Home KRYESORE Ja çfarë është korrupsioni dhe si shfaqet ai në Shqipëri

Ja çfarë është korrupsioni dhe si shfaqet ai në Shqipëri

Nga Kasem Seferi

Në Shqipëri shumica është më e pakorruptueshme se sa pakica. Është e vështirë të supozohet që një numër i madh individësh do të gjendeshin të gjithë në të njëjtin pasion dhe do të gabonin në të njëjtën kohë.

Problemi i korrupsionit është i lashtë. Haset në përkufizimet e filozofisë politike klasike, duke filluar që nga Aristoteli, te Monteskjë, te Makiaveli, te Rusoi, etj, i përkufizuar, qartësisht, prej secilit si degjenerim i institucioneve publike.

Pra, bastardim i atyre parimeve që janë në themel të një sistemi politik dhe që shpërfaqen nëpërmjet shpërdorimeve të shumta në lëmin e drejtësisë dhe të pushtetit prej individëve përgjegjës në politikë dhe ekonomi.

Më troç: korrupsioni është shfrytëzimi direkt i pushtetit nga çdo zyrtar i zgjedhur dhe/ose i emëruar për të përfituar, privatisht, në mënyrë të paligjshme, në të gjitha nivelet e pushtetit politik, legjislativ; ekzekutiv; gjyqësor; dhe indirekt, në të ashtuquajturin “pushtet i katërt” – në media në këtë të fundit mjerimi ka prekur analistët, ose specialistët për gjithçka.

Kësisoj, më së pari, është korrupsioni politik, ose çdo lloj shkelje që i bëhet besimit që i ka dhënë qytetari zyrtarit të zgjedhur dhe/ose të emëruar, për të ushtruar një detyrë në shërbim të tij; ose, pabesia në lidhje me premtimin që u kanë dhënë qytetarëve zyrtarët e zgjedhur dhe/ose të emëruar se do të zbatojnë vetëm ligjin, rregullat dhe proçedurat në zbatim të tij.

Si në nivel qendror ashtu dhe nivel vendor, korrupsioni në Shqipëri ka pozuar dhe pozon një sfidë serioze për zhvillimin të vendit, sepse ka:

  • minuar demokracinë dhe qeverisjen e mirë duke shpërfillur ose sabotuar proçeset zyrtare;
  • zvogëluar përgjegjshmërinë dhe shtrembëron përfaqësimin në hartimin e politikave;
  • kompromentuar sundimin e ligjit; dhe
  • në administratën publike, k rezultuar në padrejtësinë e sigurimit të shërbimeve.

Pa koment: korrupsioni ka gërryer kapacitetin institucional të qeverisjes pasi:

  • proçedurat nuk janë respektuar;
  • burimet nuk janë shpërndarë në mënyrë transparente; dhe
  • zyrtarët janë shitur (kur kanë ofruar favorizime të padrejta) dhe janë blerë (kur kanë marrë shpërblime, ose dhurata për favorizimet që kanë bërë në mënyrë të padrejtë); gjithashtu
  • ka minuar legjitimitetin e qeverisjes, si dhe vlera të tilla demokratike si besimi dhe toleranca.

Dhe si rezultat të kësaj dukurie, sot, kemi:

  • rritjen e kostos së bizneseve private dhe e kostos së administratës publike;
  • uljen e nivelit të konkurrencës së drejtë në treg;
  • shtrembërimin e zhvillimeve ekonomike në treg;
  • minimin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe konkurueshmërisë së tij në raport me tregjet rajonale dhe globale, që gjithashtu,
  • gjenerimin e shtrembërimeve ekonomike në sektorin publik;
  • uljen e nivelit të përmbushjes së kërkesave të legjislacionit të ndërtimit, të mjedisit;
  • zvogëlimin e cilësisë së infrastrukturës dhe të shërbimeve publike qendrore dhe vendore; si dhe
  • rritjen e presioneve për shpenzime buxhetore, duke bërë të mundur largimin e kapitalit nga vendi.

Kur analizohen shkaqet që e lindin dhe që influencojnë mbi nivelin e korrupsionit, një vend dhe një rol të veçantë dhe mjaft i rëndësishëm i jepet nivelit ekonomik të jetesës, ose sikundër thuhet shpesh në gjuhën e popullit: varfërisë.

Para së gjithash, analiza e shkaqeve që e lindin dhe ajo e faktorëve që influencojnë mbi nivelin e korrupsionit, nuk duhet përqëndruar te perceptimi, por te provat, te dëshmitë dhe te vendimet e pakundërshtueshëm dhe të zbatueshëm të niveleve të ndryshme të pushtetit gjyqësor.

Niveli i korrupsionit favorizohet nga informacioni i pamjaftueshëm për shkak të:

  • mungesës së transparencës nga ana e qeverisë për të gjithë veprimtarinë e saj;
  • mungesës së lirisë së duhur për të siguruar informacionin e nevojshëm mbi legjislacionin;
  • mospërfilljes, ose neglizhencës për ushtrimin e lirisë së fjalës dhe shtypit;
  • praktikave të dobëta kontabile, që përfshijnë mungesën e menaxhimit financiar në kohën e duhur;
  • mungesës së organizmave, mjeteve dhe metodave për matjen e korrupsionit te ata që e pësojnë prej korrupsionit dhe jo te ata që preken prej tij;
  • nivelit të lartë të ekonomisë informale dhe ndikimit të saj mbi zyrtarët e zgjedhur dhe/ose të emëruar në hartimin e politikave fiskale në interes të grupeve të caktuara të interesit.

Kontrolli i pamjaftueshëm mbi veprimet negative të qeverisjes është rezultat i:

  • një demokracie jo të plotë funksionale;
  • pamundësisë së monitorimit të qeverisjes nga shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare;
  • kulturës së pakët të zgjedhësve në lidhje me politikën, veçanërisht, në zgjedhjet mbarëkombëtare, pasi vota e tyre nuk ka shumë peshë;
  • moszbatimit të ligjit, pothuajse, në të gjitha nivelet;
  • nivelit të pamjaftueshëm cilësor dhe të ndërgjegjshëm të profesionit të juristit;
  • nivelit të pamjaftueshëm të pavarësisë të sistemit të drejtësisë;
  • mbrojtjes së pamjaftueshme të kundërshtarëve të qeverisjes;

Mundësi dhe nxitës të korrupsionit janë:

  • veprimet me para në dorë të zyrtarëve të zgjedhur dhe/ose të emëruar;
  • zotërimi dhe veprimet me anë të depozitave në valutë të huaj në banka të huaja, etj;
  • centralizimi i fondeve publike dhe jo decentralizimi i tyre;
  • pamundësia e mbikqyrjes së investimeve të mëdha publike;
  • privatizimi, dhënia me konçension dhe shitja e pronës shtetërore;
  • zyrtarë të paguar në nivele të pamjaftueshme;
  • liçensat për të bërë biznese të veçanta, që inkurajojnë mitmarrjen dhe kushtet për të bërë marrëveshje;
  • qendrimi për një kohë të gjatë në njëjtin vend pune mund të krijojë marrëdhënie brenda dhe jashtë, të cilat ndihmojnë për të fshehur korrupsionin dhe favorizimin (rotacioni i zyrtarëve në pozicione të ndryshme dhe në rrethana të tjera mund të ndihmojë për ta parandaluar këtë faktor);
  • fushatat zgjedhore të kushtueshme me shpenzime që i tejkalojnë burimet normale të financimit politik (ndërveprimi më i vogël me zyrtarët zvogëlon mundësitë për korrupsion).

Mosdënimi i të korruptuarve është shkaku kryesor i korrupsionit.

Pavarësisht trajtimit intensiv në median e shkruar dhe atë elektronike, pavarësisht ligjeve që e dënojnë korrupsionin, pavarësisht bujës në media, verdikti i përbashkët, në thelb, mbetet i pandryshuar.

Korrupsioni mbetet një krim i pandëshkuar për shkak të reagimit të dobët shoqëror që e sfumon ashpërsinë e ndëshkimeve.

Kariera e politikanëve të përfshirë në çështje të korrupsionit nuk është cënuar nga akuza për korrupsion, nga diskretitimi publik dhe nga pasojat e ndëshkimit, pa përmendur faktin e ndikimit të korrupsionit në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave në partitë politike, situatë e njëjtë kjo edhe në mjedisin e shoqatave të biznesit.

Korrupsioni është një krim që edhe pse pranohet nga të gjithë, tolerohet nga njerëzit, ose një veprim i paligjshëm që mbetet i fshehur në masën e këmbimeve ekonomike të zakonshme, duke i shpëtuar në këtë mënyrë çdo damke shoqërore, gjë që fuqizon edhe më shumë amnistinë e tij shoqërore, i cili në rastin më të keq trajtohet thjesht si gabim dhe aspak si një faj i dënueshëm.

Dy janë problemet më të mëdha të korrupsionit:

  • ai i padukshmërisë shoqërore të veprimeve të tij; dhe
  • ai i vullnetit dhe i aftësisë së vërtetë të autoriteteve politike për t’u përfshirë seriozisht në luftën kundër korrupsionit.

Korrupsioni është mënyra më domethënëse për shkelje të ligjit “pa pasur viktima”, ose të paktën pa viktima të drejtpërdrejta dhe shprehimisht të qarta, që do të kishin interes mëse të sigurt për të vepruar, për të kallëzuar dhe për t’i bërë thirrje ndërhyrjes gjyqësore.

Tatimpaguesit, aksionarët, punëmarrësit janë entitete abstrakte dhe të paorganizuara që, në të vërtetë, nuk e gjejnë veten si viktima, edhe pse ndikimi financiar i këtyre veprimeve mbi gjendjen e tyre është i qartë.

Për këtë arsye madhore i takon shtetit të zejë vendin e këtyre aktorëve të dobët dhe në emër të tyre të ndërmarrë veprime parandaluese dhe të luftojë korrupsionin për mbrojtjen e të mirave të përbashkëta.

Marrëveshjet e shumëllojshme në gjirin e aparateve politiko – administrativë shkaktojnë vështirësitë e përherëshme të gjykimit midis interesave kontradiktore dhe ndikimit në rritje të interesave ekonomike mbi funksionet publike.

Shembuj të qartë të praktikave korruptive janë shitja e votës në këmbim të shumave të parasë në dorë, ose shërbimet e ndryshme, nepotizmi, përfitimi i paligjshëm, administrimi i keq, vështirësitë e kontrollit, kundërshtimi për t’iu bindur masave ndëshkuese, favoritizmi (rekrutime, ose kontrata publike në favor të personave të lidhur) duke mos respektuar proçedurat si dhe mungesa e kundërveprimit me anë të reformave efektive.

Format më të dukshme të korrupsionit janë pasurimet vetiake, favoritizmi i njerëzve të afërm, ose i personave të lidhur, përfitimet e paligjshme të fondeve për qëllime zgjedhore, etj; përveç korruptimit të njerëzve ekziston edhe korruptimi i organizatave qofshin ato parti politike që kërkojnë fonde, qofshin administrata që ndryshojnë orientimin e procedurave të tyre, apo qofshin biznese që përdorin korrupsionin për të arritur objektivat e tyre ekonomike.

Në këtë fushë interesat financiare dhe shpërdorimet në ushtrimin e pushtetit shkojnë paralelisht.

Në lidhje me pushtetin e ndikimit, përcaktimi i kufijve ndërmjet një praktike ligjore dhe një praktike shpërdoruese, është i vështirë. Një fjalë e thënë, një telefonatë e bërë mund të kenë një rol vendimtar për marrjen e një vendimi, sepse në raste të tilla nuk lenë gjurmë.

Termi “korrupsion” është viktimë e shumëkuptimësive të gjykimit të përbashkët, sepse është një nocion gjenerues, që përfshin të gjitha format e shpërdorimit të funksionit, qofshin publike ose private; termi “korrupsion” merr një kuptim edhe më të gjërë kur përdoret për përcaktimin (në kufijtë e ligjshmërisë) të qëndrimeve të mbajtura nga autoritetet politike dhe administrative si shpërndarja e privilegjuar e informacionit për poste të caktuara, për projekte të ndryshme, për ujdira fiskale, ndërsa në gjirin e bizneseve mbajtja e dy kontabiliteteve, shmangia fiskale, etj.

Në këto raste, korrupsioni bëhet sinonim i shmangies nga rregullat, pa përcaktuar qartë vetë normën nga ku rrjedh qëndrimi.

Çdo veprim korruptiv nis nga korrupsioni politik, ose shkëmbimi i favoreve që bëhen nga elitat politike, si rezultat i marrëdhënieve të ofertës dhe kërkesës midis elitave politike, administrative dhe aktorëve ekonomiko – financiarë, ose formave të fshehta të këmbimit shoqëror nëpërmjet të cilit mbajtësit e pushtetit politik dhe administrativ e shfrytëzojnë pushtetin e tyre vendim – marrës, ose ndikues, gjatë një mandati, ose për një periudhë të caktuar në detyrë.

Kjo shpjegon arsyen përse natyra e sistemit politiko – administrativ është lehtësuesja e veprimtarive korruptive.

Thelbi i vemendjes shoqërore duhet perqendruar mbi korrupsionin politik, ndërkohë që korrupsioni përmban edhe aktorë privatë në marrëdhëniet ndërmjet bizneseve, objekt ky gjithashtu i një rëndësie shumë të vogël në trajtimin e dukurisë së korrupsionit në shoqërinë shqiptare.

Të gjitha praktikat korruptive janë të pashkëputura nga konfliktet konkurruese dhe nga manovrat që bëhen për të mbajtur tregun nën zotërim. Ofertat korruptuese të funksioneve politike që bazohen mbi lakminë e drejtuesve, janë të pashkëputura nga kërkesat korruptuese të aktorëve ekonomikë.

Korrupsioni është një dukuri dytësore, sepse shkaktohet nga parakushte ekonomike. Në qoftë se stabiliteti ekonomik dhe formimi i institucioneve nuk arrijnë fundin e tyre logjik, ata të dy bashkë bëhen shkak për korrupsion.

Vendosja e institucionit të pronës private dhe kufizimi i korrupsionit (pasi parimisht është i pamundur eleminimi i tij), domosdoshmërisht, kërkojnë legalizimin e rezultateve të para të akumulimit të kapitalit, me qëllim që ta lejojnë atë të veprojë në interes të publikut, pa harruar të ndëshkojë të gjithë shkelësit e ligjit.

Mungesa e stabilitetit makroekonomik, mosmbledhja e të ardhurave fiskale të parashikuara krijon mundësinë e të fituarit “shpejt” të parasë së pistë. Shpenzimet në kushtet e një buxheti të pamjaftueshëm (me defiçit të konsiderueshëm) orientohen në ato sektorë që premtojnë rryshfetet më të mëdha.

Përqendrimi i pushtetit mund të çojë në një korrupsion më të madh politik për shkak të statusit të pushtetit monopol të burokratëve dhe siç mund të merret me mend do të ishte i vështirë të eleminohej pasi burokratët do të prireshin të mbronin “rentën” e tyre, gjë që çon në një nivel më të ulët besimi dhe kështu ngadalëson edhe më tej rritjen ekonomike.

Prandaj, përqendrimi i pushtetit duhet shpërndarë ndërmjet institucioneve demokratike për t’ia prerë shanset grupeve rentë – kërkuese me anë të mjeteve të liberalizimit të tregut dhe politikave të lira tregtare, përndryshe niveli i lartë i korrupsionit dhe mungesa e besimit te qeveria do të ndikojë negativisht nivelin e besimit te qytetarët.

Prania e korrupsionit në qeveri është dëshmi e pakundërshtueshme se pjesa më e madhe e politikanëve ndërhyjnë për të rritur pasurinë, ose për të çuar përpara karierën e tyre dhe aspak për të korigjuar dështimet e tregut si çmimet e larta të telefonisë celulare, ngritjen e çmimit të energjisë, bukës, tarifat e larta bankare, etj, duke vërtetuar se ndërhyrja e tyre nuk bëhet për të mbledhur informacionin e domosdoshëm që të çon në marrjen e vendimeve të arsyeshme si dhe për të vënë në jetë të politikat e miratuara.

Në mënyrë të veçantë, korrupsioni tregon shenjat e keqfunksionimit institucional, që zakonisht lulëzon në një mjedis me rregulla të shumta (siç është rasti i rregullave të shumat për vendim – marrjen e dhënies së koncensioneve, të tenderave, etj), në një mjedis ku maturia e pushtetarëve mbizotëron në veprimtarinë ekonomike dhe ku qeveria cakton burimet e pakta (shpenzimet për investime publike).

Për më tepër ndodhitë e korrupsionit lidhen gjithashtu me gjasat e mbylljes së çështjeve dhe/ose ndëshkimit të të akuzuarve.

Shtrembërimi i operimit në tregjet e lira, shtypja e rritjes ekonomike dhe rritja në mënyrë regresive e vështirësisë për të varfërit janë tregues se korrupsioni i qeverisë dekurajon krijimin e bizneseve të reja legjitime private.

Shtrembërimet ekonomike dhe kontrollet administrative, veçanërisht, ato që përfshijnë maturi të lartë të tilla si lëshimi i liçensave, lejeve, kuotave, konçensioneve, dokumentave të doganave dhe përjashtimeve tatimore duhen eleminuar dhe/ose thjeshtëzuar.

Pavarësisht se shumë prej tyre kanë justifikime të forta shoqërore dhe për këtë arsye thuhet se nuk mund të eleminohen dhe/ose thjeshtëzohen, një dukuri e tillë nuk ka lejuar zvogëlimin e maturisë burokratike dhe qëndrimeve arbitrare të administratës publike.

Miliardë lekë për vitet që pasojnë do të japë qeveria përsa i përket “bashkëpunimit” publik – privat në lidhje me konçensionet, praktikë e dështuar në shumicën e rasteve dhe “sukses” shqiptar në detin e korrupsionit. “Të marrsha të ligat unë” – thotë një shprehje popullore.

*Kasem Seferi – ekonomist

 

Share: