhe mirë është bërë, se duhet ecur përpara.

Por është shumë keq që kemi bërë hapa prapa me Greqinë mike e fqinje, me një vend anëtar të NATO-s dhe BE-së. Jemi mbërthyer në diskutimin e 3-4 problemeve që nuk po i fusim në rrugën e zgjidhjes, koha ecën përpara e ne kemi mbetur në vend. Mbetemi në vend, sepse nuk po gjejmë gjuhën e dialogut, ndërkohë që po i meshojmë gjuhës së demagogjisë.

E ardhmja e marrëdhënieve tona, shpeshherë, po diktohet jashtë frymës dhe parimeve europiane. (Asgjë nuk do të kishin zgjidhur, p.sh., gjermanët me fqinjët jashtë kësaj fryme). Është folur shumë, sidomos kohët e fundit, për Çështjen Çame (sidomos mbas deklaratave të komisionerit Hahn), për Ligjin e Luftës, për Marrëveshjen e Detit, për varrezat e ushtarakëve grekë etj.

Dhe këto, pa dyshim, janë probleme që kërkojnë zgjidhje dhe janë në interes të forcimit te marrëdhënieve midis dy vendeve e popujve tanë. Dhe nuk ka problem, sado i vështirë që të jetë, që të mos ketë zgjidhje. Shembujt midis shteteve janë të shumtë. Sigurisht që nuk ka pasur e nuk mund të ketë zgjidhje të menjëhershme e as të njëanshme, kërkohet punë, kërkohet durim e, mbi të gjitha, kërkohet guxim politik, mirëkuptim, kompromis, përgjegjshmëri.

Por ne kemi mbetur në vend, ndonëse në nivelin e ministrave të jashtëm nuk kanë munguar vizitat në Tiranë dhe Athinë. Asgjë nuk është vënë në rrugën e zgjidhjes. U zgjidh para dy vitesh vetëm çështja e toponimeve me certifikata. Dhe kjo, mbas një zhurme të madhe nga zyrtarë të Ministrisë sonë të Jashtme, u zgjidh ashtu siç duhet të ishte zgjidhur që në ditën e parë në kuadrin të listës së emërtimeve të shteteve që MPJ ka depozituar në OKB, sipas standardit JCAO.

Për çështjet e tjera, shumë të rëndësishme, nuk është bërë asgjë, ndonëse flitet shumë për takime premtuese, për delegacione negociatorësh etj., etj. Ministrat e jashtëm të të dyja vendeve janë takuar edhe në Tiranë, edhe në Athinë e Selanik, edhe në OKB, edhe në BE. (19 herë tha ministri jonë i Jashtëm në Kuvend se ishte takuar me ministrin e Jashtëm grek).

Shumë mirë! Dhe unë nuk po shtroj pyetjen se çfarë është zgjidhur, por çfarë është vënë në rrugën e zgjidhjes së problemeve që u përmendën më sipër? A ka nisur zgjidhja, çfarë hapash janë hedhur, ku janë qëndrimet dhe rezervat e njërës apo tjetrës palë? (Sepse po mësojmë zyrtarisht se për ndonjë çështje nuk është biseduar fare). Nga ministri ynë i Jashtëm, Bushati, tash mbi 3 vjet, kemi dëgjuar vetëm tjerrje fjalësh të bezdisshme: “Po adresojmë çështje të përbashkëta, kemi një bllok çështjesh për të kaluarën e të sotmen, po prihemi drejt trajtimeve në bllok, po evidentojmë një grupim çështjesh, po ndalemi në prioritet, kemi qasje, jemi të fokusuar… e të tjera, e të tjera”.

Flitet për zgjidhjen e çështjes së detit, duke thënë se “çështja e detit të adresohet nga e ardhmja”(!) Si? Flitet për modele të zgjidhjes, për gjykata, për parime të së drejtës ndërkombëtare e asaj të detit, kur për këtë marrëveshje ka 7 vjet që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Por sa kemi ecur, çfarë do të bëjmë, si do të zgjidhet? Çfarë kanë arritur, herë grupet e ekspertëve dhe ato të negociatorëve?

Fajin nuk e kanë grekët, tha ministri ynë i Jashtëm, në Kuvend, fajin e kanë negociatorët tanë. Cilët, ata që sot i padit për “shitje territori” në Prokurori, e nesër i propozon për ambasadorë apo drejtues të lartë në MPJ? Me kë flitet kështu?
Ministri i Jashtëm grek, Kotzias, thotë se nuk ka ligj lufte midis Greqisë dhe Shqipërisë, ndërsa ministri ynë i Jashtëm thotë se “Greqia do finalizojë heqjen e ligjit të luftës”. Nga kush u mor ky premtim? Pse nuk ka transparencë …(urojmë që pas vizitës së zotit Meta, shumë të nevojshme në këtë vakum, dhe premtimit që mori për ta parë këtë çështje, ky ligj absurd të hiqet nga Parlamentin grek).

Ministri ynë i Jashtëm thotë se çështja çame është në tavolinën e bisedimeve, ndërsa ministri i Jashtëm grek thotë se “nuk kemi folur asnjëherë për çështje çame”.(Edhe në letrën dërguar komisionerit Hahn shkruan se kjo çështje nuk ka qenë kurrë temë e bisedimeve). Në Kuvend, para pak ditësh, ministri ynë i Jashtëm tha se kurrë nuk kam marrë përgjigje nga pala greke. Këtë e mësuam tani, pas 3 vjetësh, kur thuhej se po negociojmë!

Çfarë është ky konfuzion dhe mungesë transparence? Ka retorikë të madhe, e pak punë konkrete. Çështja shtrohet dhe opinion do të dijë: A po dialogojmë për këto problem, a po e shohim me frymë europianiste, duke parë përpara, zgjidhjen e tyre? Çështjet e mësipërme, të marrëdhënieve me Greqinë, u interesojnë të gjithëve, sepse janë të interesit kombëtar, e atyre u duhet dhënë një përgjigje.

Ne nuk mund e nuk duhet të vazhdojmë të qëndrojmë më kështu, në marrëdhënie të ngrira, lësho e mos këput, e të shprehemi krejt pa përgjegjësi se nuk kemi probleme, se marrëdhëniet janë normale.

Hallakatjet janë të patolerueshme e të papranueshme. Flasin për kompetencë të ulët. Politika e diplomacia nuk ka pse trembet e tërhiqet edhe nga zëra obskurantistë, nacionalistë, ksenofobë e ksenomanë, këndej dhe andej kufirit.

Ne nuk jemi ulur si duhet së bashku, nuk kemi dialoguar si duhet, me përgjegjësi. Jemi mjaftuar me deklarata në podiume ministrish, apo edhe më keq, në distancë. Me problemet që kemi, fare mirë të krijojnë përshtypjen se palët më shumë kanë diskutuar se biseduar e dialoguar.

Pse jo, të krijohet ideja se në vend të kërkesës për mirëkuptim dhe kompromis, në mjaft çështje, dashje pa dashje, po biem në pozitat e konfrontimit. Ne kemi si vende dhe si popuj interesa të përbashkëta, ndaj edhe duhet punuar për gjetjen e mirëkuptimit të përbashkët.

Pa dialog, pa bisedime të hapura e të sinqerta, pa paragjykimet e të së kaluarës, me frymë europianiste, nuk mund të vihen drejt zgjidhjes problemet e hapura që kemi. Zvarritjet në zgjidhjen e problemeve janë hapa mbrapa në marrëdhëniet e dy vendeve. I duhet dhënë fund konfuzionit në qëndrime e deklarime.

Problemeve u duhet dhënë zgjidhje në kohën e duhur e me mirëkuptimin e duhur. E kjo bëhet me seriozitet dhe jo me spektakle boshe! Kështu si po ecën politika, këtu e në Greqi, po ftoh marrëdhëniet midis dy popujve. Është vërtet shqetësuese që sot, në marrëdhëniet midis të dy vendeve, kanë arritur në këtë pikë, saqë mungon besimi te njëri-tjetri. Kjo nuk është aspak e mirë!

Pa rindërtimin e këtij besimi, nuk do të mund të ecim përpara. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe aspiron drejt BE-së. Greqia është fqinji ynë, që na është gjendur shumë afër në proceset tona demokratike dhe euroatlantike.

Greqia u hapi dyert dhe zëmrat qindra-mijëra shqiptarëve pas viteve ‘90, të mos e harrojmë asnjëherë këtë dhe të mos bëjmë sikur s’është ndonjë gjë e madhe. (Europa sot po përballon me vështirësi problemin e refugjatëve).

Ne duhet të dimë të punojmë së bashku për t’u dhënë vlerë vlerave të miqësisë dhe të bashkëpunimit midis dy popujve tanë. Këtë duke e parë edhe në kontekstin e një rajoni të trazuar politik, siç është Ballkani Perëndimor.

Ne duhet sa më shpejt të kapërcejmë këtë moment, kur me Greqinë prej vitesh nuk po nënshkruajmë thuajse asnjë marrëveshje, kur nuk kemi shkëmbime, kur nuk kemi vizita në nivele të larta, duke përjashtuar vizitën e fundit të z. Meta në Athinë, që e konsideroj shumë pozitive për gjuhën me të cilën foli dhe mesazhet europianiste që përcolli. Unë mendoj se çështjet e mbetura pezull e që përfliten përditë, duhet të trajtohen me shumë përgjegjësi. Askush mos të thotë se kjo është bërë deri më sot!

Edhe politika, edhe diplomacia, kanë matës, kanë tregues. E ato na mungojnë në raport me Greqinë. Le t’u bëjmë thirrje palëve të ulemi, ku kanë ngecur gjërat, të dialogojmë, t’i shikojmë në sy problemet dhe të fillojmë hap pas hapi zgjidhjen e tyre.

Që të shohësh përpara, do të thotë të mbash përgjegjësi, të kesh guxim, të përballesh, të njohësh kompromisin. Kjo kërkon përvojë, që të ulesh me specialistë, me ekspertë, me njerëz të ditur, dhe jo me diletantizëm e amatorizëm.

Ku janë tryezat në profesionistë, me njerëz të aftë dhe ekspertë në fusha të caktuara? Diplomacia perëndimore këtë e ka në themel të saj, ndërsa te ne mendojnë që i dinë të gjitha e bëhen kompetentë për gjithçka.

Kohë më parë, publikisht, pikërisht te “Panorama”, kam deklaruar se Edi Rama duhet të shkojë në Beograd, të takohet me Vuçiçin dhe të nisin bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve, në një kohë që shumë skeptikë bënë thirrje për të mos shkuar në Beograd dhe sot them që është bërë shumë mirë, pra dialogu dhe përballja solli shkrirjen e akujve.

Dhe unë sot them ka ardhur koha që Kryeministri Rama të shkojë në Greqi (madje tepër i vonuar), t’i shohë me një vështrim shumë më të gjerë e më shumë përgjegjësi marrëdhëniet me Greqinë.

Pa asnjë hezitim, pa u influencuar majtas e djathtas, të takohet me Kryeministrin Cipras e të bisedojnë hapur, me përgjegjshmëri dhe besueshmëri, me një axhendë të qartë problemesh, me një vizion të qartë, me një frymë miqësore, pa asnjë dilemë, me një koncept të qartë europianist. Dhe duke mos pritur që zgjidhjet do të jenë të çastit në tavolinë, Ky ngërç duhet kapërcyer sa më parë.

Le të mos pritet që të zvarriten gjërat. Në radhë të parë duhet të kapërcehet mungesa e besimit te njëri-tjetri, që më tej të mos ketë vend për zhgënjime ndaj njëri-tjetrit apo për mosmbajtje premtimesh, në bisedime palët nuk duhen të mbesin peng i askujt. Dhe më pas, takimet në vijim duhen të zhvillohen në një kuadër që ndihmon zgjidhjen e probleme hap pas hapi në shërbim të interesave të përbashkëta.

Në diplomaci kërkohen hapa dhe zgjidhje, e jo cic-mice dhe “ta lash e ma le”. Politika dhe diplomacia duhet të punojnë për popujt tanë, që e duan njëri-tjetrin dhe që duan të jetojnë përherë në miqësi me njëritjetrin. Nëse nuk ecet përpara, nëse nuk krijohet besimi te njëri-tjetri, marrëdhëniet tona do të mbesin të ngrira por edhe do prodhojnë konflikte e tensione.

Dhe këtë duhet ta shmangim me vendosmëri sa më shpejt, pa lënë që problemet të trashen e tensionet të shtohen, siç po ndodh ditët e fundit. Shqiptarët e grekët janë fqinjë të mirë dhe duhet të bashkëjetojnë si fqinjë të mirë! Ne duhet të jemi me njëri-tjetrin së bashku e jo thjesht, pranë njëri-tjetrit!/Marrë nga Panorama

Share: