Home KRYESORE Zëra të heshtur : fëmijë në periferitë e Tiranës!

Zëra të heshtur : fëmijë në periferitë e Tiranës!

0

Nga Erion Gjatolli

Xhesi, Sabiani dhe Erisa jetojnë me prindërit në Paskuqan, në një shtëpi të papërfunduar, aspak të rehatshme, madje të rrezikshme. “I kam parë fëmijët disa herë, po nuk para dalin nga shtëpia”, thotë Liliana, pronarja e një lokali ku ndaloj rrugës për në shtëpinë e tyre.

Kam biseduar më parë në telefon me Besnikun, babain e fëmijëve, që më pret pas një ore në shtëpi. Nuk dua të shkoj më shpejt e ta nxitoj të kthehet, aq më pak të mbërrij përpara tij.

“Derën e shtëpisë sime e ke të hapur”, më ka thënë Besniku, por ai duhet të jetë gjithmonë atje, për të mirëpritur miqtë e për t’u kujdesur për familjen. Sipas Besnikut, ky nuk është vend për gra e për fëmijë.

Jeta në rrëthinat e Tiranës

foto-41-jpgBesniku dhe Sanija erdhën nga një fshat i vogël i Dibrës dymbëdhjetë vjet më parë. Gjetën një zonë të varfër, kaotike, pa infrastrukturë. U vendosën në shtëpinë e disa “miqve të miqve” të emigruar në Greqi. Derisa të kthehen, shtëpia është e tyrja për të banuar, për t’u kujdesur e për ta ruajtur. Përballë kanë lumin, një fushë dhe më tej disa kapanone industriale. Kanë shumë pak sende në shtëpi, si për të sajuar mobiljet. Shishe plastike në korridor, një bufe boshe që mbahet mbi disa gurë, një tabelë në formë ylli vendosur në mur që unë këmbëngul ta ndezim. Një pjesë e llambave ende punojnë dhe bëjnë pak dritë që duket sikur mund të mbushë sado pak boshkllëkun, të mbulojë sado keq mjerimin. Ndonjëherë shikimi kërkon të ndalet tek detajet që të shmangë të përgjithshmen.

Besniku ulet në dysheme që të më lërë mua një kolltuk të vjetër por më të rehatshëm. Ndërkohë që dredh cigaret njëra pas tjetrës tregon papushim gjithë jetën e tij. Që kur ka ardhur në Paskuqan, Besniku mbledh shishe plastike nëTiranë për t’i shitur në fund të ditës. Fiton 80 Lekëpër kile. Tregon se del dy herë në ditë, në orën 4 të mëngjesit dhe sërish në pasdite. Por kjo është punë në të zezë dhe së fundmi masat ndëshkuese po bëhen gjithnjë e më të rënda. “Ka raste që policia na konfiskon gjithë ngarkesën. Na ikën dita kot, por po t’iu lutemi na lënë të mbajmë karrocat. Ç’do të bëhet me dymijë familjet që mbajnë frymën me këtë punë” pyet Besniku, “si do t’i ushqej fëmijët e mi”?

Fëmijë që nuk flasin

foto-12-jpgNdërsa bisedojmë, Xhesi, Sabiani dhe Erisa kanë hyrë në dhomë në heshtje, të tërhequr nga rrëfimi i babait dhe prania e një të huaji në shtëpi. Xhesi është më e madhja, gjashtëmëdhjetë vjeçe, gjithmonë e buzëqeshur. Sabiani është më serioz, vetëm dymbëdhjetë vjeç por me hije prej burri. Ndërsa Erisën, nëntë vjeçe, nuk e mban vendi. “Kur fillon të flasë s’di të pushojë,” thonë Sanija, por sot nuk do të fillojë. Për çdo pyetje kanëvetëm buzëqeshje të druajtura si përgjigje. “Nuk dinë si të sillen, nuk dalin kurrë nga shtëpia,” thotë Sanija.

Fëmijët janë vetëm sepse të afërmit i kanë shumë larg, ndërsa komshinjtë këtu nuk duhet të mbahen pranë. Një familje e shpërngulur e ka të vështirë të krijojë besim tek tjetri: traditat janë të ndryshme, kushtet e jetesës të vështira dhe izolimi është mënyra më e thjeshtë, sado e dëmshme, për t’u mbrojtur. “Nuk kemi të njëjtat vlera, të njëjtat parime,” thotë Besniku për të justifikuar sjelljen mbrojtëse ndaj familjes dhe grave të shtëpisë. “Nuk merremi vesh kur flasim,” shton Sanija, duke thjeshtëzuar mosbesimin e zakonshëm krahinor në një vështirësi më të tejkalueshme gjuhësore.Përkatësitë krahinore dhe mosbesimi fitojnë çdo ditë ndaj arsyes, ndërsa gjeografitë mendore janë më të vështira për t’u tejkaluar se hapësirat fizike.

Nuk shkojnë në shkollë

foto-2Nga oborri i shtëpisë duket shkolla e mesme, as pesëdhjetë metra larg. Pak mëtutje ështe edhe një shkollë nëntëvjeçare. Por këta fëmijënuk kanë qenë asnjë ditë në shkollë, nuk dinëas të shkruajnë e as të lexojnë. Sabiani dhe Erisa kanë lindur në Tiranë, por janë ende të regjistruar në Dibër. Asnjë shkollë në Tiranë nuk i pranon. “Dalin e shohin shkollën nga oborri,” thote Sanija, “ndonjëherë imitojnë ushtrimet që bëjnë nxënësit në orën e fizkulturës”.

Ndërsa Besniku tregon certifikatën familjare të marrë në Dibër, kur dy vjet më parë përpiqej të ndryshonte banimin. Do t’u jepte mundësinë të përfitonin mbështetje për fëmijët, akses në edukim dhe shëndetësi. Prapa shtëpisë ndodhet edhe një poliklinikë. Pyes nëse fëmijët mund të vizitohen apo të marrin mjekim edhe pse nuk janë të regjistruar në Tiranë. “Nuk kanë pasur nevojë as doktor, as për ilaçe, i ka ruajtur Zoti,” thekson Sanija.

“Gjatë fushatës më premtuan se do të më ndihmonin me procedurat në gjendjen civile, por s’u bë gjë,” thotë Besniku. Kushdo që mund t’i ketë premtuar regjistrimin në Tiranë do të ketë humbur interes për votën e tij. Familje më të mëdha, me më shumë votues, do të kenë pasur përparësi. Edhe këtë herë, fëmijët mund të presin.

E drejta e arsimimit

foto-8-jpgKontakti i parë mes fëmijëve dhe sistemit mbrojtës të shtetit duhet të realizohet përmes Njësive të Mbrojtes së Fëmijëve, aktualisht nën varësi të bashkive dhe komunave, që kanë detyrë të monitorojnë situatën e fëmijëve dhe familjeve në rrezik, të identifikojnë rastet më urgjente dhe të bashkërendojnë punën dhe ndërhyrjen e palëve të përfshira.

Por këto Njësi nuk janë lehtësisht të aksesueshme për fëmijët që nuk jetojnë pranë, madje vendndodhja e tyre nuk është gjithmonë e njohur. Ato nuk kanë standardet e nevojshme cilësore dhe financiare për të arritur rezultate konkrete ndërsa personeli pa trajnimin dhe përvojën e mjaftueshme mbështetet rëndom në gjykimin personale, e shpeshherë të papërshtatshëm.

Për organizatat që punojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe për Koalicionin e organizatave Bashkë për Kujdesin Tërësor të Fëmijëve, Shqipëria ka politika të mira, por që nuk zbatohen nga institucionet lokale. Sipas Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijëve (2016), një mjet krahasues i politikave që mat sistemin aktual për mbrojtjen e fëmijëve të një vendi kundrejt një sërë treguesish të përbashkët, Shqipëria renditet e fundit nga nëntë vende të Rajonit sa i përkët shërbimeve.

Kështu, organizatat jo qeveritare dhe Koalicioni i tyre këmbëngulin për një menaxhim më efektiv të rasteve nga Njësitë Vendore, që në këtë rast, në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës, duhej të kishin ndërhyrë për të regjistruar fëmijët në shkollë. Ata mund të përfitonin nga programi “Shansi i dytë” qëparashikon kurrikula të veçanta për fëmijëqënuk e kanë ndjekur shkollën prej fillimit dhe bën të mundur integrimin e tyre me bashkëmoshatarët.

Për fëmijët, aksesi në arsim dhe mësimdhënia cilësore janë të drejta themelore. Arsimi është një mjet kyç për të mposhtur varfërinë dhe ndryshuar shoqërinë.

Për vitin 2012, INSTAT-i raportoi braktisje shkollore në nivelin 1.05%, ndërsa sipas Ministrisë së Arsimit, braktisja në arsimin fillor dhe të mesëm për vitin 2014-2015 ka qenë 0.57%. Por sipas Unicef Shqipëri, statistikat kombëtare fshehin disa pabarazi dhe pasaktësi. Ndërsa Censusi i fundit i vitit 2011 tregon se 614 fëmijë në Tiranë, në grup-moshën 10-14 vjeç, nuk kane qenë asnjëherë në shkollë. Arsyet kryesore të braktisjes së arsimit janë varfëria, izolimi, paaftësitë apo identiti etnik.

Zëra të padëgjuar

foto-9“Kudo që shkojmë, mbetemi në fund të botës,” thotë Besniku duke treguar fushën përpara shtëpisë. “Fëmijët kërkojnë të shkojnë në shkollë, po ne as kaq nuk ua sigurojmë dot. Edhe po t’i regjistrojmë, me çfarë t’i blejmë librat dhe rrobat? Po t’i çojmë kështu do do t’i tallin fëmijët e tjerë”, shton Sanija.

Shumë shpesh, fëmijët e periferive, të rritur në familje të varfëra, përjashtohen edhe nga vetë nxënësit, harrohen nga mësuesit në bankat e fundit të klasës. Detyrimisht familjet vendosin t’i heqin nga shkolla, nëse edukimi i tyre nuk ka dobi por vetëm shpenzime.

Deri tani, Xhesi, Sabiani dhe Erisa kanë folur vetëm me prindërit e tyre, nuk kanë pasur zë jashtë shtëpisë dhe kërkesat e tyre deri tani kanë mbetur të padëgjuara. Zërat ua hesht varfëria në të cilën jetojnë, por ua mbyt edhepërpjekja e prindërve për t’u dhënë një jetë më të mirë pa ditur gjithmonë ç’është më e mira për ta.

“Ata menduan se plumbat do të na heshtnin. Por dështuan. Më pas, prej heshtjes, u ngritën mijëra zëra,” tha Malala Yousafzai në fjalimin e paharrueshëm në Kombet e Bashkuara. Për këta fëmijë në Paskuqan plumbat janë varfëria, izolimi dhe mungesa e vëmendjes. Ata kanë nevojë për arsim që t’i kalojnë këto pengesa dhe kanë nevojë për kushte më të mira ekonomike për t’u arsimuar.

Si të dalim nga ky rreth vicioz? Kjo është pyetja që duket sikur na drejtojnë fëmijët nga heshtje e tyre. Investimi në arsimim duket përgjigjja e vetme.

Share:
Reklama juaj