Home KRYESORE Zheji: Rama çon Mirelën në San Petersburg dhe i shkel syrin Moskës?

Zheji: Rama çon Mirelën në San Petersburg dhe i shkel syrin Moskës?

0

Nga Artur Zheji

Marrëzia duket se po del nga korniza e llogjikës së gjërave në Shqipëri. Ndërkohë që kryeministri bëri një deklaratë të pafajshme dhe në dukje rastësore, në lidhje me një takim të mundshëm me presidentin rus, Vladimir Putin, ministrja Mirela Kumbaro, shkëlqente në Forumin kulturor në San Petersburg.

Mbas ftohjes së pritshme me Washingtonin e Donald Trumpit dhe me Berlinin e Merkelit, kryeministrit shqiptar i është krijuar iluzioni se mund të bëjë “lojën e madhe gjeopolitike” me dy porta, me variantin Lindje-Perëndim.

Pra një gjallërim të befasishëm me Moskën dhe Rusinë, si mjet presioni për Perëndimin, që nuk ka dhe dukshëm nuk do të ketë më, atë qasje përkëdhelëse për Ramën. Jo për shkak të tyre por për shkak të lajmeve realisht jo të mira që vijnë nga Shqipëria dhe që nuk mund të mbulohen me shoshën e fjalëve të bukura, entuziaste dhe plot ngjyra të kryeministrit.

Tani, me sa duket nëpërmjet “misionit kulturor” të Kumbaros, që në dukje nuk asgjë të keqe dhe po të ishte një vizitë në rrethana të tjera, nuk do të binte fare në sy, por do të ishte një vizitë krejt normale, Rama ka lëshuar kështu sinjalin e dytë drejt Moskës.

Por në thelb, nëse kryeministri ynë, zhytur në halle të brendshme politike, pra halle shtëpiake të ngërçeve të qeverisjes, ka zgjedhur të lëvizë në mënyrë kaq konfuze në politikën e jashtëme, ky është një problem i madh për Shqipërinë e vogël.

Mbas acarimit “patriotik” me Greqinë, mbas flluckës berlineze, mbas pasigurisë së përhershme që i shkakton aleanca me Metën, mbas humbjes së kandidaturës së Hillary Clinton, mbas gjallërimit të ambasadorit amerikan Lu për çështjen e Drogës në Shqipëri, e pra, pas ngushtimit të dukshëm të tabanit mbështetës ku ai ka manovruar deri sot, eksperimenti rus dhe moskovit, duket krejt jashtë llogjikës gjeopolitike shqiptare.

Nëse Rama, përjeton në mënyrë reale, perceptimin e rremë se mundet të tremëbë Brukselin, Berlinin apo Washingtonin, përmes një vizite në Moskë dhe një vëllazërimi të improvizuar me Vladimir Putin, këtu “Marrëzia Gjeopolitike” është veçse në fillimet e saj.

Dhe është një marrëzi me kaq pasoja të thekshme, jo thjesht për karierën e Ramës, që është thjesht një problem i Ramës, por për të gjithë shqiptarët, saqë ngre një problem të madh dhe përligj një testim mendor, fillimisht të këshilltarëve të kryeministrit dhe fill më pas, të vetë atij.

Por le të shpresojmë se është një teprim mediatik dhe është më shumë një hamëndje e lajthitur e analistëve, që kanë ankth për impulset artistike dhe emocionale që mund të përshkojnë shpirtin e eksituar krijues të kryeministrit dhe se, me kthimin e Mirelës me një shoping të këndshëm në San Petersburg dhe mos përsëritjen e deklaratave putiniste të Ramës, ky debat të mbyllet me kaq.

Dhe shkelja e syrit të kryeministrit shqiptar, ndaj Moskës së bukur, të baballarëve socialistë dhe jo vetëm, të jetë thjesht një trill nostalgjik i “balalajkave dhe kakalinkave” magjepsëse të fëmijërisë.

Share:
Reklama juaj