Zbulohet ‘kleçka’ që çoi në lirimin nga burgu të Lulzim Berishës

Zbulohet ‘kleçka’ që çoi në lirimin nga burgu të Lulzim Berishës

0

Hetimi i Prokurorisë ka evidentuar parregullsi në lirimin e Lulzim Berishës, jo vetëm nga burgjet, por edhe nga Gjykata e Durrësit. Ky ishte shkaku pse dosja penale u transferua në Prokurorinë e Tiranës tri ditë më parë, pas një hetimi disajavor në Durrës. Transferimi i dosjes në Tiranë u bë në mënyrë që hetimi të jetë jashtë çdo ndikimi nga ana e gjyqtarëve të Durrësit, që tashmë janë të dyshuar në lidhje me lirimin e Lulzim Berishës në datën 5 dhjetor 2016, raporton Panorama.

Nga dokumentacioni i sekuestruar prej Prokurorisë, ka rezultuar se vitin e fundit, Lulzim Berishës i janë bërë së paku katër ulje dënimi, në dy raste zbritje nga një vit nga dënimi me amnisti dhe në dy raste të tjera me uljen e periudhave 90-ditore. Hetimi i Prokurorisë ka gjetur se dokumentacioni i burgjeve nuk kishte pasqyruar “zërin e uljeve të dënimit me amnisti” për të burgosurin, të cilit nuk duhej t’i njiheshin këto ulje në lirimin me kusht që iu bë më 5 dhjetor 2016.

LIRIMI I LULZIM BERISHËS

Vendimi i datës 5 dhjetor 2016, që liroi nga burgu me kusht Lulzim Berishën, ishte pjesë e një procesi të gjatë padish e kërkesash që avokatët e tij bënë në gjykata. Në një proces të hapur në korrik 2016, për “lirimin me kusht”, gjykata ia pati rrëzuar kërkesën Lulzim Berishës. Në dokumentacionin e këtij procesi, prokuroria ka gjetur shkresa që hedhin dritë mbi rastin.

“Në dosjen gjyqësore të Gjykatës së Apelit Durrës (faqja 299) ndodhet dinamika e vuajtjes së dënimit e datës 02.12.2016, ku pasqyrohet fakti se kërkuesi (Lulzim Berisha) ka vuajtur 18 vite, 9 muaj dhe 8 dite burgim dhe i kanë mbetur për të vuajtur edhe 6 vite, 2 muaj dhe 22 ditë burgim. Ndërkohë, në dinamikën e vuajtjes së dënimit të datës 31.10.2016, e ndodhur në faqen 300 të dosjes së Gjykatës pasqyrohet fakti se ai ka vuajtur 18 vite, 6 muaj e 14 ditë burgim dhe i kanë mbetur për të vuajtur dhe 6 vite, 5 muaj e 16 ditë burgim”, thekson Prokuroria.

Sipas saj, te të dyja këto dinamika, në ndryshim nga dinamikat e dorëzuara në gjykimet e mëparshme, qëllimisht nga IEVP-Durrës nuk janë pasqyruar me zë të veçantë përfitimet që kërkuesi ka përfituar nga amnistia nr. 22/ 2014 që është aplikuar nga vetë Burgu Durrës dhe amnistia e dytë është përfituar nga vendimi nr. 221, datë 11.05.2016, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Sipas burimeve të Prokurorisë, ulja e dënimit e përfituar nga amnistia përjashtohet ligjërisht nga llogaritja e afatit për lirimin me kusht.

GABIMI I BURGJEVE

Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin e datës 05.12.2016 ka vendosur pranimin e kërkesës dhe lirimin me kusht të Lulzim Berishës, duke e vendosur atë në periudhë prove me kusht që për 5 vjet të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakt me Shërbimin e Provës Durrës.

“Nëse nuk do të ishte pasqyruar kjo dinamikë, kërkuesi nuk e plotësonte kushtin që në kërkesë referuar nenit 64 të K.Penal të kishte kryer 3/4 e dënimit me burgim dhe prej gjykatës nuk do të ishte dhënë ky vendim, pasi ai është një kusht i domosdoshëm i kërkuar nga ligjvënësi me qëllim paraqitjen e kësaj kërkese”, bënë me dije burime nga Prokuroria. Dinamika e vuajtjes së dënimit është firmosur nga Teodor Labi dhe drejtori i Burgut Durrës, Astrit Kotaj.

ulja e denimit te lul berishes

Share:
Reklama juaj

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY