Home KRYESORE Helikopterët e Kodhelit si taksi për kamerat e pushtetit!

Helikopterët e Kodhelit si taksi për kamerat e pushtetit!

0

Nga Azem Parllaku

Teksa i gjithë vendi është mbërthyer në darën e acarit, Qeveria nëpërmjet medias së kontrolluar prej saj, vijon të bëjë propogandë. Siç ndodh rëndom në të tilla situata, edhe Ministria e Mbrojtjes, lëshohet në garë për të fituar edhe ajo pikët justifikuese.

Ministrja Kodheli virtualisht shpërndan fotot e një fadrome të cilës i ka mbaruar karburanti, sapo ka lënë Vaun e Dejës në drejtim të Pukës. Një paradoks ky, kur e mendon sesi mund të hapet rruga e mbuluar nga bora me kovën e fadromës. Sakaq, Forcat e Armatosura kanë vijuar angazhimin në përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e reshjeve të borës dhe ngricave, e në përgjigje të kërkesave të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, helikopterët e Forcës Ajrore kanë kryer disa fluturime për shpërndarjen e ndihmave në zonat e izoluara.

Një helikopter “Cougar” i Forcës Ajrore ka shpërndarë pako me ndihma ushqimore dhe batanije për banorët e fshatrave Arrën dhe Kalis në Kukës. Menjëherë pas kryerjes së këtij fluturimi, Kodheli tha se “Helikopterët e Forcës Ajrore janë në gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo emergjence dhe vijojnë bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile për shpërndarjen e ndihmave për banorët e zonave të thella.

Gjithashtu, efektivët dhe mjetet e rënda të Forcave të Armatosura mbeten të angazhuara edhe në hapjen e rrugëve rurale që janë ende të bllokuara nga bora.

Mirëpo, direkt nga terreni ka reaguar Bashkia e Kukësit e cila nëpërmjet një njoftimi thekson se; “Pavarësisht kërkesave të Bashkisë Kukës për një numër më të madh ndihmash në paketa ushqimore, sot ka patur dy fluturime me helikopter në Bashkinë Kukës, përkatësisht në Arren me 20 pako ushqimore dhe 9 pako batanije me nga katër copë secila, ndërsa në Kalis vetëm 10 pako ushqimore.

Bashkia Kukës në kërkesën e saj ka përcaktuar 150 pako ushqimore për Kalisin dhe 70 për Arrnin. Theksojmë se në helikopter kishte 10 pako ushqimore dhe dy grupe xhirimi të televizioneve të ndryshme, duke nënkuptuar një fluturim me tepër për show mediatik sesa për të ndihmuar familjet në nevoje në këto zona”.

Share:
Reklama juaj