Home KRYESORE Ditari i Alida Hiskut që tronditi regjimin komunist

Ditari i Alida Hiskut që tronditi regjimin komunist

0

Historia e dënimit të këngëtares së njohur Alida Hisku. Djesë nga ditari: “Hipëm në tren në orën 5.30 për t’u nisur në skëterrë. Vajtëm në Konispol dhe hëngrëm bukëzezën. Hëngra drekën si menuja e burgut dhe tani e shtrirë mbi këtë qivur të mykur…”.

Në vitet 70 Alida Hisku ishte ndër këngëtaret më të njohura të Shqipërisë. Kishte fituar dy festivale radhazi, të 13 dhe 14, në moshë fare të re. Vinte nga klasa punëtore dhe këngët e saj rinore sillnin freski dhe ishin ndër të paktat gëzime nën diktaturë. Por, befas, në mënyrë të papritur në verën e vitit 1982, këngët e saj u ndërprenë nga transmetimi i përditshëm në Radio Tirana e në Televizionin Shqiptar. Çfarë kishte ndodhur?

Alida Hisku, lindur në 1956, që prej datës 1.10.1970 ishte punëtore në repartin e retush përgatitjes në shtypshkronjën “Mihal Duri” në Tiranë. Atë vit, në dhjetor 1970, kur Alida kishte mbushur 14 vjeçe, këndon për herë të parë në Festivalin e madh të Këngës në Radio. Ajo interpretoi këngën e Agim Krajkës “Portret heroine”. Spikati për zërin e saj të veçantë dhe u fut në listën e këngëtarëve të festivaleve tona. Interpretoi edhe një vit më pas në festivalin e 10 dy këngë, një të Lejla Agollit e një të Ferdiand Dedës. Nuk mori pjesë, fatmirësisht, në Festivalin e 11. U rikthye në të 12 dhe në Festivalin e 13 fiton çmimin e parë me këngën e Enver Shëngjergjit “Vajzat e fshatit tim”. “Me të vërtetë ka qenë një këngë që bëri jehonë. Ka qenë një këngë që më tregoi emrin, më ngriti në piedestalin më të lartë. Ishte një këngë e thjeshtë, një këngë e popullit, një këngë që e këndonte i madh e i vogël. Pikërisht ajo thjeshtësia ishte sekreti i çdo gjëje e edhe i kësaj kënge. Edhe këndimi im ka qenë shumë i thjeshtë sepse atë kohë isha vetëm 16 vjeçe!”.Një vit më pas përsërit suksesin me këngën e Kujtim Laros “Buka e duarve tona”. Janë këngë që u kthyen në hit e që këndoheshin nga i madh e i vogël anembanë vendit. Këndoi 17 këngë në dhjetë festivale, deri në festivalin e 20-të.  Në vitin 1977, kur ajo ishte veçse 21 vjeç Alida Hisku nisi përpjekjet për t’u pranuar në Partinë e Punës.  Organizata e rinisë së stabilimentit “Mihal Duri” mblidhet për të dhënë rekomandimin e saj, duke e vlerësuar se Alida ishte punëtore e mirë në repart, mundohej në nxirrte punën në cilësi të mirë, kursente lëndën e parë, ishte e sjellshme dhe e dashur me shokët e kolektivit, duke gëzuar respektin e tyre, punonte për ngritjen ideopolitike dhe arsimtare. Pas pranimit të rekomandimit organizata bazë kandidates iu dhanë 4 detyra: studimi i sa më shumë materialeve të partisë dhe të konspekte raportin e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut në kongresin e 7 të PPSH-së, të bënte përpjekje për ngritjen e saj ideopolitike, arsimore e profesionale, të mbaronte shkollën e mesme (artistike) si dhe të punonte mirë e të nxirrte nga puna e saj, punë me cilësi të mirë. Pasi kreu stazhin pranë ndërmarrjes ku punonte, Alida ishte përpjekur për të realizuar detyrat që i ishin vënë si kandidate, kishte marrë kategorinë e 4-t si dhe kishte mbaruar shkollën e mesme. Më 31.8.1979 organizata e PPSH-së së vendit të punës, miraton kërkesën e cila mori formën përfundimtare më 5.9.1979 nga Byroja e PPSH-së së shtypshkronjës “Mihal Duri”.

Në vitet 70-të ishte ashpërsuar shumë lufta e klasave dhe sidomos dënimet e artistëve. Duhet të kemi parasysh se në një shoqëri të mbyllur e konservatore si e jona,  lufta e të paaftit me të aftin është dukuri e njohur. Kjo luftë më shumë zhvillohet në forma të fshehta sesa të hapura. I paafti kur ka pozita drejtuese është mjaft i rrezikshëm dhe dëmprurës.  Zilia, smira, egoizmi, hakmarrja, primitivizmi, krahinorizmi, etj, ishin veçori mjaft të njohura e të zhvilluara në shoqërinë komuniste, dukuri që edhe sot nuk janë zhdukur, por për fat të keq, janë zhvilluar nga i njëjti trung ideologjik. Alida Hisku ishte pranuar në parti në moshën 23 vjeçare. Përpara saj ishte një botë në mënyrë gënjyese dukej e sinqertë. Qenia në parti, do të thoshte edhe përgjegjësi. Për të qenë një komunist i mirë, duhej të mbarohej edhe Shkollën e Lartë të Partisë “Vladimir Iliç Lenin”.  Asokohe sapo ishte “zbuluar” grupi i Mehmet Shehut. Alida Hisku zhvilloi praktikën mësimore në Konispol nga data 19.5.1982 deri më 12.6.1982. ajo bënte pjesë në grupin e katërt të vitit të parë të shkollës në fjalë. Praktika shkollore ka rezultuar për Alida Hiskun një “praktikë e gabuar”. Ajo ka udhëtuar gjithë ditën për në Konispol, fillimisht me tren e më pas me autobus dhe në orën 22.00 ka mbërritur me shokët e grupit atje, e shoqëruar nga pedagogët. Të nesërmen kanë bërë një vizitë në varrezat e dëshmorëve. Ishin mbledhur e kishin përgatitur temat e punës për biseda me organizatat e masave. I kishte bërë përshtypje Konispoli, pasi ishte hera e parë që shihte një vend të tillë “aq të thellë malor”. Kishte biseduar me shefin e vatrës së kulturës për të dhënë një koncert para sheshit me rastin e kongresit të Bashkimeve Profesionale, i cili ishte pëlqyer nga të pranishmit. Kjo mënyrë jetese në Konispol e kishte rrënuar gjendjen e Alidës.

Rreth saj shënohen këto fjalë që shërbye për kallëzimin e mëposhtëm për agjitacion e propagandë: “Gjatë praktikës mësimore shfaqi në ditarin e saj personal disa pikëpamje të gabuara me përmbajtje politike dhe ideologjike. Në shënimet e mbajtura gjatë katër ditëve të para të praktikës mësimore veç të tjerash shkruante: “Hipëm në tren në orën 5.30 për t’u nisur në skëterrë”. “Vajtëm në Konispol dhe hëngrëm bukëzezën”. “Hëngra drekën si menuja e burgut dhe tani e shtrirë mbi këtë qivur të mykur”. “Ky krevati është si i lagur dhe i vjen era myk, megjithatë, jam e detyruar të fle në të”. “Shkuam në një mbledhje budallenjsh që zgjati gjithë ditën si për inatin tonë”. “Më duke vetja se më kanë sjellë për riedukim”.

Alida Kujton: “Isha 24 vjeçe. Sapo kisha kryer shkollën politike, universitetin politik, duhej të bënim një stazh një mujor në fshat. Që në moshën 10 vjeçe kam mbajtur ditar, për të fshehtat e mia, si shumë vajza të asaj moshe. Nuk ia besoja askujt mendimet e mia, dëshirat e mia! Kështu që kisha një ditar. Atë ditar e merrja kudo me vete, e kisha si një shok që më shoqëronte kudo në jetë. Kështu, atë muaj që shkuam në praktikë, ishim disa shoqe të kursit dhe, një natë kur unë po jepja një koncert në një kooperativë të fshatit ishin mbledhur të rinjtë dhe po këndonim, ato shoqet e mia në valixhen time morën ditarin dhe e shfletuan! Sigurisht, nuk kuptuan atë qëllimin tim çfarë unë në ditarin tim shkruaja, sepse unë nuk i shkruaja gjërat hapur kundër qeverisë, por ishin disa fjalë, iniciale, sekretet e mia e që ato i interpretuan ashtu siç donin! Me një qëllim keqbërës e çuan në Komitet të Partisë duke e interpretuar atë si një akt armiqësor propagande ! Dhe kështu si një rrufe e shpejtë më groposi menjëherë në tokë. Janë gjëra të papërshkrueshme!” Gjatë praktikës ajo u thirr nga pedagogët dhe u këshillua të bëjë autokritikë. Me kthimin nga Konispoli, Alida njoftoi sekretarin e Partisë se do të bënte autokritikë në mbledhjen e organizatës. Në këtë autokritikë ajo tha se fajet ishin të rënda, por ato nuk ishin nisur nga një qëllim i caktuar, por si rezultat i “budallallëqeve të mia, i papjekurisë politike dhe ideologjike”, të nisura nga “kuptimi i cekët i jetës”, “mosnjohja e vështirësive të fshatit”, “vetëkënaqësia”, “euforia për sukseset e arritura”, etj.  Komiteti i Partisë së Rajonit nr.3 në Tiranë, i cili me vendimin nr.143, datë 30.6.1982 e ka përjashtuar Alida Hiskun nga partia. Ky komitet shprehej se nuk kishte ngelur e kënaqur nga autokritika e Alidës, e cila nuk kishte qenë e thellë.  Pas përjashtimit, Alida Hiskut i bëhen presione të tjera në Komitetin e PPSH-së së Tiranës. Alida është tronditur e habitur shumë pasi nuk e dinte mirë “sesi ndiqeshin këto punë”. Një gjendje depresioni e ka përfshirë Alida Hiskun. Nuk del nga shtëpia. Ndjen goditjen e opinionit vrastar. Ndjehet e dobësuar “qysh në fillim të jetës” së saj, ndjehet “e pushkatuar nga ana politike, publike, shpirtërore…deri në prishjen e familjes”. Opinioni gjente shkak ndërprerjen e këngëve të njohura të saj në radiotelevizion. Megjithatë një ditë ishin dhënë disa këngë, por i kishin ndërprerë sërish. Kjo gjë e çorientoi opinionin në thashethemet e tij. Opinioni ka nisur ta vrasë pak nga pak Alida Hiskun. Atë këngëtare që e kishte duartrokitur e pëlqyer kushedi sesa herë. Mjaftonte një dyshim për “mosbesnikëri ndaj partisë”, që kjo shoqëri e krimbur dhe e shformuar nga stalinizmi e enverizmi që e kishte mbërthyer, të të vinte shkelmin apo të niste kancerin pak e nga pak. Jo pa lidhje Alida shkruan: “Më vrasin jashtë mase shikimet habitore dhe këto komentet e njerëzve, ndaj jam mbyllur në shtëpi për të qenë pak më e qetë, derisa të marrin fund këto punë”. Komisioni Qendror i Kontrollit dhe i Revizionimit të Partisë, me vendimin nr.190, datë 13.9.1982 la në fuqi vendimin e përjashtimit nga partia të Alida Hiskut. Tashmë rruga për organet e punëve të brendshme, ishte e lirë. “Dënimi, që m’u dha atë kohë, ishte : të gjitha aktivitetet e mia artistike u pezulluan! U përjashtova nga Partia, nga Komiteti Qendror i Rinisë! U përjashtova edhe nga puna, se atë kohë punoja në shtypshkronjën “Mihal Duri”, pra m’u hoqën të gjitha funksionet. M’u hoq e drejta e të kënduarit dhe m’u hoq e drejta e filmave televizivë d.m.th., u izolova komplet nga aktiviteti dhe nga jeta! Më urdhëruan të mos largohesha nga qyteti dhe çdo javë të paraqitesha në Ministrinë e Punëve të Brendshme.”

Për fat të mirë ai regjim e pati jetën e shkurtër dhe pas 8 vjetësh ra. Pas vitit 1991 Aida u largua nga atdheu, ku jeton edhe sot. “Nuk mbaj më ditar! Më ka zënë frika, jo frika po si themi ne shqiptarët kur të djeg qulli i fryn edhe kosit. Kështu që unë nga ajo frikë nga ai tmerr nuk mund të shikoj më ditar! Nuk mund ta dëgjoj fjalën ditar se më rrëqethet mishi. M’u vra rinia, m’u vra jeta, m’u vra familja, m’u vra karriera, m’u vra shpirti nga ky ditar që unë mendoja se do të ishte shpirti im, shoku im por nuk di, jo nuk kam ndërmend të mbaj ditar më”.

U rikthye me një album, pas 24 vjetësh, në moshën 52-vjeçare, por vitet kishin ecur, muzika dhe shijet e dëgjuesve po ashtu. Alida, më shumë se nostalgjisë i takon historisë.

 

 Këngët e Alida Hiskut:

Festivali 9:  “Portret heroine” , muzika: Agim Krajka

Festivali 10:  “E paharruara”,            Lejla Agolli dhe “Shqipëria përshëndet”, Ferdinand Deda

Festivali 12: “Shoku ynë”, I. Spahiu    dhe “Si agim i kuq”, Josif Minga

Festivali 13: “Vajzat e fshatit tim”,  Enver Shëngjergji dhe “Nëpër ditët tona”, Kastriot Gjini

Festivali 14: “Dasëm në fshat”, Agron Xhunga  dhe “Buka e duarve tona”,  Kujtim Laro

Festivali 15:  “Bisedon një popull me partinë“, Limoz Dizdari dhe “Këngët e rinisë”,  Agim Krajka

Festivali 16: “Ti që ke në sy lirinë”, Feim Ibrahimi, dhe  “Kasollja e Galigatit”, Avni Mula

Festivali 18:  “Nëntori i lirise”,  Limoz Dizdari

Festivali 19:  “Me dy plagë lufte hyre në parti”,  Aleksandër Peçi dhe  “Njerëzit e agimeve”, Kujtim Laro

Festivali 20:  “Flaka e betimit”,  Kujtim Laro

“360grade.al”

Share:
Reklama juaj