Home KRYESORE Shtatë femrat e tmerrshme të poezisë shqipe

Shtatë femrat e tmerrshme të poezisë shqipe

Utopiket e post komunizmit: Nga destinet krijuese që bashkohen rrallë në një vend për t’u identifikuar si kod, si shenjë letrare ku disa prejt tyre kanë kapërcyer edhe kufinjtë e Shqipërisë. Në një përpjekje natyrore për të qenë prezente, dhe për t’u pranuar si stil letrar dhe si një zë që kanë akumuluar sa histori personale, aq dhe të vendit që mbartin në psikë. Këto poete janë: Natasha Lako, Flutura Açka, Mimoza Ahmeti, Lindita Arapi, Rita Petro, Entela Tabaku dhe Ledia Dushi

Përgjatë vitit 2016, nga Mapo letrare janë intervistuar disa poete në siglën e thyerjes së tabuve letrare sa u takon stilit, angazhimit të tyre social dhe perceptimit të shoqërisë sidomos në raportet gjinore, si krijuese femra. Një identifikim intelektual që i ka vënë shpesh përballë kujtesës jo të lehtë për të memorizuar një histori të postkomunizmit. Nga destinet krijuese që bashkohen rrallë në një vend për t’u identifikuar si kod, si shenjë letrare ku disa prej tyre kanë kapërcyer edhe kufinjtë e Shqipërisë. Në një përpjekje natyrore për të qenë prezente, dhe për t’u pranuar si stil letrar dhe si një zë që kanë akumuluar sa histori personale, aq dhe të vendit që mbartin në psiqikë. Këto poete janë: Natasha Lako, Flutura Açka, Mimoza Ahmeti, Lindita Arapi, Rita Petro dhe Ledia Dushi.

Flutura Açka poete, prozatore, botuese ndan jetën mes Holandës dhe Shqipërisë, duke i rezistuar një gjurme letrare jo të lehtë për t’u identifikuar. Një profil letrar kompleks, poete rebele e ankthit, aktive, reflektuese që na rrëfen çfarë ndodh me ekzistencën e njeriut, asaj të gruas të quajtur “poete të tmerrshme”

Ka një ekzistencë, sidomos ajo e mundësisë për të cilën krijimtaria e Açkës i ka përkitur një vrulli që nuk nënkupton as feminizëm, as dobësinë, as rezistencën… Qartas selekton një frymë kundërshtuese, dhe jo pak herë e lëshon ironinë. Konkretisht është një shqetësim, ankth, së cilës Açka i është përgjigjur:

Mbase kjo ka të bëjë me thelbin tim, rebelizmi i natyrës sime, mbase ka gjetur të çarë diku koshienca për të “helmuar” subkoshiencën time. Jo, unë nuk jam shkrimtare feministe, madje kam bezdi nga hove që i ndajnë burrat nga gratë. As dobësi, as rezistencë. Ajo që ju lexoni si kundërshti, është përgjegjshmëri. Mbase është jeta ime që e mbështet këtë përgjegjshmëri, unë nuk kam asnjë varësi nga shoqëria së cilës i përkas, nuk pres  asnjë favor, asnjë shpërblim, asnjë mirënjohje, dhe kjo mbase e ka mprehur sensin tim të përgjegjësisë. Ndoshta në rrethana varësie, edhe mund të kisha qenë më pak kundërshtuese, si shumë kolegë të mi, të cilët janë “politikisht korrekt” dhe që e dinë se sa e rëndësishme është kjo në kohë heqakeqesh shoqërore e periudha kaotike që po kalojmë bashkë me tranzicionin e gjatë. Fundja, kjo është zgjedhje, e imja ka privimet e veta, që kurrsesi nuk është përqarje, por më ka dhënë më shumë lexues. Shkrimtari sot, pra shkrimtari i kohëve të reja, është edhe një qenie mediatike, pra më i ekspozueshëm, për shkak të ritmit dhe mjeteve me të cilat operon shoqëria sot me informacionin. Kjo sigurisht të detyron të përdorësh edhe mjete të tjera ballafaqimi me lexuesin, jo vetëm atë të kuvlisë e studios tënde të rehatshme.

Kjo sjellje ndryshe, reflektohet edhe në sjelljen ndryshe të lexuesit ndaj teje; lexuesi sot është shumë më i ndjeshëm ndaj ligjërimit tënd, edhe atij publik. Çështja është a e di ti si shkrimtar, se ke shenjën e “delegimit të zërit të shoqërisë tënde”, siç thotë Mario Luzzi? Ndaj edhe them se kjo është zgjedhje, dhe çdo zgjedhje, është e drejtë e çdokujt. Ka duar që nuk i druhen zjarrit, ka duar më të zgjuara që zgjedhin mashën për zjarrin, dhe ka duar që as i afrohen fare, e të tjera që veshin doreza dhe preferojnë ta ngrijnë kohën për veten”.  Mimoza Ahmeti, një poete subversive, duke lënë gjurmë në një kulturë meditimi, si gjuha dhe imagjinata kapërcejnë kufinjtë, për ta identifikuar si një poete evropiane.

Librin më të fundit me poezi, Mimoza Ahmeti e ka quajtur “Libri i lumturisë” duke e konsideruar një libër që kërkon botën, imagjinatën, ëndrrën që nuk identifikohet me një qëndrim ideal, besim apo njeri, qoftë kjo edhe dashuria. Ky libër i Ahmetit, në dallim nga dy vëllimet e tjera me poezi “Delirium”, 1994, apo “Pjalmimi..” 2002, i jep rëndësi jetës, si një media transmisioni pafundësie, ku funksioni social i saj është vetëm njeri, por jo gjithçka ku metafizika e kësaj poezie të re, është e lidhur me trendet e reja mendore e sjellje të njeriut të sotëm, në zgjerimin e lirisë së tij nëpërmjet humbjes së identitetit, me rënien e tij metafizike, me humbjen e gjërave më të shtrenjta thotë poetja, me të cilat ai identifikohet.

“Ky proces ndërrimi është shoqëruar me ngritje të reja, të padukshme, të brendshme, të pafolshme, njësoj si lulet e fjetura në kraharore njerëzish. Shoqëria po përpiqet të pranojë vetveten dhe të bëjë vend për veten; ajo gjendet në një pikë daljeje me një mbështetje në të shkuarën dhe me një të ardhme ende të pastrukturuar por që ajo e përpjek dhe e shkel në referencën e saj më të brendshme…”, është përgjigjur Ahmeti. Me këtë poezi Ahmeti jep edhe një kontribut në zhvillimin e shpirtit edhe brenda kulturës sonë, jo vetëm si poezi por edhe si një koncept historik e i lëvizshëm..

Vëllimin e parë me poezi, Ledia Dushi e ka në gegnisht, edhe e gjithë krijimtaria e saj poetike kështu ka rrjedhur. Në gegnisht. Mund të jetë ndër të vetmet autore nga veriu, fanatike e krijimit e shkrimit natyral të dialektit gegë. Ka shkruar vetëm poezi, ka përkthyer, ndërsa ka një perceptim gjenealogjik të poezisë si vijnë raportet me sendet, jetën, vdekjen – pa trysni të gjuhës, me gjurmë të fshehura të nënvetëdijes. Për këtë Ledia përgjigjet: “Unë vetë nuk përplasem. Mendja e njeriut është e lidhur me shqetësimet e tij. Përbëhet prej tyre, drejtohet prej tyre. Sa më i madh e sipërfaqësor shqetësimi, aq me e madhe nxitja për kundërshti.

Të menduarit në një mënyrë të diktuar, cilido qoftë burimi i kësaj mënyre, e drejton njeriun kah vështrimi i dobët. Ideologjia njëdrejtimëshe e një kohe shpresoj, të kaluar, ka diktuar ndër të tjera edhe gjuhën, edhe mënyrën e të shkruarit. Unë kam filluar të shkruaj çdo ditë mbas asaj kohe. Si shumica e atyre që shkruajnë, edhe unë shkruaj e them të vërtetat e mija. E për të vazhduar më tej, kam mjetet e mija të përzgjedhura e të dashura, nëse doni. Gjuha është njëra prej tyre, e dashur por aspak thelbësore. Asgjë nuk është ashtu siç duket, as poezia s`është ajo që duket. Nëse gjuha është mjeti, thelbësor në këtë rast është ajo çka mjeti përcjell, asosacionet, e padallueshmja me sy të lirë, shenjat, simbolet, alegoritë, këto janë “qëllimi”, rruga drejt së vërtetës, “filli i artë”, zanafilla.

Ky është qëllimi që duhet t`i shqetësonte njerëzit që janë të prirur për t`u “shqetësuar”…Pra, polemistat dhe përpjekjet e tyre kanë shkuar kot. Si gjithnjë polemistat nguten ose qëllimisht i fryjnë zjarreve që digjen kot duke nxjerrë kështu jashtë vëmendjes thelbin e sendeve. Ajo çka ishte për t`u “thyer” ishte dhe është mënyra e të menduarit në një mënyrë të diktuar pa asnjë shteg ikjeje…”

Luljeta Lleshanaku që misterin e shpjegon tek gjërat që shihen, e cila në një mënyrë abstraguese ka zbuluar gjatë gjithë krijimtarisë së saj fëmijën e diktaturës, ku rrëfimet vijnë për vendet, diktaturën, gratë “e shenjta”, personazhet historikë, pa ndarë fëmijërinë dhe në një rast të rrallë për dashurinë. “Nuk besoj se fëmijëria ime kishte ndonjë gjë ideale, por risjellja e fëmijërisë të krijon mundësinë për t’u lidhur me vizionin e pastër që kishe atë kohë për botën, ku çdo gjë kishte emrin dhe vendin e vet, një vizion që sa vjen dhe turbullohet rrugës. Por jo se është më e lehtë ta improvizosh botën përmes syve naivë të një fëmije. Nuk e di se si shpjegohet, por thuhet se shkrimtarët meshkuj, janë më të prirur se femrat për idealizimin e fëmijërisë”, është shprehur Lleshanaku.

Ndërsa në librin e saj të fundit, në ciklin e Siçilisë të impresionon me forcën e grave, me atë lloj pushteti disi pasiv mbi jetët e tyre, poezia “Kusht për t’u mbajtur mend” të duket sikur i kundërvihet thelbit të feminizmit…për të cilën Lleshanaku është përgjigjur se: “Ideja është që ne ndoshta gabojmë nganjëherë kur e identifikojmë feminizmin me pushtetin e grave në shoqëri. Nuk e di se çfarë mund të themi për atë grua, e cila me vullnetin e saj, zgjedh të jetë shtëpiake, t’u shërbejë fëmijëve dhe të shoqit, sepse thjesht aty e gjen kënaqësinë. I respektoj shumë ato gra që luftojnë për veten e tyre, për status social, por i respektoj edhe të tjerat, të cilat përpiqen të krijojnë identitetin e tyre me angazhimet e thjeshta të jetës”.

Me një krijimtari intensive në fillim të viteve ’90, duke u renditur në krijueset e para femra të postkomunizmit, Lindita Arapi gjithë arsyen krijuese, po ashtu dhe rebelimin e sheh në brendi, në veten e saj, si domethënie për t’iu përgjigjur ekzistencës, drejt pyetjes: kush jam unë. Përgjigjja janë pesë vëllime poetike, dhe një roman “Vajza me çelës në qafë”, ku përballja me të kaluarën shfaqet në tri brezni grash. Vendosur në këtë gjendje, ja përse shkruan Arapi: “Koha, ky është kushti paraprak. Koha merr një kuptim tjetër me kalimin e viteve, nganjëherë unë e quaj beteja për të fituar sadopak minuta për veten, janë këto minuta për veten që kthehen në minuta të çmuara, kur ke fëmijë për të edukuar e ushqyer, familje për të mbajtur e mirëmbajtur. Ka dy lloj tipologjish poetizuese për femrën që shkruan – ose ajo është intensivja, “e çmendura” që shërohet me fjalë, e papërshtatshme për jetën, sepse e jeton atë në krizë të përhershme, ose ajo është një “Lady” e blatuar, e latuar, e ngritur në fronin letrar sepse ashtu erdhën rrethanat.

Mes këtyre dy profileve ekziston një ushtri e tërë femrash që shkruajnë, luftojnë, sakrifikojnë veten, sakrifikojnë për fëmijët, japin dashuri, marrin dashuri, marrin urrejtje, në këtë ndërkohë japin edhe libra. Disa nga këto vepra të fjalës mund të jenë të lexueshme, disa mahnitëse, disa jo. Është e thjeshtë, puna me fjalën është punë, nganjëherë ke aty pranë “frymën” e krijimit që e ngre lart fjalën, nganjëherë jo. Unë nuk idealizoj”.

Prej më shumë se 30 vjetësh, poete dhe skenariste, Natasha Lako ka rezistuar duke mos ndërprerë shkrimin; një autore që nuk kërkon të vërtetën por thjesht ndjen në një gjendje sociale duke krijuar lirikën e saj. Thyen e para tabutë e socrealizmit, por edhe në fillim të ’90-ës. Libri i parë më ’72-in, dhe i fundit “Kundërpërfytyrimi” i pak ditëve më parë, për të cilin rrallë ndodh që kritika të reagojë në kohë reale duke e konsideruar ngjarje për poezinë bashkëkohore; një libër shqetësues që “nuk sjell hare dhe paqe…”, që e detyron Lakon të thotë:

“tani ka ardhur si duket radha e stoicizmit tim”. Në fakt, qysh prej vitit ’72, Natasha vazhdon të shkruajë poezi tani në një gjendje “kundërpërfytyrimi”, siç ajo e quan vëllimin e fundit me poezi. Në vitin ’90-të kritika  e cilëson se ka thyer tabu. Por edhe në vitet e regjimit komunist. Si e ka mbajtur këtë frymë, përse kjo rezistencë e të shkruarit? Lako përgjigjet: “Më pëlqen kjo pyetje për rezistencën e të shkruarit. Diku kam thënë se shumica e poeteve gra që kam adhuruar, pothuaj janë vetëvrarë.Vetëm kjo mund të dëshmojë se nuk jam e llojit të tyre as nga fati, as nga talenti, as nga vendi ku kam lindur”.

Si poete e gruas, femra e letrave: grua nënë, grua bijë, grua gjyshe, grua motër…e konstruktuar në një “qytet femëror” Lako thotë se “Ka shumë e shumë keqkuptime për botën e femrës deri sot, që reflektohen edhe në qëndrime letrare…Quhet ende guxim i madh ose profilizim i madh i saj kur shkruan për çështje të shtratit, gjëra që fjala vjen letërsia franceze i ka thënë dy shekuj më parë. Të lexosh qënien tënde sot, kur në vend të një pulle poste çdo njeri ka vënë në facebook fytyrën e vet, është gjë e bukur dhe e vërteta edhe më e ndërlikuar, nga e cila nuk del dot. Ka të bëjë me ekzistencën e sotme, sepse njeriu ka gjithnjë nevojë për një adresim, që të dijë dhe të gjejë veten. Mua më ka ndodhur që kromozonet të më bëjnë grua.,.jo vetëm një nga dy llojet kryesore të njerëzve, por si çdo tjetër, edhe të papërsëritshme më”.

Poetja që tronditi gjithë shoqërinë shqiptarë përmes një vëllimi poetik, mbartur vetëm në një fjalë, Rita Filipi duket se ka dhënë përgjigje me vëllimin poetik “Kënga e turmës”, të shoqëruar me skica, dhe imazhe erotike por jo më, me këngë të tilla; raporti mes intimes, erosit dhe një personaliteti krijues të poetes me pretendimin utopik për ndryshimin e shoqërisë…

Identiteti femëror përballë përvojës së saj, e shtyn Petron të thotë se: “…dëgjoj shpesh që poeti i mirë nuk ka gjini, nuk i dallohet gjinia. Nuk jam kundër kësaj pasi një mesazh universal nuk është as femëror dhe as mashkullor. Dhe shumica e poezive të mia janë të tilla. Por unë nuk vuaj as nga kompleksi, që kanë disa poete se mos ngjaj si femër. Unë jam femër dhe truri im do apo nuk do komandon një trup me organe gjenitale femërore. Instinktet e mia më tepër do ngjasojnë me instinktet e një ulkonje apo luaneshe se sa të një ujku apo të një luani. Nga ana tjetër,  ka dhe letërsi të ashtuquajtur femërore, kur tematika është e një natyre të kufizuar dhe i drejtohet në një mënyrë komerciale apo të angazhuar vetëm botës femërore.

Në këtë rast, kemi të bëjmë me një letërsi brenda kornizave. Në poezinë time është individi në përgjithësi (dhe indirekt femra, gruaja ) që përballet me dukuritë e jetës gjatë udhëtimit nga lindja në vdekje. Shumica e këtyre ndjesive dhe eksperiencave janë të njëjta si për botën femërore ashtu dhe për atë mashkullore. Ndaj poezia ime nuk ka tematikë femrën, gruan, problemet e saj; femra gruaja janë boshti rreth të cilit sillet kozmosi”.

Violeta Murati

Fenomeni në rrjetet sociale

Poezia e Entela Sorman Tabaku tashmë është shndërruar në një fenomen në rrjetet sociale, pas këtij ”testi” me lexuesin ajo sjell vëllimin poetik ”Një grusht jete sa me vdekë”, që nuk është i pari, por vjen pas një shkëputjeje prej 16 vjetësh, emigruar në Suedi; Një konstrukt i munguar për shqipen me lirizmin e saj të brishtë, Tabaku sjell një filozofi të sendeve të thjeshta, të cilave u jep frymë, jetë  në një marrëdhënie natyrore që e lë të lirë njeriun të zgjedhë; një raport mes qënies në ekzil dhe poezisë jashtë këtij konteksti. “Njё ndёr ndjenjat mё tё trishtueshme pёr njё emigrant ёshtё kur e kupton se rruga e mёrgimit ёshtё njё rrugё pa kthim. Patjetёr qё mund tё kthehesh, Shqipёria nuk ёshtё nё luftё, por nё momentin kur ikёn nisin paralelisht edhe dy procese tё pakthyeshme. Sё pari ti ndryshon vetё, nuk je mё ajo qё ike. Njё dimension i ri bёhet pjesё e vetes tёnde, unё e quaj dimensioni i dritares. Ёshtё ai dimension qё nё njё moment tё caktuar tё jetёs tёnde tё rritur ta ndalon rrjedhёn normale, tё kthen nё fёmijё qё s’mund tё shprehet siç duhet dhe tё vendos nё dritare si kundruese. Gjatё kёsaj periudhe, qё mund tё zgjasё edhe me vite, derisa integrohesh nё shoqёrinё e re me gjuhёn e vendit, derisa gjen njё punё qё tё pёrshtatet, miq, partner, etj. kundron jetёn pёrreth, veten tёnde, pa mundur tё zbresёsh nё rrugё. Nga dritarja gjithçka ka njё pamje tjetёr. Nuk je ende aty, tek jeta e vёrtetё qё nё tё mirё a nё tё keq shkon pёrpara. Kjo tё ndryshon si njeri, kёrkon shumё forcё karakteri pёr ta pёrjetuar pozitivisht.Kur mё nё fund inkubatori i dritares mbaron, nёse mbaron sepse shumё e kalojnё gjithё jetёn nё dritare, nuk je mё ajo qё ishe mё pёrpara. Kurse procesi i dytё ёshtё ndryshimi i vendit nga ike. Njerёzit, situatat, gjuha, gjithçka ndryshon gjithё kohёn. Kurse pёr ty vendi jot fosilizohet nё atё vend qё ishte kur ti ike. Dhe mendoj se nuk ka rёndёsi nёse shkon shpesh apo rrallё atje. Ky fosilizim ёshtё fenomen i gjithёvlefshёm. Dhe zhgёnjimi ёshtё i pashmangshёm, sepse sa herё kthehesh ti kёrkon atё dashurinё e hershme. Mund tё jetё edhe gёzim, kur vёren se gjёrat pёrmirёsohen, por pa ty ama. Largёsia tё jep edhe njё favor, sepse nga largёsia i sheh mё mirё disa fenomene. Por ne nuk na pёlqen qё njё shqiptar t’i kuptojё mё mirё gjёrat tona, prandaj shumicёs sё emigrantёve u thonё: “eh, ku di ti ç’bёhet kёtu, kollaj tё gjykosh nga larg, erdhёn kёta tё na japin mend, etj”. Dhe ёshtё e vёrtetё, ёshtё kollaj tё gjykosh nga larg, nё tё gjitha kuptimet”/mapo.al

Share: