Home KRYESORE Politikat tatimore të qeverisë dhe evazioni tatimor

Politikat tatimore të qeverisë dhe evazioni tatimor

Nga Kasem Seferi*

Tatimet janë ajo pjesë e pasurisë/të ardhurave që paguajnë qytetarët dhe bizneset për një Shqipëri që pretendon të jetë shoqëri e qytetëruar dhe pjesë e BE – së.

Por, studimi i historisë së proçesit/politikës së të tatuarit, në shekuj, tregon se proçesi/politika e të tatuarit, në kuptimin e dyanshëm: politikë tatimore, nga njëra anë dhe, përmbushje e kërkesave të politikës tatimore nga tatimpaguesit dhe administrata tatimore, nga ana tjetër, ka qenë dhe mbetet barometri më i besueshëm i çdo rendi shoqëror.

Historianë dhe studjues dëshmojnë se nuk ka asgjë tjetër që të flasë kaq shumë besueshëm për një vend se sa sistemi i tij tatimor.

Nëse pajtohemi me çfarë thuhet më sipër, atëhere, më mirë nga të gjithë, historia e shoqërisë shqiptare, do të mund të vlerësohej nga fakti se cili paguan tatime, përse i paguan ato, si vlerësohen ato, si mblidhen ato dhe …, (për fat të keq) si përdoren të ardhurat e mbledhura nga tatimet.

Me pak fjalë, mund të shprehemi hapur se historia e vërtetë e lirisë njerëzore në Shqipëri, këto vitet e fundit, është e pashkëputur nga historia e politikave dhe administrimit të politikave të të tatuarit.

Vendosja në mënyrë autoritare, veçanërisht, e kësteve të tatimit mbi fitimin, bazuar në gjykimin (maturinë) e qeverisë (administratës tatimore) në fundvitin 2016, tregoi se, haptazi, është shkelur një prej parimeve të pashkruara në legjislacionin tatimor (i nënkuptuar në kapitullin e të drejtave të tatimpaguesve sipas ligjit “Për proçedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”).

Mendje të mençura, që kanë hedhur dritë në historinë e njerëzimit, përfshi këtu historinë e të tatuarit, e kanë bërë të qartë se kanë qenë dhe do të jenë me një dobi fare të vogël për qytetarët/bizneset e çdo vendi ligjet e bërë nga qeveria për të zgjidhur problemet në interes të saj; më saktë gjë që nuk pasur dhe nuk do të kenë sukses.

Në qoftë se ligjet tatimorë janë shumë voluminoze, aq sa nuk mund të lexohen, ose pa shumë lidhje logjike sa nuk mund të kuptohen, ose që i nënshtrohen ndryshimeve të tillë, të vazhdueshëm, sa një qytetar që e di çfarë i kërkon ligji sot, të mos mund të marrë me mend se çfarë do t’i kërkojë ligji tatimor nesër, si mund të bëjë parashikime për biznesin e tij, prej nga ku qeveria pretendon të nxjerrë të ardhura nëpërmjet të tatuarit?

Prandaj, ligji tatimor duhet të përkufizohet si një praktikë për veprim. Por, si mund të jetë një praktikë e tillë një ligj tatimor, që njihet fare pak dhe që, për më shumë, fiksohet edhe më pak nga tatimpaguesit?!

Por, mendjemprehtësia e tatimpaguesve, përsa i përket renditjes së punëve të tyre në lidhje me minimizimin e të paguarit të tatimeve, ka dëshmuar se, kuptimi i vërtetë i linjës në çdo ligj tatimor, është mënyra e qëllimshme që mund të shkojë aq afër tij, aq sa çdo tatimpagues të mundet, por që të mos e kalojë kufirin e ligjit tatimor.

Logjikisht, ky përfundim, rrjedh në këtë mënyrë sepse askush nuk ka ndonjë detyrim qytetar/publik që të paguajë më shumë se sa i kërkon ligji tatimor. Pra, tatimet janë pagesa të detyruara dhe aspak një kontribut vullnetar.

Asnjë qytetar dhe biznes në Shqipëri nuk është ndën detyrimin më të vogël, moral ose ndonjë detyrim tjetër, që t’i organizojë në një mënyrë të tillë marrëdhëniet e tij ligjore për të ardhurat/biznesin e tij (pasurinë e tij) për t‘ia bërë të mundur qeverisë që t’i vejë “lopatën” më të madhe, të mundshme.

Tatimpaguesi/biznesi ka të drejtën e pamohueshme, ndershmërisht, të jetë syçelur për të parandaluar aq shumë sa të jetë e mundur, boshatisjen e pasurisë së tij prej “lopatës” së qeverisë.

Prandaj, çdo tatimpagues/biznes, mund t’i përgatisë punët e tij që tatimet e tij të jenë sa më të vegjël që është e mundur. Nuk mund të kufizohet tatimpaguesi që të zgjedhë atë formë me të cilën ta paguajë më mirë buxhetin e shtetit. Madje, për këtë qëllim nuk ka ndonjë detyrë patriotike për t’ia rritur tatimet tatimpaguesve/bizneseve.

Ende, në Shqipëri, gjykatat nuk kanë thënë se nuk ka asgjë të keqe që qytetarët/bizneset t’i përgatisin punët e tyre në atë mënyrë që të paguajnë sipas ligjit tatimor shumën e parave që nuk prek jetesën e tyre. Të gjithë bëjnë të njëjtën gjë: të pasur dhe të varfër, për arsye se askush nuk ka i borxh ndonjë detyrimi publik për të paguar më shumë se sa kërkon ligji tatimor.

Të kërkosh më shumë në emër të moralit është thjesht hipokrizi. Po fillon fushata zgjedhore. Të shohim se çfarë do të premtohet dhe si do të premtohet. Por, tek e fundit, a do të premtohet se do të mbahen premtimet. Dhe po nuk u mbajtën premtimet a do të ketë dorëheqje?!

Ka ardhur koha t’i thuhet tatimpaguesve se po nuk u mbajtëm premtimet qeveria do të dorëhiqet, ose do të mbahen zgjedhje të reja (le të quhen të parakohshme, sepse nuk do të jenë të tilla kur koha kërkon ndryshime).

Kasem Seferi – ekonomist

Share: