Home KRYESORE Flet pedagogia, Genta Taraj: Trajtimi i specializuar i çrregullimeve gjuhësore në...

Flet pedagogia, Genta Taraj: Trajtimi i specializuar i çrregullimeve gjuhësore në Shqipëri lë ende shumë për të dëshiruar

Nga Albert Z. ZHOLI

Gentjana Taraj ka filluar punë si lektore pranë departamentit të Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Vlorës, në vitin 2003. Mban gradën Doktor Shkencash në Gjuhësi, të mbrojtur pranë Universitetit të Tiranës. Në vitin 2012, mbaron Masterin Shkencor në Gjuhësi Klinike në Gjermani. Ka botuar mbi 30 artikuj shkencorë brenda dhe jashtë vendit, kryesisht në fushën e studimeve përkthimore, stilistikës dhe përvetësimit gjuhësor te fëmijët shqiptar. Gjithashtu, është përkthyese e dy librave në shqip. Ajo është botuese e një libri të rrallë …

– Një nismë interesante dhe botim special i saj, Cfarë është TROG-2?

Testi për të Kuptuarit e Gramatikës, Versioni 2 (TROG-2), është një test për përdorim klinik i hartuar nga Dorothy V. M. Bishop për fëmijët anglezë. Ky test u krijua për të plotësuar mungesën e testeve që vlerësojnë të kuptuarit e strukturave gramatikore te fëmijët e moshës mbi 4-vjeç. Versioni i parë i testit (TROG) u botua nga autorja në vitin 1983, dhe më pas u  përmirësua dhe u standardizua si TROG-2. Testi është përdorur gjerësisht si në kontekstin klinik ashtu dhe atë kërkimor gjatë 30 viteve të fundit. Është e rëndësishme të theksohet se TROG-2 teston të kuptuarit e gjuhës receptive (atë që na thonë të tjerët) dhe jo përdorimin e gjuhës (atë që themi ne) apo nivelin e inteligjencës së individit. Duke qenë një test për përdorim klinik, ai mund të përdoret vetëm nga terapistët e gjuhës dhe të folurit, psikologët studiues dhe të specializuar, neuropsikologët që merren me vlerësimin e çrregullimeve të fituara të gjuhës tek të rriturit si dhe nga mësuesit e personave me probleme të dëgjimit.

– Cila është përmbajtja e testit dhe si përdoret ai?

TROG-2 ofron përparësi të shumta përdorimi në kontekstin klinik për shkak të karakteristikave që ka. Testi është i përshtatshëm për një diapazon të gjerë moshash, nga 4 vjeç deri në moshë madhore. Gjatë realizimit të testit subjekteve nuk u kërkohet të flasin, pasi qëllimi i testit është të vlerësojë nëse fëmija kupton atë që i thuhet. Testi lejon vlerësimin e të kuptuarit të kontrasteve gramatikore, të cilat janë të shprehura me mbaresa, fjalë funksionale dhe rendin e fjalëve. Ai përdor një fjalor të kufizuar, me emra, folje dhe mbiemra të thjeshtë. Subjektit i tregohen katër foto për çdo fjali të lexuar nga testuesi dhe i kërkohet të zgjedhë foton që përkon me kuptimin e fjalisë. Testimi zgjat rreth 10-12 min për fëmijët me zhvillim normal. Blloqet janë të renditura sipas një shkallë vështirësie që vjen duke u rritur, çka do të thotë se ka dallim mes plotësimit të testit nga një fëmijë dhe një i rritur.

– Mbi çfarë baze u mbështete për realizimin e këtij testi? Si e realizove projektin në terren dhe nga kush u mbështete?

Procesi i standardizimit të testit TROG-2 për gjuhën shqipe u bazua mbi të njëjtën metodologji të përdorur në testin origjinal. Standardizimi kaloi nëpër disa faza. Si fillim u sigurua leja nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për të mbledhur të dhënat pranë kopshteve dhe shkollave në disa qytete të Shqipërisë. Përcaktimi i kampionit të studimit u bazua tek të dhënat e botuara nga INSTAT (2012) mbi shpërndarjen e popullsisë në veri, jug dhe qendër të Shqipërisë, nivelin e shkollimit dhe gjendjen socio-ekonomike. Në mbledhjen e të dhënave u angazhuan studentë të psikologjisë, gjuhës shqipe dhe logopedisë, niveli master. Trajnimi i tyre është realizuar nga unë në bashkepunim me Prof.Dr. Rami Memushaj. Më pas të dhënat e mbledhura janë përpunuar nga grupi i statisticienve të kryesuar nga Dr. Ermira Shahu. Duke qenë se të dhënat statistikore mbështetën saktësinë e testit si një instrument klinik i aftë për të bërë dallimin e kuptueshmërisë gjuhësore midis moshave, testi arriti të botohej me sukses nga shtëpia botuese ‘Infbotues’, në Tiranë. Një kontribut të veçantë ka dhënë shtëpia botuese Pearson, çka lehtësoi së tepërmi realizimin e versionit shqip të testit.

– Pse ishte i nevojshëm standardizimi i testit?

Sikurse e përmenda edhe më lartë, TROG-2 u krijua nga të dhënat e mbledhura me fëmijët anglisht-folës. Çdo përpjekje për ta përkthyer dhe për ta përdorur menjëherë me fëmijët shqiptar pa realizuar me parë standardizimin e tij do të çonte në një diagnostikim dhe trajtim të gabuar. Kjo për arsye se gjuhët dhe kulturat ndryshojnë nga njëra tjetra. Që një test gjuhësor të bëhet i përdorshëm duhet që njësitë gjuhësore të përshtaten me gjuhën ku do të përdoren. Për shembull, ndërsa gjuha angleze nuk ka mbaresa në gjuhën shqipe shumë prej funksioneve gramatikore shprehen përmes tyre. Kjo do të thotë se nëse një strukturë gramatikore mund të jetë e lehtë për një fëmijë anglisht-folës për një fëmijë shqiptar mund të rezultojë e vështirë dhe e kundërta. Si rrjedhim, të dhënat statistikore do të jenë të ndryshme për gjuhë të ndryshme, çka rezultoi e vërtetë në rastin konkret. Edhe pse versioni shqip i TROG-2 arrin të bëjë dallimin e të kuptuarit të gramatikës në mosha të ndryshme, lidhja mes njohurive gjuhësore dhe moshës së fëmijëve është e ndryshme te fëmijët shqiptar krahasuar me moshatarët e tyre anglezë.

-Pse duhet ta përdorë terapisti?

Për fat të keq, trajtimi i specializuar i çrregullimeve gjuhësore në Shqipëri lë ende shumë për të dëshiruar pasi mjedisit klinik shqiptar i mungojnë instrumentet e nevojshme diagnostikuese. Ka ende ekspertë që diagnostikojnë në mënyrë empirike apo që përdorin teste vërtetësia e të cilëve nuk është e provuar për gjuhën shqipe. Për rrjedhojë, si njohja e problemit ashtu dhe trajtimi i tij nuk japin rezultatet e dëshiruara. Dihet se trajtimi i një problemi fillon me diagnostikimin e tij. Por ndërsa çrregullimet e lidhura me të shprehurin janë më të lehta për t’u evidentuar nga e folura e fëmijës, çrregullimet e gjuhës receptive kërkojnë domosodoshmërisht përdorimin e testeve sikurse TROG-2. Vështirësitë që fëmija mund të shfaqë në raportet që vendos me të tjerët, komunikimin në grup, rezultatet në shkollë, përdorimin e saktë të mimikës dhe gjuhës së trupit, etj mund të jenë të lidhura me vështirësitë që ai/ajo ka për të kuptuar se çfarë i kërkohet përmes gjuhës. Duke qenë i standardizuar për gjuhën shqipe, TROG-2 ofron jo vetëm një informacion të bollshëm në lidhje me problemet e të kuptuarit gjuhësor, që mund të ketë një individ, por edhe një informacion objektiv. Ana pozitive e testit është se ai përdoret lehtë nga terapisti dhe duke qenë i pajisur me një metodologji shumë të saktë të përpunimit sasior dhe cilësor të të dhënave nuk lë vend për interpretime subjektive. Rezultatet që dalin nga TROG-2 e ndihmojnë terapistin të kuptojë jo vetëm nesë fëmija e kupton atë që i thuhet, por edhe të përcaktojë fushën specifike të problemit me të cilën duhet punuar. Për më tepër, nëse testimi do të përsëritej për herë të dytë psh, pas 9 muajsh, rezultatet e mara nga të dy testimet do të shërbenin për të kuptuar progresin e fëmijës.

– Arsyet e ngeljes mbrapa në fushën terapeutike

Në këndvështrimin tim, arsyeja kryesore që shpjegon mungesën e një zhvillimi të kënaqshëm të terapisë së gjuhës në Shqipëri lidhet me mungesën e dijes që vjen nga fusha e zhvillimit normal gjuhësor dhe çrregullimeve gjuhësore. Për aq sa di unë, asnjë universitet shqiptar nuk ofron sot programe studimi në fushën e përvetësimit gjuhësor, çka do të sillte jo vetëm një zgjerim të njohurive në këtë fushë, por edhe më tepër hulumtime dhe përfundime konkrete për gjuhën shqipe. Nga ana tjetër, dega e logopedisë e konceptuar si pjesë e Fakultetit të Infermierisë, do të duhej të fokusohej më tepër në drejtim të përmirësimit të cilësisë së programit të studimit duke synuar standardet e vendorura nga Shoqata Ndërkombëtare e Logopedëve (IALP). Një balancim më i drejtë i tre shkencave (gjuhë, sjellje dhe shkenca biomjekësore) në përbërëje të kurrikulës së logopedisë si dhe organizimi i vazhdueshëm i ëorkshopeve dhe seminare për logopedët do të garantonin një performancë më të mirë nga ana e tyre.

– Synimet për zbatimin?

Është e kuptueshme se përderisa flasim për një test klinik, përdorimi kryesor i tij mbetet fusha terapeutike. Logopedët apo terapistët e gjuhës dhe të folurit, të cilët janë të interesuar për të bërë një vlerësim objektiv të nivelit të gjuhës receptive duhet ta kuptojnë se përdorimi i TROG-2 në kombinim dhe me teste të tjerë të standardizuara jo vetëm që ua lehtëson punën, por i ndihmon të jenë të suksesshëm profesionalisht. Nga ana tjetër, dihet se  identifikimi dhe trajtimi me profesionalizëm i fëmijëve që kanë çrregullime gjuhësore në një fazë të hershme ofron mundësi më të mëdha përmirësimi. Gjatë mbledhjes së të dhënave pranë kopshteve dhe shkollave që u angazhuan në këtë projekt ne identifikuam fëmijë të cilët nuk arrinin ta përfundonin testimin sikurse moshatarët e tyre, çka na linte të kuptonim se kishin nevojë për ndërhyrjen e një terapisti. Nga biseda me edukatorët e tyre mësuam se edhe ata ndanin të njëjtin mendim me ne, por nuk kishin asnjë dokument që vërtetonte se fëmija mund të ishte diagnostikuar me ndonjë problem të zhvillimit apo gjuhësor. Kuptohet, se në një moshë apo tjetrën problemi do të konstatohet pasi do bëhet shqetësim për zhvillimin normal të fëmijës, por sikurse e theksuam edhe më lart është me rëndësi të kuptohet se sa më shpejt të ndërhyhet aq më të mëdha janë shanset e përmirësimit. Për këtë arsye, ky test mund të përdoret te fëmijët me zhvillim normal të moshave parashkollore dhe shkollore (4-7 vjeç) për të evidentuar rastet e fëmijëve që kanë nevojë për një trajtim më të specializuar. Gjithashtu, ky test arrin të evidentojnë fëmijët e talentuar të cilët arrijnë të shënojnë mbi mesataren e moshës së tyre dhe me të cilët mësuesit duhet të punojnë në mënyrë më të diferencuar./perqasje.com

Share: