Home KRYESORE “Der Spiegel”/ Europën e pret një ortek kokaine nga Kosova, Shqipëria dhe...

“Der Spiegel”/ Europën e pret një ortek kokaine nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia

Pas marrëveshjes për paqe në Kolumbi në Europë mund të shtohet sasia e kokainës së kontrabanduar, shkruan revista gjermane «Der Spiegel». Sipas Zyrës Federale të Policisë Kriminalistike të Gjermanisë, në treg po depërtojnë gjithnjë e më shumë grupe nga Ballkani, sidomos nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia.

Procesi paqësor mes qeverisë dhe lëvizjes kryengritëse majtiste FARC në Kolumbi mund të ndikojë në rritjen e ortekut të kokainës në Europë. FARC e ka shfrytëzuar procesin paqësor për t’i zgjeruar arat e mbjella me këtë shkurre tropikale, shkruan revista gjermane «Der Spiegel», citon dialogplus. Sipas një njoftimi të Zyrës së Drogës të OKB-së (UNODC) hapësira e mbjelljes mes viteve 2013 deri 2015 është dyfishuar dhe ka arritur 96 mijë hektarë.

FARC e ka paguar luftën e vet të armatosur me kokainë dhe tani është e interesuar të krijojë rezerva, supozojnë autoritetet e sigurisë. Në kuadër të negociata për paqe qeveria e Kolumbisë kishte hequr dorë nga spërkatja me helm e plantacioneve të kokainës. Rrjedhimisht prodhimi i kokainës ka arritur nivel rekordi.

Në Europë autoritetet kanë shënuar rënie të çmimit të kokainës. Gjithashtu po konfiskohet gjithnjë e më shumë kokainë: vetëm në portin e Antwerpenit vitin e kaluar janë konfiskuar 33,5 tonelata kokainë në vlerë prej 850 milionë euro.

Një aktor kryesor në importimin e kokainës është Ndrangheta nga Italia jugore, por, sipas Zyrës Federale të Policisë Kriminalistike të Gjermanisë, në treg po depërtojnë gjithnjë e më shumë grupe nga Ballkani, sidomos nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia./360grade.al

Share: