Home KRYESORE Erdogan pas Ramës, edhe Thaçit i kërkon të njëjtën gjë: Mbyllni shkollat...

Erdogan pas Ramës, edhe Thaçit i kërkon të njëjtën gjë: Mbyllni shkollat e Gylen

Siç edhe është pritur, çështja Gylen, ka qenë tema kryesore që ka mbizotëruar gjatë qëndrimit të Presidentit të Kosovës në Ankara. Përderisa Thaçi është impresionuar me salltanetet në Pallatin e Erdoganit, Presidenti turk e ka shfrytëzuar takimin për hesape të tjera. Ai ka kërkuar mbylljen e shkollave të Gulenit, të cilin po e akuzon për tentim-puçin, gjatë verës. Ndërkohë ka thënë se do t’i shkollojë kosovarët nëpërmjet fondacionit Maarif, i cili tashmë është themeluar.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaci ka pritur 6 muaj për të realizuar takimin me shefin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan. Takimi e ka kënaqur egon e Presidentit të Kosovës, pasi Erdogan i ka siguruar një pritje me nderime të larta, por e gjithë kjo e ka pasur një çmim. Erdogan i ka kërkuar mysafirit nga Kosova që t’i mbyllë shkollat e Fetullah Gulenit në Kosovë – në të cilat janë shkolluar shumë prej fëmijëve të liderëve kosovarë, përfshirë edhe djalin e Hashim Thaçit, Endritin.

Ky fakt është përmendur edhe nga vetë Erdogan, i cili është në dijeni se fëmijët e “funksionarëve të lartë” kosovarë janë shkolluar aty. Kërkesën e tij Erdogan e ka elaboruar në mënyrë perfide, duke thënë se Kosova një ditë mund të ballafaqohet me rrezik nga të shkolluarit në këto shkolla. Por, ai ka joshur edhe në një mënyrë tjetër Hashim Thacin, i cili ka thënë se po e vëzhgojmë nga afër “çështjen Gylen”. Ai ka thënë se Turqia ka dhënë 248 dëshmorë gjatë puçit të 15 korrikut, të cilin, sipas tij, e shkaktoi mentaliteti i FETO.

Share: