Home HISTORIA IME Letër Albit, 6-vjeçarit që sot nuk jeton më!

Letër Albit, 6-vjeçarit që sot nuk jeton më!

0

Nga Albert Vataj

Lamtumirë Albi,

Lamtumirë ti krijesë e pafajshme, ti zemër që u fike kaq papritur për të ndezur në mua një tjetër zjarr të përbindshëm të urrejtjes me çdo gjë që ka vendosur të ketë fatin tim dhe të shumë e shumë të të tjerëve, siç kishte tëndin, atë fat tragjik që të mori për të të hedhur në prehrin e vdekjes. Jeta ishte padrejtë me ty, mjekët u treguan të pakujdesshëm, fati mbeti mizor në përpjekjen për të ndryshuar diçka në orët fatale.

Albi Zela me babain KorabinAlbi, unë që po të shkruaj, nuk jam si gjithë ato shpirtra që ka lënduar ikja jote. Unë jam nga ato zemra që ka thyer kjo ikje. Unë jam nga ato dhimbje që kafshon pambarim kjo lamtumirë e dlirë dhe hyjnore.

Unë isha në dasmën e prindërve të tu. Isha nga të parët që mora vesh kur erdhe në jetë, por nga të shumtët isha kur t’i zgjodhe të ikësh. Unë isha miku i ngushtë i babait tuaj. Sa herë komunikoja me të, i ngazëllyer më tregonte “bëmat” tuaja fëminore. Më tregoi shumë herë gjithçka për ty, por nuk e di pse nguroi të më thoshte se ti ike. Ndoshta ngase një pjesë e tij kishte marrë së bashku me ty rrugën pa kthim. Por gjithsesi unë e mora vesh, ndoshta nuk më treguan gjithçka tënden në këtë ikje, por mësova aq sa të më thyhej zemra.

Albi, ende nuk e di nëse vendose ti, vendosi Ai, apo vendosën ato që kanë bërë betimin e Hipokratit… të ikje, të zgjidhje më mirë krahët e engjëllit në rrugën e pambarimtë, se sa krahët e një ëndërrimtari në një botë që të vetmen gjë që ka mësuar tu japë të gjallëve të tij është tu vrasë ëndrrat.

Albi, engjëll i ditës sime ëndërrvrasëse, ti ke ikur tashmë, ndoshta jo dhe aq me dëshirën tënde se sa me të drejtën që kjo botë i’a lejon shumëkujt të vendos mbi fatin tonë.

Sot ndërsa babai yt më tregon vetëm lotët që njomin kujtimet që le pas, unë marr leje të të përqafoj në këtë mungim, marr leje të të puth në këtë vegim që trishtimi e shpërbën.

Albi Zela ne moshen 1-vjcareTi vendose të ikësh, si fëmijë, pa pyetur nëse kjo ikje do të thyej zemra, do të lëndojë shpirtra, apo do të bëjë me faj dikë. Ti, ikjes ju dhe si një loje të shpenguar fëmijërie, ike duke lënë pak fjalë që kanë mbetur në ajrin e rëndë të asaj dhome spitali.

“Mi hiqni këto gjëra”.

“Mi hiqni se më pengojnë”, the për vigonin e serumit që dot nuk e çove në fund. Ti doje të ishe i lirë në këtë ikje, në këtë fluturim të lirë, në këtë braktisje të trishtë të jetës.

Ti ike, edhe pse pakkush në shtëpinë tënde ende e ka të vështirë ta besojë se kishe vendosur t’i lije, të ikje për të mbetur me ta vetëm nëpërmjet kësaj zemërthyerje, kësaj dhimbje dhe atyre kujtimeve që enden nëpër ajrin e shtëpisë, në pëshpërimën e ullinjve që vigjëlojnë heshtur këtë natyrë morte të këtij dimri zemërak.

Albi, lamtumirë!

Ndoshta ishte më mirë kështu, të ikje nga kjo botë që nuk të meritonte, nga kjo e tashme që ishte e papërgatitur të të jepte të drejtë të ëndërroje, edhe pse ishte e gatshme të vriste edhe ëndrrën tënde si të shumë të tjerëve, siç bëri me jetën tënde tokësore.

Të shkrova këtë letër lamtumire, pa akuzuar dhe pa bërë me faj dikë për gabimin që u bë shkak i ikjes tënde. Në fund të fundit, edhe nëse gjendet fajtori, ti do ta kesh të pamundur të gjesh rrugën e kthimit, rrugën që të risjell tek prindërit tuaj, vëllai yt 2-muajsh, gjyshërit, dajat, xhaxhallarët, shokët dhe lodrat, lodrat që kanë mbetur edhe sot pas tre ditësh po ashti siç i le ti atë ditë kur ike për të mos u kthyer më.

Lamtumirë, Albi!

Share:
Reklama juaj