Home KRYESORE Fqinjësia dhe politika në historinë e kombit dhe shtetit grek dhe atij...

Fqinjësia dhe politika në historinë e kombit dhe shtetit grek dhe atij shqiptar

Nga Kasem Seferi

Ditët e fundit, duke lexuar një shkrim në një të përditshme, pashë turpërimin që në të gjithë tiparet ia kalon prostitucionit. Tek e fundit, prostitucioni ka qenë, është dhe do të mbetet një profesion për mbijetesë në shoqëri.

U ngacmova si asnjëherë tjetër dhe vendosa të them diçka publikisht për të gjithë ata që kanë sy dhe veshë njerëzorë; për të gjithë ata që nuk verbohen nga ideologjitë dhe doktrinat që kanë falsifikuar dhe falsifikojnë historinë dhe jetën e vërtetë njerëzore (më saktë vlerat se sa antivlerat).

Të gjithë faktorët që formojnë individin e një kombi që jeton në trojet e tij që përcaktojnë kufijtë e një kombi shtet, më së pari dhe më shumti, themelin e tyre e kanë mbi interesat ekonomikë dhe në raportet e kulturës individuale (zakone, doke, folklore, etnografi, etj).

Nga një film tejet i bukur i kinematografisë amerikane mbetet “Martesa ime greke“ ku, pavarësisht detajeve, në përgjithësi, shfaqen pothuajse të gjithë karakteristikat e kombeve të Europës Juglindore, ose Gadishullit të Ballkanit.

Nuk më ngelet mua personalisht të marr përsipër të konkurroj me shumë individë të profesioneve të ndryshme në lidhje me atë çfarë është e përbashkët dhe çfarë na dallon ne shqiptarëve nga grekët dhe të tjerët në Ballkan.

Në profesionin tim, jam munduar dhe po mundohem në këto vite të fillimit të moshës së tretë, të tregoj, me modesti, edhe njëherë se diplomacia ka lindur nga tregtia ndërmjet kombeve fqinjë e përtej.

Në mënyrë të natyrshme, është vërtetuar se, individi i një kombi përfaqësues, kërkon të maksimizojë përfitimet e tij dhe të minimizojë kostot. Në këtë ballafaqim tregtar, brenda tregut vendas, tregut rajonal dhe tregut në kufijtë e mëtejshëm ndërkombëtar, është thënë dhe ende mendohet se tregu është instrumenti që vendos balancën e duhur ndërmjet këtyre dy prirjeve në tregje.

Ndërkohë, shteti, që herët në lashtësi, ka lindur në Lindjen dhe Azinë e Mesme, ka ndërhyrë në tregjet e brendshëm, rajonalë dhe përtej tyre për të vendosur një balancë të këtyre prirjeve.

Një histori e tërë luftërash nga lindja në perëndim dhe anasjelltas, e vërtetojnë këtë deri në ditët e sotme, pavarësisht, se është thënë dhe thuhet se lufta e ftohtë ka mbaruar. Si individ pjesëmarrës në disa prej mbledhjeve (samiteve) euroaziatikë në vitet 2010 – 2011 në Stamboll të Turqisë, kam kuptuar dhe mbetem me të njëjtin mendim se të ashtuajturat “rrugë tregtare” ndërmjet lindjes dhe perëndimit, janë baza e konflikteve që gjenerohen në këto gjërësi gjeografike dhe gjeopolitike.

Pikërisht, në këtë linjë është edhe pozicioni i Ballkanit, ose i rrugëve të Ballkanit për në Europën Perëndimore. Ku janë gjeneruar mjaft luftëra lokale, rajonale dhe kanë qenë nismëtare të dy luftërave botërore.

Por, cilat kanë qenë pasojat e këtyre ngjarjeve mbi kombet dhe shtetet e Ballkanit? Mungesë e zhvillimit të merituar në raport me burimet, varfëri e shtresuar nga trashëgimia, demokraci e kufizuar nga interesat e të tjerëve ndikues dhe mungesë e ideve të arsyeshme mbi të ardhmen e rajonit.

Të gjithë ia dinë vlerat Ballkanit, por nuk ia kanë dhënë çmimin e duhur në këmbim të këtyre vlerave.

Në një anë fuqitë tradicionale të lindjes, në anën tjetër interesat e vendeve të Europës Perëndimore me “paranojën” e islamit agresiv. “Bullshit” thonë amerikanët në një rast të tillë. E vërteta qendron te politika dhe politikanët vendorë, pa dinjitet, servile dhe të shitur te fuqitë tradicionale për pushtet dhe pasuri personale.

Fatkeqësi për kombet dhe shtetet e tyre, sepse pushteti dhe pasuria e vërtetë qendron te karijimi i një tregu rajonal, madje diktues për fuqitë tradicionale, në interes të kombeve dhe shteteve të tyre.

Si?

Të bashkojnë interesat e tyre si fqinjë, të ofrojnë fuqinë dhe të ardhmen e efektivitetit dhe efiçencës së këtyre interesave kundrejt fuqive tradicionale dhe jot ë grinden për interesa pa vlerë, që përfaqësojnë një krahinë, një besim të kundërt fetar, etj, kur e ardhmja prêt prej shekujsh që t’i hapet dera.

Europa Perëndimore do gaz dhe naftë që kalon nga rrugët e Ballkanit. Vendet e Ballkanit, kush më shumë e kush më pak, të prekura nga ndikimi fuqive tradicionale, konkurrojnë njëri – tjetrin si “qentë që luftojnë për një kockë të hedhur“ në vend që të hedhin në shoshë “kockat“ që hidhen në tregun e përbashkët ballkanik.

Edhe njëherë: diplomacia ka lindur nga tregtia. Që nga lashtësia kemi trashëguar rrugët tregtare, por nuk kemi trashëguar rrugët diplomatike që u shërbejnë këtyre rrugëve tregtare. “Divida e dimpera“ ishte për Ballkanin por nuk duhet të jetë më.

Në këtë linjë, mëvjen ndër mend takimi i Selanikut, në suazën e integrimit të Europës Juglindore në BE. Sa premtime! Sa janë mbajtur prej tyre? Si përgjigje do të jepja vetëm një opsion: sovranitet i detyruar me kusht i vendeve të Ballkanit.

Tregu i lirë i shoqëruar nga rendi demokratik, nuk mund të jetë privilegj vetëm për dikë dhe për dikë tjetër të jetë në mos kufizim, detyrim me kusht.

Kur bëj një analizë të shkurtër të psikologjisë dhe karakterit të mercenarit, bazuar në shumë studime të njerëzve me emër, i nxitur nga shkrimet e Ismail Kadaresë, i zvetënuar nga Ivo Andriç (pavarësisht lartësisë dhe ndriçimit profesional të penës kur i lavdëron mercenarët shqiptarë në veprën e tij), mendoj se kështu si po veprojmë ende në shekullin e 21 – të, fatkeqësisht, po mbetemi kombe dhe shtete mercenarë.

Bota ka ecur nëpërmjet ndryshimeve që kanë sjell zhvillimet përkatëse, por ndryshimet në Ballkan kanë qenë më shumë ndrrim lëkurësh se sa ndryshim sistemesh. Mjafton t’u hedhësh një sy trashëgimisë së shteteve komb të Ballkanit, për të kuptuar më së miri se ku kanë qenë, ku janë dhe ku … do të shkojnë.

Ne presim që bota të ndryshojë kursin e saj pas “dukurisë“ Trump, por a kemi menduar po ndonjë dukuri/risi në Ballkan, veçanërisht, për interesat tona të përbashkëta se sa për interesat tona të veçanta (më saktë të përçara nga ndikimet tradicionale)?!
Ose, kemi frikë? Ose, nuk dimë? Ose nuk na lenë të lirë të zgjedhim? Ose, nuk duam? Ose, … le të rrimë me shprehjen: “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë“.

Po e mbyll me disa përfundime nga kujtimet e Hrushovit nga vizita e tij në Shqipëri, ku bien në dukje, veçanërisht, se Shqipëria është e varfër nga shtresimet historike të varfërisë; se gjendet në një rrugëkalim të lakmuar ku përplasen interesat të shumta dhe se ka armiq të shumtë.

Pas kësaj, do të thoja se ky është opsioni i një prej fuqive tradicionale që sapo na kishte futur nën sqetull. Shikoni sot çfarë po ndodh me gazin, naftën, energjinë elektrike dhe ngrihuni më lart për sa kam shkruar për të parë se a duhet të jemi më shtete – komb mercenarë, apo fqinj të mirë me prirje për zhvillim dhe mbarësi?!

Kasem Seferi – Ekonomist

Share: