Home KRYESORE …dhe fshati qeshet, dhe qeveria tallet

…dhe fshati qeshet, dhe qeveria tallet

Nga Miranda Haxhia

-Historinë më të paparë ma rrëfeu vetë një ish nxënës, aty rreth viteve 2003-2004. Në klasën e pestë, i ardhur nga një shkollë fshati ne Lushnje, ai dinte shkrim e lexim apo matematikë, sa një fëmijë i klasës së parë.

Dëftesat e tij të fillores mbushur me notën 10. Mësuesi i fshatit, i merrte nxënësit gjatë javës, i çonte në arat e tij, punonin, mbillnin, prashitnin, hiqnin barra e këqija, zhvishnin misër. Më të privilegjuarit e nxënësve, ruanin lopën.

Kur vinte puna te shkolla, mësuesi u thoshte: “Rëndësi ka të dish sa bëjnë dy edhe dy” “Po prindërve nuk u keni thënë gjë?” “Kisha frikë, se na thoshte mësuesi, po treguat, do ju ngel në klasë.”

-Qyshkur u ndërtuan kioskat që shisnin byrekë e pica para shkollave, shumë drejtuesve u përshkënditi teoria e biznesit. Kam parë mësues që shisnin në klasë që nga lapsat e stilolapsat, deri te çimçakizat. Para se të fillonte mësimi, mësuesja nxirrte bllokun dhe bënte bilancet, kush ka blerë, kush nuk i ka sjellë paret…

-Një mësues grumbulloi tre herë rresht pare për pompë uji, rubineta, por uji veç në lumin e shkollës nuk rridhte. Ndërsa mësuesi vendosi një depozitë në tarracën e shtëpisë.

-Mësuesit filluan ta bënin të vështirë mësimdhënien. U krijuan kurset për lëndët e vështira. Po të shkosh në kurs, merr klasën, notën, del mirë.

Kjo është shumë në modë sot, sidomos në Fakultetet e Shkencave. Të gjithë studentët i njohin disa tipa të ‘pathyeshëm’ që, nuk ta japin notën për dhjetë vite me radhë, po nuk u shkove në kurse. Një mënyrë moderne për të vjelur paret prej studentëve. Pas metodës së shitjes së librave të tyre, që, falë Zotit, çmimet i kanë sa një pension pleqërie.

-Pastaj, drejtues që filluan të ngjitnin spaletat e partisë dhe u kthyen në gogol për mësuesit. Më kujtohet një rast se si e lajmëruan të linte regjistrin, një mësuese, në fund të muajit prill, sepse kishte mbushur moshën për pension. Pa pikë respekti. Sepse priste një mësuese e re të hynte në klasë.

-Një mike, m’u lut njëherë të shkruaja një CV për nusen e saj, sepse kërkonte punë. Kur më solli të dhënat të shkruara në një copë letër, u lemerisa. Nuk kuptohej asgjë. Nusja kishte mbaruar Universitetin për Ciklin e Ulët. Dhe sot është në punë. Ka bërë sevap shteti që e ka futur në punë. Mëson edhe ajo bashkë me kalamajtë gjuhën shqipe.

…dhe fshati qeshet, dhe qeveria tallet.
m.h.

Share: