Home KRYESORE OSBE-ja “zgjohet” ndaj sorollatjeve socialiste për reformën zgjedhore!

OSBE-ja “zgjohet” ndaj sorollatjeve socialiste për reformën zgjedhore!

Nga Denion Mejdani

Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, z Borchardt, në një intervistë të kohës së fundit deklaroi që është shumë vonë për një reformë reale zgjedhore. Pamvarsisht se nuk mund të diskutohen përfitimet e panumërta të votimit e numërimit elektronik, për të cilat dhe kam shkruar kohë më parë, kur dhe vetë përfaqësues të lartë të Partisë Socialiste dikur në opozitë e kërkonin me ngulm por natyrisht sot si cdo qeveri jo demokratike i tuten e përvidhen si mjet që shmang efektivisht pazarin e vjedhjen e votës. Pamvarsisht se është e aplikuar pothuajse në të gjitha vëndet anëtare pjesë të OSCE sipas ambasadorit në fjalë, fatkeqësisht, është tepër vonë dhe shanset për reformimin e thellë të sistemit tonë zgjedhor tashmë kanë vdekur. Por, me të drejtë, nisur dhe nga afati konkret në praktikën ndërkombëtare, sipas të cilës sistemi e kodi zgjedhor nuk duhet të ndryshohen në periudhën 6-mujore para zgjedhjeve, ai “sugjeroi” thjesht mbylljen e kësaj historie me zgjedhjen e një agjencie të mirë funeralesh për një trajtim sa më “estetik” të “kadavrës zgjedhore”, që në rastin në fjalë është vetë parlamenti ynë; kurse komisionit të reformës zgjedhore thjesht i duhet ta ngjyrosë apo trukojë postmortum kodin ekzistues zgjedhor për ta bërë disi më të pranueshëm në zgjedhjet e radhës…
⁕⁕⁕
U pa qartë në zgjedhjet e pjesshme në Korçë se si strukturat partiake sponsorizonin pjesëmarrje e përkrahje në këmbim të parave të thata. Kanë vazhduar të shpërndahen gati në çdo zgjedhje thasët e miellit në këmbim të votës. Por, pamë dhe dëgjuam, jo për herë të parë, në Dibër, deklarime vëzhguesish për blerje vote me tender të minutës së fundit apo për ndikim e pjesëmarrje të grupimeve kriminale me para të derivuara nga narkotrafiku, shoqëruar dhe me presione intimiduese, deri kërcënuese. Nuk mungoi në media dhe slogani i kryeministrit apo deklarimi jodemokratik i tij se nëse vota nuk do të shkonte për kandidatin rilindas, nuk do të kishte me asnjë mbështetje qendrore, as përkrahje dhe fonde për atë zonë të varfër. U konstatuan edhe shtime vendesh pune e lista te reja për përkrahje sociale pikërisht aty ku nga rilindja vendi punës më parë ofrohej në këmbim të shitjes së trupit. Në këtë kuptim, them se ngjan si një trukim postmortum i “kadavrës zgjedhore”, sugjerimi i z. Borchardt, sipas të cilit theksohet që të forcohen sanksionet për shkelje të ligjit zgjedhor në raste të blerjes, kërcënimit e dhunimit, apo dhe vetë fotografimit të votës në procesin e votimit. Ligji, qoftë i butë apo i fortë, ka ekzistuar edhe në zgjedhjen e kaluara; por, përgjithësisht përpjekjet kanë qenë minimale në zbatimin e tij në këtë plan, aq më pak të parandalonte apo ndëshkonte fenomenet e ndërmarra për shtrembërimin e vullnetit të votuesit.
⁕⁕⁕
Sado duket i drejtë, mjaft perëndimor e demokratik, po i tillë është dhe propozimi i ambasadorit për nevojën e përmirësimit thelbësor të dispozitave mbi mbulimin mediatik të fushatës zgjedhore. Edhe ky rekomandim që vjen sot, është një konstatim i tipit postmortum sepse aktualisht media tradicionale është, praktikisht, e kapur nga ana e pushtetit, duke i minimizuar apo tkurrur tërësisht zërat kundër. Fillimisht u mbyll kanali televiziv Agon. Ai e të tjerë u sulmuan fillimisht në mënyrë “fiskale”, për të trembur kanalet e tjera. Më tej, u hoqën kryeredaktorë, editues të talentuar dhe analistë me peshë e kurajë si Zheji, Lubonja, Bejtja, Lela, Shkullaku, Alita Tota, etj. U bllokuan e censuruan emisione investigative si ai Publicus. Nuk është vështirë të konstatohen dhe të rreshtohen brenda vetë opinion-bërësve argumente të bollshme për një fushate të qëllimshme, stërzgjatur dhe jo demokratike të kryeministrit kundër gazetarëve e mediave kritike. Pikërisht, lëvizje të këtij lloji, të ndeshura më parë në vitet e para të tranzicionit, na kanë shoqëruar këto tre-katër vjet, madje po theksohen dhe intensifikohen përpara zgjedhjeve. Po ashtu, plot argumente e fakte na kanë ekspozuar këta opinionistë e profesionistë të medias, sipas të cilëve atje ku nuk ka funksionuar si duhet “shkopi” ka ecur jo keq edhe “karota”. Flitet jo pak se, kohët e fundit, janë blerë pronarë e aksionerë me prokurime e tendera, me koncesione e leje ndërtimi, me parkingje publike dhe lloj-lloj kioskash, favorizime ligjore në arsim apo fusha të tjera, etj.
⁕⁕⁕
Ndërkohë, portale të sponsorizuara nga qeveria hapen e mbyllen e shtohen si kërpudhat pas shiut. Shihet qartë se disa prej tyre janë të çiftëzuara me median tradicionale tashmë, në shumicën e rasteve, të kapur. Ato kthehen, po ashtu, në një rrezik për informimin publik e manipulimin e opinionit publik, të vetë thelbit të masmedias. Prandaj, edhe opozita duhet ta furnizojë me fakte e dokumente OSBE-në. Madje, OSBE edhe vetë drejtuesi i saj, duhet t’i mbështesin portalet që janë ende në opozitë me qeverinë në shërbim të lirisë, demokracisë, transparencës e të vërtetës. Aq më tepër që gjatë fushatës elektorale, këto portale mund të kompensojnë sado pak mbulimin televiziv me kaseta qeveritare e partiake me lajme të parapërgatitura për arritjet, për premtimet e punën e palodhur mavi anembanë vendit?
⁕⁕⁕
Deri diku pa kuptim tingëllon dhe propozimi për forcimin e sanksioneve ligjore për kriteret gjinore të listave të kandidatëve të partive politike se dhe ne ato raste kur ato ishin në lista dhe ju erdhi radha për të zënë vendin e merituar në parlament ato ose u intimiduan ose iu ofruan vende alternative për t’i mbajtur sërish larg një ndjeshmërie e roli konkret. Për mos të thënë qe ligji duhet te jetë në çdo rast brenda kornizave të normales të së drejtës juridike dhe nuk mund të shpiki absurditete vetëm për të kënaqur realitetin shqiptar. Sidomos është thelbësore rritja e transparencës dhe e bërjes publike të vetë financimit të partive politike, veçanërisht gjatë fushatave elektorale. Por, ama, edhe në këtë rast, duhet të zgjidhen drejt çështje banale të transparencës minimale të pasurive të shumë-fishueshme apo të pamatshme të politik-bërësve tanë, që, në rastin më të dukshëm, tranzitojnë me lehtësi me mbështetje kryetari nga gazetarë në deputetë e më pas veshin petkun e bankierit me lehtësinë e një krimbi mëndafshi që brenda një kohe tepër të shkurtër kthehet në një flutur shumë-ngjyrëshe ku spikasin ngjyrat e ndezura të ylberit…

Share: