Home KRYESORE 70 VJET ME PARE AT ALEKS LIPE, I EKZEKUTUAR NGA DIKTATURA

70 VJET ME PARE AT ALEKS LIPE, I EKZEKUTUAR NGA DIKTATURA

0

Nga Leke Tasi

Kur shfleton koleksionin e periodikut ‘Revista Kristiane’, që botohej nga Kisha jonë deri në mesin e viteve `40, të bie në sy një artikull me një titull domethënës, “Për ata që adhurojnë materjen”.

Autori është At Aleks Lipe, famullitar i fshatit Leusë, përmbi Përmet, një klerik që shquhej veçanërisht për predikimet e tij ku trajtonte problemet e jetës së përditshme të fokusuara në dritën e Ungjillit. Për këtë aftësi të tij në trajtimin e kuptueshëm e praktik të temave të rëndësishme ai gëzonte admirimin të besimtarëve edhe të qytetit, ku meshonte shpesh. Artikulli në fjalë hedh poshtë si absurd mendimin e përhapur gjerë se komunizmi paska gjëra të përbashkëta me krishterimin. Me një argumentim të bazuar në paravolitë e Zotit Krisht mbi pasurinë dhe pasanikët, At Aleksi demonstron falsitetin e kësaj teze, dhe zbulon humbnerën që ndan Krishtin nga ideologët ateistë.

Për sa i përket pasurisë, ai nxjerr si të keqe vetëm skllavërimin e njeriut tek paraja (Mamonai), kushdo qoftë ai, i pasur a i vobektë, dhe jo pasurinë vetë, e cila mbetet mjet, pra që mund të përdoret edhe për qëllime mirëbërjeje. Ai shkrim meriton të lexohet sot në dritën e eksperiencës që kanë njerzit nga zbatimi në praktikë i ‘parajsës’ që premtoi lëvizja botërore komuniste kolektivizuese e gjithshkaje; mashtrimi dukej qysh tek mjeti që do të përdorte : luftën e klasave, me frymëzim urrejtjen, jo vetëm ndaj të pasurve, por kujtdo që do të guxonte t`i kushdërshtonte planet e tyre. Fakt është që jo shumë kohë mbas botimit të artikullit, ata gjetën pretekstin për të eliminuar fizikisht autorin.

Kështu, përtej çdo akuze që iu bë, shkaku real i dënimit dhe ekzekutimit ishte vendosmëria e tij në mbrojtje të së vërtetës së Krishtit kundër mashtrimeve materialiste të përhapura jo vetëm tek naivët por mjerisht edhe më gjerë. Karakteristika e organizatave anarkisto-revolucionare, që arritën kulmin me komunizmin, ka qënë zhdukja e personaliteteve më të shquara, dhe rasti në fjalë është provë e qartë e kësaj strategjie. Prandaj paqja sociale nuk u arrit kurrë, përkundrazi u ndez, dhe viktimat qenë me qindra e mijra, në emër të tezës se lufta e klasave nuk pushon kurrë.

Gjyqi u bë në Gjirokastër më 13/06/ 1946, me tetë persona të arrestuar pesë muaj më parë dhe të akuzuar për spiunazh. U dënuan për trathti të lartë, At Aleksi me vdekje, shtatë të tjerët me burgime të gjata. Prej katër muajsh përmetarët jetonin në një atmosferë frike nga burgosja e këtyre personave paqësorë, profesionistë dhe qytetarë shembullorë. Por me vendimin për ekzekutim të At Aleksit frika u kthye në terror; ndërsa dënimet e tjera, të shtuara deri në 30 vjet burg nga trupi gjykues “në kundërshtim me kërkesat e prokurorit”, siç thuhet shprehimisht në vendim, përmetarët i lexuan si ndëshkim që diktatura po i bënte qytetit të tyre për votën gati tërësisht “kundra” në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945.

Qyteti kuptoi se e drejta më elementare, shprehja e vullnetit të tyre me votë, pushteti i ri i vetquajtur demokratik ua quante faj të rëndë, dhe madje tradhti të lartë, kurse akuzat për lidhje me “monarkofashistët” grekë, të cilat nuk u provuan kurrë, sikundër në të gjitha gjyqet e asaj kohe, qenë thjesht koperturë. .. Po të vihemi sot në pozitën e qytetarëve të atëhershëm, do të kuptojmë zhgënjimin dhe tmerrin që po përjetonin ata nga ai regjim, që shumkush e kishte kujtuar çlirues . Kishte nisur pra një faqe historie e frikshme, pa asnjë hapësirë lirie siç pritej me të drejtë në ato ditë që po mbaronte lufta e dytë botërore.

Por dënimi kapital i At Aleksit, e gjente shpjegimin kryesor tek artikulli i tij antikomunist. U kuptua pra që po hapeshin edhe llogari të vjetra.

Sipas praktikës komuniste të njohur në gjithë vendet ku ata vendosën regjimin e tyre gjatë shekullit XX ose tentuan, një kundërshtar i tillë, qoftë si funksion qoftë si shkallë inteligjence e qoftë me simpati në popull, duhej eliminuar, në mënyrë që regjimi i tyre ta niste punën me një gjest represiv ekstrem mbi çdo krahinë, e veçanërisht mbi njeriun me ide të qarta kundërshtare që mund t`i shërbente si pikë referimi. Por në programin e tyre të depersonalimit, do të përfshihej si pikë kryesore goditja lirisë shpirtërore, që bashkë me të, të mposhtej edhe liria qytetare.

Interesant është fakti që kjo fushatë depersonalizuese, pavarsisht nga kushtet e rënda, joshjet e mëvonshme, propaganda intensive, festat me bujë çdo vit aty, nuk pati fort sukses. Në Përmet, megjithë butësinë e popullatës, ndofta pikërisht prej saj, feja edhe mbas ndalimit me ligj, mbijetoi në fshehtësi nëpër familjet.

Veç kësaj përmetarët kishin gjetur një sjellje e tillë me autoritetin, që shumë funksionarë me shërbim në qytet gjatë dekadave të regjimit e kanë përshkruar si të “ftohtë”.Me këtë nuk duhet kuptuar se ata s`janë mikpritës, por se i rrinë larg autoritetit, nuk e kanë bërë të tyrin zakonin t`i miklojnë të fuqishmit duke i ftuar për dreka e darka si mund tu ketë ndodhë gjetiu personave në fjalë, dhe ky është thelbi i civilitetit përmetar, të cilin ua ka vlerësuar kushdo që ka pasë rast t`i njohi më gjatë, me pasojë që ky imazh i tyre të përhapet. Prandaj merr rëndësi fakti që falë kësaj kuraje civile të ndërgjegjshme të krahinës, At Aleks Lipe e sinjalizoi gjëmën që po mbërrinte, dhe i paralajmëroi njerzit për falsitetin e identifikimit të atij ateizmi të egër me krishterimin…

Eshtë detyrë qytetare që burrëria e tij e paguar me jetën e tij, të njihet dhe të nderohet. Megjithatë në vet qytetin e tij nuk gjen një shenjë të vetme përkujtimore që t`ua bëjë të njohur vizitorëve dhe brezit të ri denoncimin që i bëri maskimit si “e mirë” të së Keqes, sherrin e së cilës e hoqën në kurriz më pas të gjithë, vuajtësit prej saj po dhe shumë prej bartësve… Kjo mungesë në ambjentin qytetar nuk të habit sepse ndodhemi ende brënda frymës së arbitraritetit që ka lënë pas diktatura, është ajo që cakton akoma ç` duhet bërë e ç`nuk duhet bërë.

Fatmirësisht përmetarët me natyrën e tyre qëndrestare, të qetë por këmbëngulëse, i mbeten besnikë çështjes që mbrojti bariu i tyre shpirtëror 75 vjet më parë, kur infiltrimi subversiv përdori parulla humane e patriotike ndërsa dhunën vrastare e mbante të fshehtë për ditën që do merrte fuqinë. Shpresojmë se Përmeti me rrënjë të hershme shpirtërore, mbetet një shtrat i ngrohtë edhe në kushtet e lëvizjes masive të popullsisë, që t`ua kalojë edhe ardhësve të shumtë traditën e tij civile, që kështu t`u jepet vendi i duhur vlerave të vërteta të qytetit dhe të krahinës .

Më poshtë artikulli i At Aleksit, me korrigjimet e duhura gjuhësore, për ta prurë në ortografinë e sotme.

PER ATA QE ADHUROJNË MATERJEN

Krishti komunist? Jesu Krishti, me predikimet dhe mësimet që u jepte njerëzvet, shpesh herë gjente rast dhe në mënyrë paravolike i përcëllonte shumë ashpër të pasurit. Këta, mund të thotë njeriu, i kishin plasur buzën, prandaj thoshte: “Ata që kanë pasuri është shumë zor të hyjnë në mbretërinë e qiejvet”. Edhe vetëm nga këto fjalë, si duket, lindi në botë ideja se Jesui mori nismën drejtpërdrejt kundra kapitalit, dhe kështu , të gjithë ata që predikojnë idetë e reja të komunizmit , këto fjalë i përdorin si flamur për përhapjen e ideve të tyre krejt të gabuara. A ishte me të vërtetë Krishti komunist? Ka mundësi të besohet se Krishti i pranon ato dogma në emër të të cilave kryetarët e ideve kryengritëse të komunizmit të famshëm, duan t`i imponojnë botës parimet e tyre dhe të përmbysin – bashkë me të tjerat – edhe bazat e saja ekonomike mbi të cilat është bazuar që kur u krijua e deri sot?

Ndër gjith sa përmban Ungjilli, një ide e tillë kurrë s`justifikohet. Që Jesu Krishti nuk ushqen mendje të mirë për të pasurit dhe, që me paravolit e tij kurdoherë i godit keq dhe iu kërcënon mundime dhe humbje të përjetshme në jetë e ardhme, kjo është e vërtetë. Por në Ungjillin e Tij , idera të tilla si e mësipërmja, as që shkruhen gjëkundi; bile as pëshpëritja m`e voglë nuk ndihet në të, se gjoja bota duhet të kthehet në komunizmë me forcë që të shpëtojë prej tiranëve të ekonomisë së saj. Krishti na kujton se pasuria – dhe sidomos ajo që vihet me padrejtëesi – zakonisht është një pengim i rezikshëm për njerëzit që duan të arrijnë në gradën e përsosur të idealit dhe të moralit. Prandaj kur një pasanik i vajti dhe e pyeti, “ Mësonjës , ç` të bëj që të fitoj jetën e përjetshme ?” Ay e përcolli duke i dhënë këtë porosi: “Shko , shite pasurinë edhe eja pas meje”.

Pushteti i përjetshëm i idealit qëndron përherë mbi materjen që kalbet.

Apostojtë, burrat e lartë dhe gjithë edukatorët e botës , mrekullitë e tyre historike nuk i bënë me anë të materjes, por me fuqinë e idealit. Ata që janë përkushtuar me mish e me shpirt për një mision të lartë, duhet të jenë të çlirët nga çdo lithkë me botën, dhe atëhëre mund të bëhen stavroforë (kryqmbajtës) të detyrës së tyre.

Atëhere bota medoemos do t`i pasonjë sepse ka besim .I beson se besimin e sheh të realizuar në vepra të gjalla. Mendimin e çlirimit me vetëdashje prej çdo lidhjeje materiale për hir të një shërbimi ideal më të lartë ,e bënë të tyren të krishterët e parë, të cilët çdo gjë që kishin e shtinin me vetdashje dhe çmimet e mbledhura i vendosnin në një arkë të përbashkët, me qëllim që të mundnin të rronin të lumtur dhe të kënaqur nga pikpamja ekonomike si ata që kishin dhe ata që s`kishin. Dhe kur një – siç na tregojne Veprat e Apostojve – shiti pasurinë e vet dhe vleftën e saj nuk e shpuri të tërë në arkën e përbashkët , por një pjesë e fshehu, Apostojtë i hoqën vrejtjen për punën e keqe që bëri duke i thënë: “Vëlla i ynë, të shtrëngoi njeri t`a sheç pasurinë tënde? Asnjeri.

Di ti që neve t`u kemi vënë shtrëngim atyre që na pasojnë në idetë tona, se pa shitur pasurin e tyre dhe pa sjellë vlëftën e saj në arkën e përbashkët nuk i qasim në rrethin tonë? Jo. Por atëhere ty kush të shtrëngoi t`a sheç pasurinë tënde dhe me vleftën e saja të bëhesh vjedhës? Kur ti e shite mallin tënd me vetdashje, at`here pse të bëhesh abuzues dhe ipokrit me punën tënde?”

Platoni ka qënë i mendjes se bashkimi pasurisë është gjeja ideale për shtetin.

Domethënë se Krishti dhe nxënësit e Tij , ndonëse si virtyt më të naltë predikonin çlirimin me vetëdashje prej lidhkave me materjen , megjithqë i përbuznin keq pasurinë dhe pasanikët që pasuroheshin me padrejtësi, të cilët sillen si kuaj të tërbuar kundrejt bashkënjerëzve të tyre, por kurrë s`folën, as që ishin të mendjes se duhet me doemos bashkim pasurie në botë. Një gjë të tillë vetëm Platoni e pretendonte. Ay thoshte se “bashkimi i pasuris ësht gjëja më ideale për Shtetin”, edhe këtu vetëm bazoheshin kryetarët e famshëm të idesë komuniste, që nga Marksi e deri te Lenini e Trocki, të cilët e vunë në zbatim si teori në demokratinë e re Ruse!..

Pasuria simbas mendimit të Jesu Krishtit – në vetvehte nuk ësht një gjë e mirë as gjë e keqe. Pasuria ësht e mirë ose e keqe analogjikisht me përdorimin që t`i bëhet. Krishti megjithë se e përbuzte mamonanë, por s`besohet kurrë që të ishte i mendjes ta dënonte pasurinë krejtsisht. Se kur pasuria përdoret mirë prej atyre që e kanë, bëhët gjë e mirë e përgjithshme. Kemi vënë re në Historinnë e botës gjatë shekujve të kaluar, se veprat e mira, për të mirën e përgjithshme që kanë bërë pasanikët inteligjentë të çdo kombi dhe shteti, kanë mbetur shenja të gjalla të shkruara me ngjyrat më të shkëlqyera prej pendës së historianëve.

Pasanikët shpirtmirë, me pasurinë e tyre kanë ngritur me mijra institute mirëbërëse, për ndriçimin edhe lartësimin njerzor. Mirëbërësit e çdo kombi asgjë s`mund të bënin po të mos kishin fuqinë materiale. Pasuria pra, që vihet me djersë e drejtësi ,dhe që harxhohet po me atë mënyrë, thuaj se kjo pasuri ka qënë dhe është e përbashkët, se u bën mirë të gjithëve. Gjithë mirëbërësit e botës, kur pasurinë e tyre nuk e kanë vënë me të rrëmbyer, abuzuar dhe padrejtësuar të tjerët, thuajse janë shërbëtorë pa rrogë të popullit. Se për të mirën e të tjerëve sakrifikojnë gjith kamjen e tyre, djersën e tyre, për të cilën u munduan tërë jetën.

Kur pasuria vihet me drejtësi dhe inteligjencë, edhe harxhohet po me atë mënyrë , thuaj se ësht e mirë e përgjithdhme.

Po të ishte se të gjithë të pasurit do qenë zemërmirë dhe personalitete inteligjente, shërbëtorë të vërtetë të lumtërisë së përgjithshme, atëherëe pasuria do të qe e bekuar prej Perëndisë. Se kurrë nuk do shkaktonte zemërime dhe grindje në publik, as do të lindnin kaq kundërshtime prej të cilave klloçiten theoritë përmbysëse të turmave puntore, të cilat shpresojnë se me këtë mënyrë do mundin të përmirësojnë ekonomikisht gjendjen e tyre fatkeqe dhe të sigurojnë lumtërinë e tyre të përbashkët. Por është e mundur të gjesh shumë pasanikë të tillë në botë? Një shkrimtar i famshëm i Kishës, Gallanosi, në një libër të tij shumë të bukur thotë: “Ah, e di, e di fare mirë se me çfarë mënyra të padrejta, të gënjeshtra e të paudha e vënë pasurinë e tyre më të shumtët e të pasurve. E di sa krime të këqij vallzojnë nëpar pallatet e mermertë të tyre ,dhe çfarë lugetër të ndyrë fshihen prapa luksit të ndritshëm të shërbëtorve te mamonait!

E di fort mirë se sa viktima të pafajshme bien për çdo minutë për tu formuar pasuria e shumë pasanikëve dhe me çfarë tmerre e mallkime barrosen pëndet e ndritura , diamantet e shumëçmuarshme dhe byzylyket e arta, me të cilat dalin e tunden zonjat e zonjushet , bijt e të dashurat e tyre! Ato bujaritë e tyre të deklaruara me tellall, e di sa grabitje dhe rrëmbime destinohen të mbulojnë! E di dhe jam krejt i sigurtë bile se njeridashësit fallso, mirëbërësit e maskuar si dele dhe ata që me mënyrat gjoja njeridashëse thithin gjakun e të vobektëve, për të ushqyer kërmat e tyre janë të panumurt në botë”.

Por le të mos kujtohet se Mamonait i shërbejnë vetëm të pasurit e pamëshirshëm dhe të pandërgjegjshëm, të cilët me zëmerashpërsinë e tyre, shkaktojnë përmbysjen e rregullave dhe të bazave morale të botës, dhe vetëm këta kontribuojnë në shuminë e dëshpërimit të përgjithshëm dhe se nga pasojat e tyre , gjithë ata që padrejtësohen dhe spekullohen, menjëherë priren në idera të gabuara, tue mejtuar si e si të përmbysin dhe të transformojnë bazat e përjetshme të botës me përdhunë, gjë të cilën kurrë s`na e dikton fjala e Krishtit. Shërbëtorë të mamonait, robër të verbër të konsekuencave të kë këtij shërbimi, mund të jenë edhe të vobektët.

Edhe Perëndinë e mallkojnë pse s`u ndihmon të fitojnë shumë të holla.

Punët e njeriut nuk peshohen vetëm nga pikëpamja se ç` gjë prodhojnë, por dhe nga pikëpamja paramejtuese që ka secili për veprim. Vure ndërmend dhe u nise të vrasësh për rrethana të ndryshme, dhe nuk e bërë dot krimin. Mos do të thotë kjo se nuk je kriminel? Përkundrazi, kriminel je dhe duhet të dënohesh prej ligjit. Kur ti je i vobektë dhe përherë përpiqesh të pasurohesh me padrejtësi tue spekulluar mbi njerin e tjetrin, ç` mund të jesh tjetër veç se rob i vjetër i Mamonajt?

Kur ti shikon pasurinë e mbledhur me njëmijë të këqia në duart e pasanikut të pandërgjegjshëm, dhe të mbetet syri aty, kur përpiqesh me mish e me shpirt t`i arrish pozitës së atij që të ka mbetur syri, kur të digjet zemra të vesh pasuri me çfarëdo mjeti dhe mënyre, kur natë e ditë brihesh me fatin tënd dhe shpesh fshan e mallkon Zotin e jetës sate pse s`të ndihmon të fitosh flori shumë, kur ti, them, çirresh e ulërin për skamjen tënde dhe të gjitha detyrat e tua më kryesore si Shqipëtar dhe I krishterë, nga ky shkak i lë mënjanë dhe në çdo mbithirrje (invokacion) që të bëhet ose për çështje arsimore ose për çështje të ndryshme mirëbërësie, qëndron krejt indiferent dhe as mejtohesh pak se santimi i gruas së ve çmohet më shumë dhe se veprat e mira bëhen tue ndihmuar të gjithë sëbashku, të pasur dhe të vobektë, kur ti, megjithë pretendimet që ke, shumë herë përmpleksesh ndër qarqe të dyshimta dhe atje vë tërë kamjent tënde, me qellim që të përfitosh me çdo padrejtësi gjëra që s`mund të fitonje me djersën e ndershme të ballit tënd, ç`mund të quhesh tjetër o i mjerë njeri, veçse shërbëtor i trullosur i mamonajt?

Një herë një njeri punonte pranë një tregtari shumë të pasur, të cilit her pas here i hapte arkën e të hollave dhe i vithte paratë. Këtë punë e bënte me qëllim që të pasurohesh! I shkreti njeri u mundua më kot , se duhej të dinte që çdo gjë e vjedhur është dhe e mallkuar.

Hëngri tërë të rit` e tij në mërgim me këtë mendje dhe s`bëri as më të paktën prokopi. Më së fundi, nga mundimet e gjata e të hidhura të së shkuarës , dhe prej disa këshillave të urta që iu dhanë prej disa njerëzve të ditur dhe mirëdashës, iu kthye mendja dhe, si për mrekulli filloi të shohë fytyrën e Perëndisë, iu fut punës me drejtësi dhe tue derdhur djersë të nderçme, përparoi në punën e vet, i vuri përsëri mbrapsh të vjedhurat, dhe u bë zot me nder.

U bë pasanik, njeri I vlefshëm për vehten, për familjen e vetë, për shoqërinë dhe për atdheun e tij. Të krishtërë! Të pasur qofshi ose të vobektë, me kulturë ose pa kulturë, burra ose gra qofshi, ju rekomandohet që të kini si udhërrëfyes të përhershëm në jetën tuaj, vetëm dhe vetëm fjalën e Ungjillit. Kjo ka qënë dhe është dëshira e Krishtit, dhe do të jetë në jetë të jetës, si e si t`i japë botës njerzore ushqim shpirtëror të përsosur dhe baza jetike më se të sigurta. Në doni paqë të vërtetë, lumturi e kënaqësi shpirtërore të përsosur nga çdo pikpamje, vetëm tue kënduar Ungjillin e Krishtit dhe tue vazhduar pik për pikë me porositë e Tij, mund të përfitoni. Theoria e Krishtit është udha përshtatshme dhe e pagabuar për mbarëvajtjen njerzore.

Kurrë nuk do t`i mungonte gjë botës po tu shkonte pas ideve të Atij që sakrifikoi jetën në Kryq për shpëtimin e saj. Çdo hidhërim dhe fatkeqësi që shihet sot në botën njerzore duhet ta dimë se janë të gjitha pasoja të buruara nga që njerzit i janë dhënë me mish e me shpirt Mamonait; bënë perëndi krijesën e jo Krijuesin . Kanë hyrë thellë në këtë kaos të ndyrë njerzit – dhe sidomos të rinjtë – sa për qefin e tyre të tërbuar, edhe Krishtin duan ta numurojnë me Platonin, Marksin,Leninin, Stalinin, Trockin e të tjerët si këta. Por Krishti ësht gur i triçiptë; cilido pra që përpjek kryet në të, i thyhet; dhe kujtdo që i bie ne krye ia thyen.

Atë Aleks Lipe, Përmet

Share:
Reklama juaj