Home KRYESORE Nikoliç përsërit kërcënimet me luftë, gati të dërgojmë ushtrinë në Kosovë

Nikoliç përsërit kërcënimet me luftë, gati të dërgojmë ushtrinë në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, i cili ka dalë nga takimi me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, për t’i dhënë deklaratë televizionit shtetëror të Serbisë, tha se që në fillim të bisedimeve, Mogherini ka vënë në dukje “bllokadën në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas Nikoliqit, Mogherini ka vënë theksin mbi “detyrimet e papërmbushura të Prishtinës dhe në problemet e serbëve”.

“Kemi folur për atë që ka ndodhur në veri të ‘Kosovës dhe Metohisë’, kur një tren me mbishkrime, të cilat ne mendojmë se mund t’i vëmë, sepse ai është territori ynë dhe ashtu shkruan në Kushtetutën tonë – që askush nuk na e ka hequr as zyrtarisht, as jozyrtarisht – është bërë subjekt i shkatërrimit nga ana e disa njësive speciale të Kosovës, të cilat nuk është dashur të gjenden aty”, tha Nikoliç.

Sipas tij, “Beogradi kurrë nuk ka folur me kërcënime, me armë dhe me polici, kur shqiptarët kanë promovuar jo vetëm pavarësinë e Kosovës, por edhe Shqipërinë e madhe”.

“Të gjithë e kanë atë që mbajnë në zemër. E dimë se politikanët shqiptarë kanë në zemër pavarësinë e Kosovës dhe unë nuk kam asgjë kundër. Ne duam të jemi autoritet në ‘Kosovë e Metohi’; e dimë se kjo është e pamundur derisa ky territor është nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara”, tha Nikoliç.

Ai sërish e ka përmendur dërgimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

“Nuk kam thënë se do ta dërgojë ushtrinë nëse do të ketë incidente, por vetëm nëse vriten serbët. Me të gjitha mjetet do t’i mbrojmë nëse fillojnë të vrasin njerëz në Kosovë. Shqiptarët kanë kërcënuar, çka do të ndodhte sokur të fillonin të gjuanin dhe të vrisnin. Unë nuk do të mund të qëndroja i qetë dhe të shikoja. Unë nuk e di a ekziston ndonjë serb që nuk do të shkonte në luftë nëse është e nevojshme”, ka thënë Nikoliç.

Udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe Serbisë takohen sonte në Bruksel, me ftesë të Mogherinit. Takimi është thirrur si një përpjekje e BE-së për t’i ulur tensionet midis dy palëve.

Më 14 janar, Kosova ka ndaluar një tren të nisur nga Beogradi, të hyjë në territorin e saj. Treni, me mbishrimin “Kosova është Serbi” dhe me simbole kishtare mesjetare, është parë si provokim në Prishtinë.

Një ditë pas ndalimit të trenit, Nikoliç ka thënë se ky veprim i Kosovës ka treguar se ajo dëshiron luftë me Beogradin./dita.al

Share: