Rrëfimi prekës i babait të 18-vjeçarit që humbi jetën në gropën e...

Rrëfimi prekës i babait të 18-vjeçarit që humbi jetën në gropën e Lungomares

0

Flet për të parën herë pas humbjes së djalit të tij, Renato Panajoti, babai i 18 vjeçarit Kristi Panajoti që gjeti vdekjen në gropën e Lungomares në Vlorë.

Mes lotësh në vendin e aksidentit, ai ka gjetur forcën për të rrëfyer në “Pasdite në Top Channel” se si mori vesh lajmin tragjik të jetës.

“Që nga ajo ditë është hera e parë që vij sot në këtë vend. Atë ditë nuk isha në Vlorë, kam qenë larg më kanë marrë në telefon: “Hajde urgjent se djali është shumë sëmurë është në spital”. Nipi ishte me gjithë djalin, pas tyre makina me shokët e tyre, ishin nisur për një xhiro në darkë. Asgjë tjetër, po bënte shëtitjen e fundit … Më pas më njoftoi nusja: “Eja shpejt, urgjent…” Isha shumë larg, më mbylli telefonin, s’më la kohë as ta pyesja. Në ecje e sipër që nxitoja për të arritur bëj një telefonatë tjetër marr nipin e pyes ça po ndodh. Mendova djali ndonjë sëmundje, s’më shkonte në mendje që djali mund të më vdiste në aksident se edhe vetë jemi një familje që jemi marrë me makinat, unë babai jemi rritur me hekurin me timonin, e kemi në gjak makinën dhe kjo është ajo që më vret më tepër” – rrëfen ai.

Panajoti tregon si e zbuloi tentativat e zyrtarëve të firmës së punimeve të manipulonin ngjarjen përmes nipit të tij.

“Gjatë ngushëllimeve, mbas kurrizit tim bëheshin veprime nga më skandalozet, përshembull, policia, persona të policisë shkuan te nipi dhe i thoshin të masnin pulsin dhe reagimin e tij që të bëhej palë me palën e ndërtimit të Lungomares se këta persona s’janë të vetëm, është gjithë shteti, zinxhiri” – tha babai i viktimës i cili thotë se kur mësoi manipulimet i shkroi kryeministrit Rama ndërsa përgjigjen e ka marrë nga Ministri i Brendshëm.

“Me kryeministrin njihemi prej vitesh, jo personalisht por kemi miqësi të hershme. M’u përgjigj menjëherë. Faleminderit edhe ministrit të Brendshëm. Shumë faleminderit. Ministri më tha: “Renato si e ke hallin?” I tregova, me tha: “Mbylle e të them për 2 minuta”. Pastaj më mori, më tha: “Po ke të drejtë, do merren masat përkatëse e do shkojnë të gjithë në burg, kush ka përgjegjësi. Më ke 24 orë në 24 në dispozicion brenda hapësirës që më lejon detyra e ministrit”. Ministri e çoi në Gjykatë, por prokuroria nuk na shërben ashtu siç duhet të na shërbejë. Prokuroria nuk më ka thirrur. U ndjeva keq kur mora vesh që ai do hetohej në gjendje të lirë. Jo ra kjo provë, jo ajo, e në fund kurbani ngelet kurban dhe mbyllet gjithmonë me viktimën” – tregon ai.

“Mund të kishte vdekur kushdo ndaj them që nuk është vetëm djali im ai që ka humbur jetën, është djali i gjithë shoqërisë. Ky nuk quhet aksident por vrasje, vrasje nga pushtetarët, nga ky shtet që nuk na mbron. Kjo më vret më tepër. Kam marrë vesh siç më kanë thënë miq e shokë që edhe konsulli italian ka qenë gati duke rënë te kjo gropë. Është marrë masa, kishte ardhur një polic. Dikush tjetër më tha që kishte rënë edhe një me motor. Kjo gropë ishte hapur pasdite, vetëm pak orë më pas” – tha Panajoti.

“Mënyra dhe reagimi i përfaqësuesve të firmës më ka revoltuar edhe më tepër. Në mënyrën më njerëzore mund të vinte të thoshte: Unë jam shkaktari dhe mua më takon të shkoj para drejtësisë, drejtësia të bëjë të vetën e ti nga ana shpirtërore të më falësh. Edhe njerëz jemi, unë s’kam gjë me të po jo të bëjë ai allishverishe siç dërgoi atë që t’i thoshte nipit tim. Kjo më vret më shumë akoma. Pas kësaj kërkoi të më takojë një Fatmir Merkaj, por tani nuk ka më vlerë. Kjo më vret më tepër.

Ministri i Transporteve duhet të japë dorëheqjen, kur shteti vret qytetarin e vet… As kryetari i bashkisë nuk erdhi te ngushëllimi, se ai është i pari. Asnjë lloj përgjegjësie. U mjaftuan që morën e futën brenda një punëtor që merr 10 mijë lekë”.

Ai e mbyll me një deklaratë të rëndë se do të bëjë vetëgjyqësi nëse drejtësia nuk dënon përgjegjësit e ngjarjes.

“Po. E kam thënë dhe e them… Në rast se ky shtet dhe kjo drejtësi që nuk është drejtësi, nuk funksionon… Unë nuk kam shpresa fare po i lutem zotit pas reagimit se unë nuk e le me kaq” – thotë Panajoti./lapsi.al

Share:
Reklama juaj

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY