Home KRYESORE INTERVISTA E PLOTë/ Fevziu: Ju tregoj kur vjen fundi për një televizion

INTERVISTA E PLOTë/ Fevziu: Ju tregoj kur vjen fundi për një televizion

– A keni një KOMENT mbi atë që po ndodh me kolegët tuaj, rasti Shkullaku dhe Lela?

Po me atë që po ndodh me “ABC”, një TV informativ që ka të njëjtin pronar me TV “Klan”?

– B.F. Personalisht jam kundër largimit të gazetarëve, përderisa kjo motivohet me ndryshimin e linjës editoriale. E lexova edhe argumentimin e Çilit, i cili është botuesi im dhe me të cilin për shumë gjëra ndaj opinione të ngjashme. Por besoj se e ka gabim. Nuk ka gazetë apo media në botë që të ndryshojë linjën editoriale më 1 Janar apo çdo 4 vjet. Asnjë të vetme.

Linjat editoriale janë konsoliduar në dhjetra vite dhe lidhen me orientimin ideologjik të këtyre mediave. Unë e di që identifikimi ideologjik nuk është i qartë as tek partitë në Shqipëri, e si pasojë, shpesh orientimi ideologjik zëvendësohet me linjë editoriale pro politikanëve konkretë. Ky është gabim, por kjo nuk zgjidhet duke ndërruar linjën editoriale çdo javë. Media nuk është biznes klasik dhe ky është një keqkuptim i madh. Nuk është një biznesmen që mbledh ca persona dhe me ta bën një gazetë a një tv. Dhe këta nuk janë punëtorët e tij.

Mediat janë projekte kolektive, me interes publik që padyshim financohen nga biznesmenë apo kompani. Personat që përbëjnë këtë projekt janë kryesisht personalitete në fushat dhe profilin e tyre. Kanë opinionet dhe përqasjen e tyre ndaj temave apo fenomeneve. Mediat janë një ansambël dhe funksionojnë vetëm si të tilla. Vite më parë, Tv Klan kishte një bashkëpronar, një ndër biznesmenët më interesantë dhe më me bonsens që kam njohur, i cili ishte peng i një keqkuptimi të madh. Thoshte: “sot e mbajmë linjën kështu dhe nesër e bëjmë ashtu, në bazë të interesit ekonomik që kemi”. E thoshte me aq sinqeritet, sa as nuk qeshje dot. Si pasojë humbi gjithçka kishte në media.

Në fakt, fenomemi i zëvendësmit të gazetarëve me personalitet me persona anonimë dhe që nuk reflektojnë asgjë veç orientimeve që ju jepen, ndodh, por ky është fundi i një medie. Edhe pse fundi nuk vjen përnjëherë, do kohë, ai është i pashmangshëm. Nga gabimi yt përfiton rivali dhe një ditë ti e sheh veten në këmbët e një mali që nuk e ngjit dot me stafin që ke.

Ata që të ndjekin pas janë të mirë për të të argëtuar, por nuk dinë të ndërtojnë një barrikadë mediatike. Ditën që ke nevojë nisen të argetojnë pronarin e rradhës. Ajo është padyshim Banda më e mirë për të shoqëruar në funeralin tënd profesional. Historia e përplasjes midis pronarëve të Klanit në vitet 2003 – 2005 ishte identike. Disa pronarë e shihni median si biznes për përfitim imediat, por kjo nuk ndodhte dot. Përfundimi dihet. Mjafton të studiosh atë për të kuptuar se media kërkon të tjera parametra nga ata që e shohin si biznes dite. Dhe mbijeton dhe ka sukses vetëm nëse zbaton këto rregulla. Rikthehem sërish tek Shkullaku dhe Lela.

Shkullaku ndërtoi një media pro opozitës. Unë do preferoja që kjo media të kishte qenë më e ekuilibruar dhe më e paanshme, por padyshim, pozicioni pro opozitar, e nderon gazetarin shumë e shumë më tepër se sa pozicioni pro pushtetit. Ka në këtë vend plot njerëz që i bien burive të pushtetit, le t’i ruajmë ata pak që e fishkëllejnë atë. Por sërish këmbëngul, përpara të dyve, më mirë të mbështesim ata gazetarë që e bëjnë punën e tyre pa tendenca dhe anime.

 – Edhe ju keni qenë pro qeverisë?

– B.F. Unë kam pasur një raport miqësor me Berishën dhe kjo më është faturuar gjithnjë si pro qeveritarizëm. Gazetarët kanë miqësitë dhe bindjet e tyre, por kjo nuk ndërhyn në profesion. Siç kanë edhe përplasjet e tyre me politikën. Unë vetë e kam konsideruar mik Berishën dhe e quaj të rëndësishme miqësinë me të. Kjo nuk më ka ndërhyrë në punë. Në gjithë ato vite, Berisha është pyetur në emisionin tim më fort se kudo tjetër.

Për të kontrolluar raportin tonë me profesionalizmin, një vit më parë bëmë një provë. Ritransmetuam emisionin e 21 Janarit 2011 pas 5 vitesh. S’pati asnjë njeri që të gjente qoftë edhe një cedim profesional në atë emision. Shiheni, është në Yutube. Siç janë edhe emisionet me Berishën. Nëse emisioni do ishte bërë pro njërit apo tjetrit, do kishte mbaruar, nuk do vijonte 20 vjet. E dyta, emisioni im, nuk është agresiv dhe kërkon ballancë. Ai kërkon respektimin e palëve dhe suksesi i tij është këtu. Unë jam i dënuar të kem raporte me të gjithë, me ata që i dua dhe ata që nuk i dua. Me ata që më vlerësojnë apo ata që më shajnë. Pjesa personale s’ka asnjë rëndësi.

 – Ke pasur miqësi me Berishën, po a ke edhe me Ramën tani? Ose me kë ke pasur tjetër nga Kryeministrat?

– B.F. Me Berishën kam pasur miqësi, me Ramën nuk kam miqësi. Kam një marrëdhënie shumë korrekte, por nuk e kam dhe as më ka mik. Raporte kam pasur me gjithë Presidentët a Kryeministrat e këtij vendi. Me disa jam ndjerë shumë mirë, me disa jam i zhgënjyer, po kjo s’ka asnjë rëndësi. Në emision ata kanë qenë të ftuar dhe i janë nështruar rregullave të tij.

Sot mund të qëllosh të takohesh me njerëz, të drekosh a të darkosh me shumë prej tyre. Këta nuk janë miq. Këto janë raporte korrekte pune dhe PR. Miqtë nuk janë në tavolinë, miq janë ata që të vijnë në mend momentin e parë që ke një vështirësi dhe telefonit të të cilëve ju bie kur ke nevojë. Pastaj kur je i fuqishëm ke shumë miq. Bilanci i miqësisë bëhet kur të tjerët nuk kanë nevojë për ty.

 – A ka dorë Rama në largimin e dy gazetarëve?

– B.F. Personalisht, që të jem i sinqertë nuk besoj se Rama ka dorë në largimin e dy gazetarëve. Kam folur me Endri Fugën që mbulon PR dhe që është ndër personat më korrektë të kësaj mazhorance dhe ai ma ka mohuar këtë gjë. Por kjo ka pak rëndësi, largimi dy gazetarëve kritikë me qeverinë, për ndryshim të linjës editoriale, është kosto vetëm e Qeverisë dhe përgjegjësi e saj.

 – Një pyetje që do të doja një përgjigje maksimalisht të sinqerte. A është Blendi Fevziu nën presion për temat dhe të ftuarit në emisionin “Opinion”?

A ndjeheni edhe ju i shantazhuar pas asaj që ndodhi me kolegun Shkullaku në “ABC”?

– B.F. Jo nuk jam as nën presion, as i shantazhuar. Dhe nuk kam qenë kurrë. Kam punuar gjithnjë me bindjen time në Klan dhe për çdo dështim apo gjë që s’ka shkuar mirë, përgjegjës jam vetëm unë. Nuk kam pasur as presione politike. Nëse doni t’ju them të vërtetën, ndihem i lënduar. Ka ditë që kam një ndjesi keqardhje. Ndjesinë e prishjes së diçkaje. Duhet të dini një gjë. Unë, por besoj edhe disa kolegë të mi, kemi qëndruar gjatë në Klan jo thjeshtë për pagesa, jo për rrogën. Ne kemi besuar tek një filozofi mediatike. Në vite kam pasur oferta shumë më të larta se sa pagesa që merrja në Klan. Vite më parë refuzova një kontratë 5 vjeçare që më paguante sa do merrja në Klan për 12 vjet dhe pagesa ishte paradhënie.

Në Klan kemi qenë më shumë miq se sa kolegë. Unë vetë kam qëndruar sepse kam një afërsi emocionale me Klanin e miqtë e mi aty dhe për një hapësirë lirie. Nëse këto të dyja prishen, ose qoftë edhe njëra, vijimi s’ka më vlerë. Ti mund të punosh, por je thjeshtë një robot. Unë këtë s’do ta bëja. Bota është e madhe dhe ka mundësi për të gjithë. Në jetë ndahen njerëz që janë dashur me vite, e jo më njerëz që kanë punuar me vite.

 -“Opinion” është institucion me vete, emisioni i parë politik në Shqipëri, emisioni që ka kaluar çdo faktor politik të rëndësishëm kombëtar dhe ndërkombëtar, emisioni që është bërë edhe nismëtar i shumë zhvillimeve politike, por që prej kohesh më së shumti trajton çështje sociale me argumentin se politika nuk tërheq më. Ju zoti Fevziu nuk jeni në konkurrencë audience me “Big Brother”, me telenovelat, me këngëtaret e Çanit e as me gjyqet e Enit, ju jeni profilizuar si themeluesi i debatit politik në ekranet shqiptare. Pse po i ikni audiencës suaj fanatike? A po ju trysnon Frangaj të konvertoheni në një gazetar audience larg profilit tuaj, qofte edhe për arsye të sponsorëve? A ndjeheni i zënë në lak nga interesi i Edi Ramës për të mos bërë debate politike? Po nga interesi i pronarit te TV-se suaj për të qenë mirë me kryeministrin?

 – B.F. Kjo pyetje kërkon një intervistë të gjatë më vete. Jam gati të vij t’jua shpjegoj edhe në studion tuaj. Po tentoj ta përmbledh me pak fjalë. Nuk kam thënë që nuk ka audiencë politika, por nuk kanë më audiencë debatet shterpë PD – PS. Të hënën, debati mbi trenin serb në Kosovë ka arritur kulme audience. Por politika është në një moment delikat që duhet ta reflektojë. Debatet shterpë dhe procedurial kanë shumë pak ndjekje.

Po ju marrë një shembull. Një javë më parë trajtova katër tema: rrugët dhe bllokuara nga dëbora dhe motin; Epideminë e gripit; Fenomenin e instagramit dhe në fund një debat kryesisht politik për mediat on line. Ky i fundit kishte audiencën e dytë më të ulët që kur ne e masim. Më i pari ishte ai për motin dhe i dyti ai për gripin. Të dyja nuk janë tema sociale, por stikt politike. Politika duhet t’ju përqaset atyre që janë interes direkt i njerëzve. Shpesh kur në studio dëgjoj recitimet mes PD dhe PS mendoj se përse një njeri në shtëpi duhet të ndalojë telekomandën tek ky emision kur nuk kupton asgjë. Së fundmi emisioni ka shkuar drejt ngjarjes së ditës, çfarëdo qoftë ajo.

Ka shumë më tepër ndjekje dhe vëmendje por është shumë më i vështirë dhe më i lodhshëm. Debatet politike nuk kanë ndalur. Edhe sot kam një të tillë. edhe të enjten kisha, por me sa duket janë aq të zbehtë, as ju as i kujtoni dhe ju duket sikur mungojnë. Po, debatet e vërtetë të fortë që mbani mend ju, kanë ikur bashkë me debatuesit e vërtetë. Tani ka figurantë që recitojnë tezat që ju jep PR i partisë. Për figurantë ka vende plot, mund të recitojnë ku të duan.

 – A ka një ndryshim të linjës editoriale të Tv Klan pro qeverisë?

– B.F. Ka një moment të tensionuar në raportin mes Aleksandër Frangajt dhe Lulzim Bashës. Të paktën me aq sa di unë. Ky tension solli edhe largimin e Shkullakut. Bëhet fjalë për një përplasje më të hershme që ka kulmuar me debatin për liçensën e ABC News që PD nuk e votoi. Por nuk dua të hyj në këtë debat sepse nuk është një debat që sqarohet në një intervistë. Le të flasin vetë protagonistët.

Nuk besoj dhe shpresoj që ky raport nuk do transferohet në një problem mes PD dhe Klanit. Përtej kësaj unë besoj se ka edhe një tentativë për t’i dhënë më shumë peshë kësaj teze mbi ndryshimin e politikës editoriale. Por nuk është krejt ashtu. Kush është Tv Klan? Ku shihet ky ndryshim? “Opinion” ruan po atë raport që ka pasur, madje jua them me siguri që opozita gjithnjë është më e favorizuar.

Pa e cënuar etikën profesionale, e kam bërë me bindje këtë gjë sepse kjo opozitë është në ditët e saj më të vështira. Nuk ka thuajse asnjë lloj pushteti lokal, thuajse asnjë media të madhe krejt pro saj dhe shumë pak hapësirë politike. Nuk po i hyj e kujt është përgjegjësia, por po them se cili është realiteti. Shihni se sa hapësirë ka pasur Kryetari i PD në raport me Kryeministrin në opinion në 3 vitet e fundit. Emisioni “Stop” vijon të jetë përditë kritik. “Zonë e Lirë” e Arian Çanit nuk mund të thuash që është pro qeverisë. Emisionet e tjera s’kanë përqasje politike.

Ndaj them se ky është një ansambël personash që i bëjnë mirë emisionet e tyre sepse kjo është jeta dhe karriera e tyre. Shpresoj që nuk do ketë ndryshim dhe është në dinjitetin tonë që Klan të ruajë po atë vijë editoriale që ka pasur. Për hir të së vërtetës deri tani, presion unë nuk kam ndjerë.

– Prej disa muajsh tashmë, qysh se në studion tuaj kryeministri Rama i quajti mediat “kazan”, mediat shqiptare janë vënë dukshëm nën sulm. Sulme nga politika, sulme edhe nga vetë biznesi që deri tani ka mbështetur median. A ndjehet ky tension në mjedisin gazetaresk?

 – B.F. Mjedisi mediatik dhe sidomos ai informativ po ndryshon rrënjësisht dhe unë këtë shoh tensionin më të madh. Nuk është një ndryshim që shihet vetëm në Shqipëri, madje Shqipëria reflekton më vonë se të tjerët. Sot monopoli mediatik po thuhet, por edhe besueshmëria e lajmit dhe si pasojë influenca e tij po kompromentohet nga lajmet e pavërteta. Shihni debatin amerikan. Por Shqipëria mediatike ka probleme të tjera që janë më shqetësuese dhe më të thella se sa ky ndryshim.

– A janë të pasur gazetarët shqiptarë? A ekziston ajo që quhet nga Henri Çili pakica e patricëve të medias?

– B.F. Nuk i kam parë rrogat e gazetarëve dhe as e di sa paguhen. Me siguri ka gazetarë të pasur, siç ka që mezi shtynë ditët e muajit me atë rrogë. Këtë nuk besoj ta ketë thënë Çili se Çili është liberal dhe në favor të iniciativës së lirë. Nëse dikush paguhet shtrenjtë kjo ndodh sepse ai të duhet. Unë nuk di njeri që paguan shtrenjtë sepse kështu i pëlqen. Kjo është ekonomi e mirëfilltë tregu. Por, dhe këtu Pori bëhet i madh, tregu i reklamave në Shqipëri është ende kaotik.

– A është keqpërdorur media në Shqipëri nga personazhe që kanë shfrytëzuar pozicionin e gazetarit për të dizenjuar për veten e tyre një karrierë në politikë, tok me përfitimet përkatëse?

 – B.F. sa të duash. Më shumicë madje.

 – Kur themi “gazetar i pavarur” në Shqipëri, kemi parasysh pavarësinë nga ndikimet politike, apo pavarësinë nga interesat e pronarëve që shpesh janë thjesht biznesmenë të gatshëm të shiten tek pushteti politik që u siguron atyre fitime të reja?

– B.F. Pavarësia nuk lidhet as me politikën dhe as me pronarin. Pavarësia lidhet me respektin tënd ndaj profesionit. Madje do thoja me detyrimin tënd ndaj profesionit. Këtu nuk është faji as i politikës dhe as i pronarëve, por gazetarëve që pranojnë presionin dhe marrin formën që ju kërkojnë ata.

Unë e di që shumica e gazetarëve punojnë për bukën e gojës; e di se si ndihen kur rrogat vonohen; se kanë për të paguar kreditë apo për të ushqyer fëmijët që i presin në shtëpi. E di që ajo rrogë është jeta e tyre dhe buka apo shkollimi i fëmijëve, por askush nuk vdes sot. Ata nuk janë skllevër. Dinjiteti vlen po aq sa buka e fëmijëve dhe nëse dinjitetin e ruan që në fillim, askush nuk të nëpërkëmb në jetë. Dinjiteti nuk ka lidhje me paratë dhe për shumë njerëz është i shtrenjtë. Këtë duhet ta dinë gazetarët, por edhe ata që i paguajnë.

 -Tashmë keni edhe portalin tuaj, “Opinion.al” ndër dy tre më të lexuarit në vend. A ju duket se jeni më i lirë dhe i pavarur në Web se ne emision?

 – B.F. Jo, për mua është njësoj. Por besoj se në përgjithësi, webet janë më të lirë, por edhe më pak të filtruar se sa televizionet. Ky është edhe defekti i tyre. Ka shumë pasaktësi dhe të pavërteta që relativizojnë të vërtetën.

 -Mediat e iniciuara kryesisht nga mazhoranca, kanë nisur një fushatë “informimi” për pagat e larta të gazetarëve. Kjo pas rastit “Peza”. Sa është paga e Blendi Fevziut?

– B.F. E dëgjova këtë. Duhet të them që kur dikujt i thua që je personi më i paguar i fushës tënde, duhet të ndihet krenar. Po nuk e di sa e vërtetë është kjo sepse nuk i di rrogat e të tjerëve. Di që paguhem aq sa kam rënë dakort me Tv dhe që rroga ime mbulohet krejtësisht nga sponsorët e emisionit. Ndërkohë rroga dhe të gjitha të ardhurat e mia figurojnë në tatime sepse çdo cent që unë marr nga puna ime e marr përmes bankës. Kam dëgjuar që janë përmendur shifra fantastike. Do bëja ç’është e mundur dhe do punoja më shumë që të arrija në ato nivele, por kam frikë se në këtë treg mediatik kjo është e pamundur.

– Nëse një ditë do të duhej të mos merreshe më me “Opinion”-in, në çfarë veprimtarie do ta shikoje veten?

 – B. F.  Ka kohë që kam vendosur që Opinionin, ose prezencën time mediatike, ta ndaloj atë ditë që s’do kem më pasionin për ta bërë punën që bëj. Ose atë ditë që do cenojë lirinë time personale. Në atë perceptim që unë kam për lirinë. Shpesh liria është më e rëndësishme se shumë gjëra të tjera. Unë nuk besoj se njerëzit e zot humbasin një herë e mirë. Ca gjëra ulen ca të tjera ngrihen, por nevoja për të qenë i lirë është e përhershme. Edhe pse për fat të keq, ata që ta kufizojnë atë, nuk është se e kuptojnë përmasën e saj. Për momentin shkoj ende me shumë pasion në punë dhe ndihem i lirë. Përveç kësaj kam një staf të mrekullueshëm. Nuk janë vartës në Opinion, por pjesë e tij.

 – Po ditën që një nga këto të dyja do mbaronte, liria apo pasioni, me se do merreshe?

– B. F. Që kur jam ulur për të shkruajtur prozën time të parë, jam magjepsur nga fuqia e fjalës. Kam besuar se e ardhmja ime do ishte e lidhur me fjalën edhe në ditë e kohë shumë më të errta. Është vonë ta ndërroj këtë pasion. Është dhe do mbetet pasioni i jetës sime./Çim Peka Syri.net

Share: