Home KRYESORE Sa racizëm lokalist qe kemi!?

Sa racizëm lokalist qe kemi!?

Nga Capajev Gjokutaj

Fshatar, katundar, malok, provincial, ardhacak, çeçen. Fjalë që shënojnë banorin e zonave rurale ose të ardhurin prej tyre. Pothuajse të gjitha sot kanë marrë ngarkesë negative, dmth shprehin përbuzje.

Një pjesë e qyteteve tona janë fshatra të mëdhenj. Vetëm tani së fundi banorët e qytetit janë bërë më të shumtë se të fshatit. Rrjedhimisht shumica dërmuese jemi me origjinë nga fshati.

Si ta shpjegosh këtë prirje masive për të përbuzur origjinën, të afërmin, kushëririn, gjyshin a prindin, rrënjët tona?

Lidhet mbase me faktin që fshatari prej natyre ka qënë më konservator, kurse prej kushteve social-kulturore më i diskriminuar, rrjedhimisht më i prapambetur.

Lidhet mbase me faktin që valë fshatarësh janë ngulur periodikisht në qytete dhe, dashje pa dashje, kanë rigjallëruar konfliktin universal ‘vendas – të ardhur’.

Lidhet mbase me kulturën tonë të përjashtimit. Popull i varfër. Të mirat materiale e shpirtërore nuk dilnin për të gjithë. Meritokracia ka qenë dhe mbetet e dobët. Ndaj janë aktivizuar pa ndërprerje ndarjet përjashtuese të tipit: zengjin – fukara, partizan – ballist, demokrat – socialist, qytetar – fshatar etj.

Por, thellë-thellë lidhet mbase me problemet serioze në pranimin e tjetrit, të ndryshmit. Ka të ngjarë që, si shoqëri, nuk kemi krijuar antikorpet kundër racizmit. Fjalë e rëndë?

Shënim ynë: Ndoshta mungesa e sensit te Komunitetit dhe bashkëjeteses e shpjegon me shume këtë fenomen?

Share: