Home KRYESORE Violinisti Lorenc Radovani Koncert ne Amerike

Violinisti Lorenc Radovani Koncert ne Amerike

Nga Adela KRISTO

Aktiviteti i instrumentistëve shqiptar duket se shtrihet sot në mbarë botën. Funksionimi i rrjeteve sociale dhe faqeve zyrtare të institucioneve të vendeve të ndryshme na mundëson njohjen me aktivitetin koncertor nga njëri kontinent në tjetrin, nga shtete fqinje në Evropë, e deri në Amerikë.

Në shtetin e Colorados, Orkestra Filarmonike e Greeley, e njohur si OPG, në këtë vit të 106 vjetorit të krijimit të saj (1911 – 1917) reklamon koncertin e datës 21 janarit 2017, interpretimin e muzikantëve shqiptarë, të cilësuar në faqen zyrtare të saj shumë të njohur botërisht, violinistit Lorenc Radovani dhe violonçelistit Holgen Gjoni.

Është Koncerti per violinë e violonçel në la minor op 102 i Johannes Brahms, i quajtur Dubël Koncerti, i kompozuar në 1887 që do interpretohet krahas veprave te tjera klasike, e të tjerë kompozitorëve amerikanë të mëvonshëm nga orkestra filarmonike. Krahas repertorit të muzikantëve të tjerë të ftuar nga Anglia e të tjera vende të botës në këtë sezon, koncerti i Brahmsit që do interpretohet nga solistët shqiptarë përbën një vepër me rëndësi në literaturën koncertore , të cilësuar si kryevepër e repertorir koncertor, faqe të ndjera dhe me peshë në curriculumin e çdo muzikanti.

Koncerti i datës 21 janar drejtohet nga dirigjenti Glen Cortese, ndërsa uvertura e Rossinit” Vilhelm Tell” e të tjera vepra të kompozitorëve amerikanë plotësojnë tablonë e një koncerti të veçantë. Përtej koncertit të rradhës, interpretimi me orkestra simfonike si solist përbën dhe shkallën më të lartë të realizmit të veprave të vështira dhe me peshë në aktivitetin koncertor të muzikantëve.

Nëse violonçelisti Holgen Gjoni qëndron e zhvillon aktivitetin koncertor suksesshëm  në Amerikë, violinisti Lorenc Radovani, profesor në Universitetin e Arteve në Tiranë, realizon një aktivitet të pasur koncertor nga Shqipëria, gjë akoma më e vështirë.

Duket se media sot në Shqipëri është fokusuar tek ardhjet e të huajve e sidomos muzikantëve. Koncertet e violinistëve e instrumentistëve që zhvillojnë aktivitetin në Shqipëri e përtej saj , apo janë kthyer në atdhe prej vitesh, meritojnë më shumë vëmendje. Duke u ndalur në këtë pjesë të jetës koncertore në Shqipëri dhe përtej saj, në informacionin që interneti na jep pa kursim, ky koncert i bashkëngjitet aktivitetit të violinistit Radovani, që së fundmi kulmon me dy koncerte të rëndësishme , ai i Mendelssohnit realizuar në qytetin e tij të lindjes Shkodër, dhe këtë që pritet të interpretohet në Greeley të Colorados.

Koncerti i Mendelssohnit i interpretuar me Orkestrën Simfonike të Friuli Venezia Giulia, dirigjentit Giovanni Pacor, u realizua në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, ndërsa faqja zyrtare e kësaj orkestre të njohur, e cilësonte qytetin e Shkodrës dhe Katedralen e madhe për nga kultura dhe historia si një Firenze të Shqipërisë. Koncerti i Mendelhssonit është një nga faqet më të njohura e të bukura të literaturës violinistike, i interpretuar anembanë , pjesë e repertorit koncertor të çdo violinisti, siç është i një rëndësie e peshe të veçantë dhe Dubël Koncerti i Brahmsit.

Nëse do komentonim interpretimin e violinistit vlen ti referohemi citimit të një artikulli për Pjetër Gacin në internet, ku nxënësin e tij Lorenc Radovani ai e cilëson si ” talent shpërthyes”. Në CV e violinistit do gjejmë më pas të tjera koncerte si solist me orkestër simfonike, nga koncertet e Beethoven, Paganini, Brahms, Tre sonatat e Brahms për piano e violinë, sonatat e Beethoven etj, Bottesini për violinë e kontrabas tek vepra shqiptare nga koncerti i Pjetër Gacit tek veprat solo të Shpëtim Kushtës, me orkestrat e Teatrit të Operës dhe Radiotelevizionit Shqiptar etj.

Krahas këtyre e shumë të tjerë koncerteve recitale ndër vite , me veçantinë e orkestrave të njohura e dirigjentëve për nivelin e lartë dhe përfshirjen e solistëve më të mirë nga mbarë bota, aktiviteti i violinistit Lorenc Radovani, përfshin në rolin e spalës së orkestrave simfonike , spalës së orkestrave të harqeve, duove, triove, kuarteteve dhe kuinteteve një pjesë të madhe të aktivitetit koncertor në Shqipëri e përtej saj, në skenat Tiranës, Shkodrës, Fierit, Durrërsit, Elbasanit e shumë qytete të tjera, në formacione të ndryshme e përtej saj në vende fqinje nga Mali i Zi , Kroaci, Kosovë, Itali, Rumani etj, herë si solist e herë në formacione të ndryshme si drejtues.

Shpesh dhe si udhëheqës artistik në aktivitete të muzikës shqiptare e asaj kosovare, në formacione të muzikë së dhomës dhe aktivitete të gjera të orkestrave dhe korit, solistëve këngëtare e orkestrave frymore, violina e Radovanit tingëllon në aktivitetet më të rëndësishme.

I vlerësuar nga kritikët për talentin, virtuozitetin, ndjeshmërinë dhe vibraton intensive duket se përshtatet në role nga më të ndryshmet, nga solist me orkestër simfonike në Amerikë tek formacione të thjeshta përkrah studentëve në një gamë të gjerë repertoresh e stilesh, modest dhe i palodhur.

Në ndihmë të muzikës shqiptare dhe dixhitalizimit të saj një pjesë e veprave të kompozitorëve shqiptarë vijnë sot të dixhitalizuara prej tij duke bërë të mundur kështu interpretimin e mjaft veprave nga orkestra simfonike e RTSH e më gjerë, duke filluar nga krijmtaria e Pjetër Gacit  dhe shumë kompozitorëve të tjerë, krijmtarinë e të cilëve violinisti e ka sjellë në skenë prej vitesh. I  lidhur ngushtë me jetën artistike të Shkodrës, i quajtur si talenti shkodran jep kontribut në jetën artistike dhe më gjerë në përparimin e violinës si instrument./VOAL

Share: