Home KRYESORE Ambasadorja e re në Greqi, Ardiana Hobdari: Dialog dhe zgjidhje të problemeve

Ambasadorja e re në Greqi, Ardiana Hobdari: Dialog dhe zgjidhje të problemeve

Në kohën kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk janë më të mirat e mundshme, Shqipëria përgatitet të dërgojë në Athinë një tjetër ambasadore.

Kjo ndodh pas përfundimit të mandatit të ambasadorit aktual, Dashnor Dervishi dhe ajo është pikërisht Ardiana Hobdari, e cila ka mbajtur postin e ambasadores së Shqipërisë pranë Këshillit të Europës.

E thirrur në një seancë dëgjimore në Komisionin e Jashtëm, Hobdari theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë tejet të rëndësishme dhe fokusi i punës së saj do të jetë në vijimin e dialogut mes dy shteteve për zgjidhjen e problemeve.

“Tashmë kemi një mekanizëm komunikimi mes dy Ministrive të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe të Greqisë, për trajtimin e të gjitha çështjeve dypalëshe duke synuar gjetjen e zgjidhjeve për to, të ndara në 3 shporta kryesore.

Së pari, çështjet e trashëguara nga e kaluara, me origjinë nga Lufta e Dytë Botërore, zgjidhja e të cilave do të çlironte energji pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve tona.

Së dyti, çështjet e së tashmes, që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë mbi jetën e përditshme të qytetarëve tanë, kryesisht të shqiptarëve që jetojnë në Greqi.

Së treti, çështjet me rëndësi përcaktuese për të ardhmen”, tha Ardiana Hobdari, kandidate për ambasadore të Shqipërisë në Greqi.

Pas raportimit, mbledhja e komisionit është zhvilluar me dyer të mbyllura, ku nga Media u raportua qe deputetët e pranishëm kanë kërkuar informacione lidhur me punën e komisioneve të përbashkëta shqiptaro-greke, kryesisht ato që kanë të bëjnë me çështjet konsullore.

Share: