Home KRYESORE Hero apo skllav në tregun e Egjinës

Hero apo skllav në tregun e Egjinës

0

Nuk dua asesi të besoj se heronjtë kanë braktisur Republikën. Ata, si Sizifi, mund të duken mendjelehtë, meqë nuk i përfillin perenditë. A nuk kishte bërë disi ngjashëm Fehmi Lladrovci tek qeshte kur pohonte se vdekja për Kosovën i vie si gjakimi i tij jetësor?

Nga Dr Sadri Ramabaja

Prishtinë, 26 dhjetor – Në Republikën e dytë shqiptare, në Kosovë, një tufë banditësh të veshur me pushtet politik, në krye të të cilit janë katapultuar marionetat e shërbimeve të huaja, ka vite që promovojnë pushtetin tipik të autokracive moderne. Viti 2016 po mbyllet me histori të pështira, dëshmi bindëse se ky pushtet ka vrarë çdo ditë, pak e nga pak, shpresën për të ardhmen e Republikës.

Le të risjellim në kujtesë për një çast tendencën për shitjen e një pjese të Atdheut përmes aktit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi; ngritjen e murit në Mitrovicë, si akt i kryer, futjes qoftë edhe për deriçken e prapme, të Asociacionit të Komunave Serbe; vrasjen në formën më makabre të mundshme të veprimtarit Astrit Dehari; aferën e PTK-së, si akti më publik i tradhtisë ekonomike që e shpërfaqi Gjykata e Arbitrazhit; terminalet doganore të bijëve të kryeminsitrit…).

Në këto rrethana, veprimet goditëse të pakontrolluara nga të zhgënjyerit, por edhe nga idealistët e papërmirësueshëm, mund të jenë fare afër; ato duekt se do të shënojnë vetëm prologun e leksionit që kjo bandë do të shtrëngohet ta mësoj – braktisjen e shpresës edhe nga ana e saj.

Brezi i ri tashti pas shtatëmbëdhjetë vjetësh të epokës postkoloniale, nuk i nënshtrohet dot aventurës së arketipit utopik të Platonit; ai nuk e gjen dot rrugën të përfundoj në Siçili, siç kishte vepruar Platoni, për të përfunduar në tregun e skllevërve modern në Gjermani a diku gjetkë në Perendim.

Viti 2017, për rrjedhojë, po troket frikshëm në portat e mbyllura të së ardhmes shqiptare. Ai ka gjasa të verifikoj edhe njëherë maksimën se “idealet janë ideale pikërisht ngase nuk realizohen”. Ndërkaq kur veprimet nga idealistët e pakontrolluar do të godasin kokat e kriimit politik, tek atëherë do të mund të gjykojmë racionalisht, duke vu re se ato ndihmojnë në përmirësimin e realitetit, pikërisht ngase nuk merren si realitet.

Unë nuk dua të besoj se heronjtë kanë braktisur Republikën, se ata tashmë kanë përqafuar logjikën që e bëri Platonin të marrë rrugën e aventurës së tij utopike, largimin nga atdheu, duke u shndërruar në skllav në tregun e Egjinës.
Jo, heronjtë tanë janë këtu, mes nesh, në Prishtinë… ata nuk e brktisin dot Republikën.

Jo më kot, ata mbrujnë në vete grimcat e atomizuara të akteve heroike të tipit të Oso Kukës e Adem Jasharit. Ata, në fakt, janë si Sizifi, që po t’ i besojmë Homerit, na rezultojnë në qeniet më realiste. Ata, ngajshëm si Sizifi, mund të duken mendjelehtë, meqë nuk i përfillin perenditë.

Homeri na tregon se Sizifi kishte lidhur me zinxhire Vdekjen, duke mos e prëfillur fare. Përmes atij akti, në fakt, ai ishte tallur me Vdekjen. A nuk kishte bërë disi ngjashëm Fehmi Lladrovci tek qeshte para kamerave të gazetarit të BBC-së, kur i pohonte se vdekja për Kosovën i vie si gjakimi i tij jetësor?!

Ky tip i herojit tonë rron edhe sot.

A e keni vënë re se si ai përherë i përçmon perenditë, se si çdo ditë ushtron zejen e të urryerit për vdekjen, por njëkohësisht çdo ditë, e dëshmon dashurinë për Repubikën dhe pasionin për jetën.

Ky model i heroit tonë modern tashmë është prezent në botën e mendimit politik të rinisë, që duket se e ka kuptuar mirë nevojën e riorganizimit të jetës shoqrore.

Ky model i heroit tonë modern është prodhimi më autentik I këtij populli, që mrekullueshëm diti të mbijetojë katrahurën më të madhe në fundshekullin e kaluar, duke ruajtur identitetin dhe shpirtin kombëtar. I strukturuar në fuqi politike, to, do t’i gjejnë rrugët e organizimit dhe veprimit autentik, që do të garantojnë çlirimin e Republikës (tashmë peng) dhe të dëshmohet dinjitoz në ristrukturimin e Shtetit konform interesave të tij jetike kombëtare.

Viti 2017 vetëm sa do të dëshmojë se, ky brez i heronjëve urban, do të jetë fuqia e re për rilindjen e Republikës, për funksionalizimin e saj, si garant i ecjes drejt një Shqipërie të re – Federatës Shqiptare.

Share:
Reklama juaj