HYSA

HYSA

0

Nga Agim Xhafka

Eshtë fqinji im. Banon tek shkalla tjetër e pallatit. Por ballkonet tona shohin njëra-tjetrën. Na ndodhte shpesh të dilnim në të njëjtën kohë e përshëndeteshim. Një nga takimet në ballkon mësova se quhej Hysë. Ishte nga njē fshat i Durrësit. Gruan ia thirrnin Mynever, kishte dy çuna në Itali, ishte bërë gjysh e u gëzohej këtyre ditëve,pas 20 vitesh internim në Tepelenë. U vendos në Tiranë në vitin 1991,por u tmerrua kur i iken çunat që ishin 16 e 13 vjeç. Gruaja gati iu çmend. Vetë harrohej pas punës si bojaxhi.

Por vitet iu dhanë të drejtë çunave. U rregulluan në Itali,u martuan,u bënë me nga dy fëmijë sejcili. Hysa doli në pension minimal se nuk kishte vite pune në shtet,e shoqja nuk përfitoi gjë,paçka se në internim nuk mungoi një ditë në arat e kooperativës. Shyqyr fëmijët që u nisnin para çdo muaj e gjallonin buzagaz.

Deri vjet kur Myrvetes iu shpif një sëmundje e rëndë në tru. U dëshpëruan të gjithë. Por çunat nuk u menduan dy herë. E rrëmbyen të ëmën,e hipën në avion e drejt në spital në Bergamo . Hysa me celular në dorë. Çfarë mësonte na e thoshte të gjithëve. E shoqja ia hodhi sëmundjes e po rehabilitohej. Hysa i qeshur që në mëngjes.

-Javën tjetër do më vijë,-më tha.

E po bëhej gati Hysa. Para ca ditësh pashë tek ballkoni i tij nderur mbulesat e divanëve dhe perdeve. I kishte larë që e shoqja ta gjente dritë shtëpinë. Por dje më hypi një merak i madh. Mbulesat rrinin varur tek telat e ballkonit. U bë ditë që nuk i hiqte. Pse?

-Mos i ka ndodhur gjë,-i thashë gruas. Ika shpejt e trokita tek porta e tij. Asnjë zhurmë. I bije cel të tij,dëgjoj zilen brenda shtëpisë. Bërtas e bërtas deri sa më kap paniku e lëshohem me gjithë forcën mbi derën e tij. Hapet krejt e sulem brenda duke bërtitur Hysë,Hysë…

E gjej poshtë një dollapi. E kishte kapur nga gjoksi e poshtë. I nxirë krejt. E çojmë në spital.Për fat isha në kohë,por një brinjë ishte krisur.

-Afër dy ditë isha ashtu,-më tha.-Do vinte Myneveri e doja ta ktheja krevatin nga dritarja. Eshtë një akacie e madhe përballë që na kujton akacien e përqëndrimit kur ishim të dënuar. Atje rrinim mbasditeve,nën gjethet e saj flisnim për të ardhmen se pema është si jeta të sjell gëzim e ëndërra. Por dollapi,si polici i dikurshëm më ra sipër,ma ndali gëzimin.

Hysa qe rinuar. Shëndeti i Myneverit e kishte kthyher pas në kohë. Po rijetonte dashurinë e vet. Sipas moshës,por zemra i qe dorëzuar ritmit të athershëm,rrihte fort e sillte ngazēllim në atë fytyrë të rreshkur,por mbushur me lumturi e hare. Sytë si ketra të ngopur kërcenin plot dritë.

-Mos i trego Myneverit për lajthitjet e mija,-ma kërkoi si i zënë në faj adoleshetësh.

-Quaje sekret mes vëllezërish,-i premtova.

Share:
Reklama juaj

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY