Home KRYESORE Një rend i ri botëror, ndryshime nga diplomacia tradicionale në ekonomike

Një rend i ri botëror, ndryshime nga diplomacia tradicionale në ekonomike

Nga Kasem Seferi

Lajmi i ditëve të fundit se Presidenti Trump u ka bërë thirrje diplomatëve të japin vetë dorëheqjen ka lidhje, me sa duket, me një diplomaci ekonomike ndryshe të SHBA. Më saktë, me veprimtaritë zyrtare diplomatike që perqendrohen në raportin import – eksport, investimin vendas dhe të huaj, si dhe pjesëmarrjen në punën e organizatave ndërkombëtare ekonomike.

Roli i vërtetë të diplomacisë ekonomike në marrëdhëniet e ndërsjella ndërkombëtare, metodat e saj të punës, mënyrat, mjetet dhe efektet e arritura me mobilizimin e mundësive të saj varet, kryesisht, nga perceptimi i diplomacisë moderne në përgjithësi, roleve të marrëdhënieve ekonomike të biznesit, tregtisë, financës dhe teknologjisë së informacionit.

Të kuptuarit e pozicionit në këtë çështje dikton zhvillimin korespondues të diplomacisë ekonomike dhe domethënies së saj në strukturën administrative të vendit.

Diplomacia ekonomike shihet si fushë e veçantë e veprimtarisë diplomatike moderne, e lidhur me përdorimin e problemit ekonomik si objekt dhe mjet për t’u përpjekur dhe bashkëpunuar në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Diplomacia ekonomike, ashtu si diplomacia në përgjithësi, është një përbërës i politikës së jashtme, veprimtarisë ndërkombëtare të vendit.

Veprimtaria tregtare ka qenë gjithnjë fushë e rëndësishme e shërbimit diplomatik, ndërkohë që mjetet, metodat dhe qëllimet e saj janë përkufizuar mga momenti aktual i historisë; disa dekada më parë, veçanërisht, pas Luftës së Dytë Botërore, veprimtaria tregtare u konsiderua si veprime të të ashtuquajturës diplomaci politike.

Diplomatët e karierës të cilët punonin në sferën strikte të marrëdhënieve politike të ndërsjella ndërqeveritare, kishin status dhe reputacion më të lartë në krahasim me atashetë tregtarë.

Megjithëatë, në qoftë se shqyrtohet origjina e diplomacisë, zbulohet se ka qenë tregtia stimuli themelor për kalimin e kufijve kombëtarë të atyre kohërave dhe zhvillimi i ndërveprimit ndërmjet vendeve; shembujt historikë konfirmojnë se tregtia e zgjeruar, e rregulluar me kontrata tregtare, ishte e trashëguar në civilizimet e Egjyptit të lashtë dhe Azisë Perëndimore.

Tregtia ndërmjet Botës së Vjetër dhe Botës së Re lulëzoi në sajë të kolonizimit europian të Azisë dhe zbulimeve të brigjeve të mrekullueshme të Amerikës së Jugut.

Asnjëherë më parë nuk ka qenë përmirësimi i marrëdhënieve të ndërsjella tregtare dhe ekonomike ndërmjet vendeve në qendrën e vërtetë të veprimeve diplomatike sa kohët e fundit.

Globalizimi i ditëve të sotme, që është i pranishëm në shumë aspekte, i karakterizuar nga ndërvarësia ekonomike e vendeve nga njëri – tjetri, e bën diplomacinë ekonomike një element shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet e ndërsjella ndërkombëtare.

Në pamje të parë, diplomacia ekonomike sot po rritet në një disiplinë që bashkon të kuptuarit e dinamikave të ndërveprimeve ndërkombëtare në sferat e politikës dhe ekonomisë. Ajo përcakton zhvillimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe ndërvarësinë nga njëri – tjetri.

Kjo rrugëzgjidhje del në pah në marrëdhëniet e ndërsjella dypalëshe dhe shumëpalëshe të vendeve (siç është rasti i gazsjellësve në rajonin e Euroazisë).

Proceset e globalizimit janë shoqëruar me forcimin e konkurrencës ndërkombëtare dhe në këtë fazë kërkojnë me detyrim pjesëmarrje aktive në përparimin e vendit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare në tregun botëror.

Mbështetja e vendit mund të jetë në forma të ndryshme dhe në ditët e sotme kjo shërben si faktori më i rëndësishëm i veprimtarisë së suksesshme të bizneseve vendase dhe vendit si një i tërë dhe ajo që ka rëndësi nuk është zevendësimi i parimeve të menaxhimit të tregut, por rritja e konkurrueshmërisë së bizneseve prodhuese vendase që punojnë në mjedisin e një tregu të ashpër konkurrues.

Konsolidimi i konkurrueshmërisë kombëtare merr me mend një kompleks të masave të ndërlidhura dhe të ndërsjella që plotësojnë njëra – tjetrën në fushën e politikave ekonomike vendase (ndihmë për zhvillimin teknologjik dhe veprimtarinë shpikëse), si dhe në fushën e politikave ekonomike të jashtme (promovimi i eksportit, përmirësimi i afateve për hyrjen në tregjet e huaja, angazhimi i investimeve të huaja dhe teknologjitë).

Prandaj, nga pikëpamja politike dhe ekonomike diplomacia ekonomike merr një vend të veçantë, që formon një mjedis të favorshëm për zgjidhje praktike për rritjen e konkurrueshmërisë.

Në analizë të fundit, diplomacia ekonomike nevojitet të ruajë kushtet e favorshme të bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar që të jetë në gjendje të promovojë dhe të ngrejë nivelin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve të vendit.

Integrimi gradual i vendeve të Europës Juglindore në BE kërkon njohjen e prirjeve të fundit të diplomacisë dhe, veçanërisht, të diplomacisë ekonomike dhe tregtare të SHBA, BE – së, Rusisë, Kinës, Turqisë, etj.

Askush deri tani nuk mund të thotë me siguri se çfarë prirjesh do të ketë ketë diplomacia ekonomike amerikane. Por, një gjë është më e sigurtë se mbi bazën e saj do të rindërtohen marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare.

Nga kjo premise do të duhet të orientohet edhe diplomacia ekonomike e vogë e Shqipërisë. Ndoshta, duhet t’ia fillojë me konkretizime të shpejta të bashkëpunimit ekonomik me Republikën e Kosovës dhe Maqedonisë, ku shtrihet pasuria kombëtare shqiptare.

Një kombinim interesash kombëtare me ato ndërkombëtare është gjithmonë i frutshëm.

Kasem Seferi – ekonomist/Perqasje.com

Share: