Home KRYESORE Jeta…!

Jeta…!

Nga Adela Kolea

Jeta, jep e merr me ne
e ne, po ashtu me të :
Na dhuron orë, na dhuron ditë
sa të dojë e si t’i dojë,
e po ajo, na bën numërimin mbrapsht
të çasteve tona, të frymës sonë.
Ne nga ana jonë,
mburremi se në jetë mundemi
të bëjmë ç’të duam, kujt, me kë e si të duam.

Mburremi se jemi të tillë apo këtillë,
mbahemi se themi gjëra të vyera
por, pas një qosheje, qëndron gjithnjë dikush
i ndryshëm nga ne, si në të mirë, apo në të keq,
kjo vjen, për fat të mirë apo jo të mirë
e di ajo, jeta..

Mburremi se plani apo projekti
kësaj rradhe do të jetë ky apo ai,
mburremi për vepra,
që ende s’kanë filluar
e janë prej nesh menjëherë të lëvduara.

Jeta, na jep mundësinë të ëndërrojmë,
ah , këtë e kemi të shenjtë, nuk na e prek
por, nuk na mëson ndoshta, që një ëndrre,
nuk duhet t’i “ shqitesh”,
ama , nga ana tjetër edhe të
mos ligësohemi me veten
e aq më pak me të tjerët,
nëse ndonjëherë, midis ëndrrës sonë
dhe realizimit të saj, kalon papritur
ndonjë det apo oqean, që deri një ditë më parë
planet gjeografike ëndërruese, nuk i përmbanin..

Ah, jeta , shpesh, si i dukemi ne asaj ?
Si një foshnjë e porsalindur në krevatin e saj,
të rehatshem, të zbukuruar , me shumë ngjyra
me peluches e aksesorë,
ku, nuk mungon një lodër me muzikë mbi krye të krevatit.

Kjo lodër me muzikë është jeta, me muzikën e saj, të kompozuar
për secilin për ne, të planifikuar për secilin për ne,
e si një foshnjë që i gëzohet muzikës e notave të ëmbla mbi
kokën e shtratit të vet, ne presim kompozimin që na përket për
koncertin tonë, duke bërë të pamundurën për t’i shtuar
ndonjë tonalitet sa më të bukur apo për t’i fshirë ndonjërin që sipas
veshit tonë, ndonëse “të vegjël” para eksperiencës e vendimeve të saj, të vetë Jetës,
vërejmë që stonon.

Share: