Home KRYESORE Trump sot është një realitet, çfarë do të ndodhë?

Trump sot është një realitet, çfarë do të ndodhë?

Nga Skënder Minxhozi

Presidenca Donald Trump është tashmë një realitet, megjithëse edhe banorët e izoluar të spektaklit Big Brother në Amerikë, kur e mësuan lajmin, nuk donin t’u besonin veshëve. Zgjedhjet në SHBA kanë prodhuar surprizën më të madhe të imagjinueshme dhe e gjithë bota po përpiqet së pari të “tresë” këtë që ndodhi dhe së dyti, që të bashkëjetojë me të në të ardhmen. Kreu i Komisionit Europian Juncker shprehej se Trumpit i duhen dy vjet për të njohur botën. Gjithsesi zgjedhjet mbaruan dhe amerikanët vendosën që në poltronin më të lartë të vendit të ulet një person që nuk ka punuar kurrë në administratë dhe që nuk ka asnjë eksperiencë shtetërore.

Në optikën e vogël të shqiptarëve, kudo që ata jetojnë, këto zgjedhje përbënin një dilemë të thjeshtë për t’u zgjidhur. Statuja e Bill Klintonit në mes të Prishtinës u kujton edhe sot mijëra banorëve të kryeqytetit të Kosovës, se cili ishte faktori vendimtar, që ata kanë sot shtetin e tyre sovran. Në një prizëm më të gjerë, kjo e vërtetë historike duket se ka qenë përcaktuese edhe në votën e shqiptaro-amerikanëve, ashtu siç ka vazhduar të prodhojë simpati edhe për një masë tjetër të madhe shqiptarësh, të cilët nuk votuan në 8 nëntor.

Hillari Klinton u ndesh në këto zgjedhje me dy kundërshtarë: më së pari me Berni Sandersin, brenda rradhëve të partisë së saj, e më pas me Donald Trumpin, në betejën elektorale kombëtare. Ka qenë një garë treshe, në një pjesë të mirë të vitit 2016. Pasi edhe tani, kur zgjedhjet kanë mbaruar, hija e senatorit plak nga Vermonti vijon të jetë e rëndë mbi rezultatin final.

Klinton është një figurë e vjetër politike në SHBA. Ajo bën pjesë në familjen deri dje më të fuqishme politike të Amerikës. Ky reputacion ishte avantazhi, por edhe kryqi që ajo mbajti mbi shpinë. E konsideruar si “njeriu më kompetent që ka garuar ndonjëherë për postin e Presidentit”, ajo ishte njëherësh edhe një kandidaturë e dobësuar skajshëm nga akuzat, skandalet dhe veprimet që ka ndërmarrë gjatë karrierës së saj. Iraku, Siria dhe Afrika Veriore me “pranverën arabe”, kanë mbi vete edhe vulën përcaktuese të senatores e më pas sekretares së shtetit Hillari Klinton. Ngjarja tragjike e Begazit, ku mbeti i vrarë konsulli amerikan dhe disa diplomatë e zyrtarë, janë gjithashtu një njollë e rëndë në ndërgjegjen e saj si shtetare, pa harruar skandalin e emaileve, lidhjet me korpusin financiar, votimi i marrëveshjeve të tregëtisë së lirë – të gjitha këto e bëjnë Hillarin një figurë të dyshuar dhe pak ose aspak frymëzuese për milionat e amerikavëne të lodhur me aparatin burokratik të Uashingtonit. Kjo u pa qartë në 8 nëntor, megjithese ajo fitoi votën popullore.

Nga ana tjetër, ajo u përball me dy figura të cilët kanë mes tyre elemente të përbashkët. Sanders dhe Trump ishin dy kandidatë anti-sistem, ata ishin kundër ikjes së vendeve të punës drejt Kinës apo Meksikës, ishin kundër oligarkisë financiare dhe politike që sundon SHBA prej dekadash (e ku familja Klinton ka një influencë dominuese), ishin dhe janë kundër mënyrës sesi funksionon sistemi elektoral në vend dhe kundër korporatës së madhe të mediave.

Këto aspekte e bënin Sandersin një kandidaturë natyrshëm më të pranueshme se Klinton, por hierarkia e Partisë Demokrate vendosi me zemër dhe jo me mendje dhe me logjikë. Tashmë zgjedhjet përfunduan dhe të gjithë duhet të përballen me realitetin e ri.

Edhe ne shqiptarët, që nga kryeministri me gafën e tij diplomatike në CNN, e deri tek bashkëkombasit e tjerë kudo që jetojnë, në diasporë, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Përtej simpative personale dhe asaj që fushata elektorale amerikane prodhoi tek çdo shqiptar që ndiqte ngjarjet atje, Hillari Klinton ishte një garanci jo e vogël për ne, për shkak të historisë që e lidh atë dhe bashkëshortin e saj me botën shqiptare. Ashtu siç është sot Trump një e panjohur për botën dhe brenda saj, edhe për ne shqiptarët.

Dimë që dikur biznesmeni Donald Trump ka sugjeruar hyrjen e trupave tokësore në luftën e Kosovës në pranverën e vitit 1999, por kjo është shumë pak për të kuptuar se çfarë qëndrimesh do të ndërmarrë administrata e tij ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Më normalja do

të ishte të mos priteshin ndryshime thelbësore, për vetë peshën e vogël të shqiptarëve në skakierën globale, por edhe kjo duhet zbuluar dorë pas dore, kur manjati njujorkez të ketë veshur kostumin e kryetarit të shtetit më të fuqishëm në botë./Javanews/

Share: