Home KRYESORE Fuga: Ja përse Lulzim Basha ka shanset politike në favor të tij

Fuga: Ja përse Lulzim Basha ka shanset politike në favor të tij

Nga Artan Fuga

Vazhdon prej disa ditësh lëvizja për zgjedhje të lira nëpërmjet një qeverie teknike.

Një nga elementet e rëndësishëm është roli dhe statura e ndryshuar që ka marrë drejtuesi i PD Lulzim Basha në këto ditë.
Pse ai, sipas meje, i ka shanset në anën e tij ?

Nuk bëj parashikime për zgjedhjet e ardhshme sepse nuk di dhe nuk dua t’i bëj, por flas për shanse në aksionin e tij politik aktual.
Mbledh njerëz, madje masa të mëdha, tregon se ka pas tij një aparat politik efikas, ka rrjet në të gjithë vendin se përndryshe nuk i mobilizonte dot të ardhurit nga rrethet, pra i ngjit fjala në elektoratin e tij, dhe po dëshmon tone të vendosura që opinioni nuk ja ka konstatuar më parë.

Ku qendrojnë disa atu që mesa duket ai ka në dorë ?

E para se ai dhe lidershipi që drejton ka mjaft në dorë të bëhen apo të mos bëhen zgjedhje në Shqipëri.

Prandaj, duhet parë mirë dhe seriozisht, sipas meje, kur ai thotë se nuk do të ketë zgjedhje fare nëse ato nuk do të jenë të lira. Nuk thotë se do t’i bojkotojë zgjedhjet.

Kushtetuta shqiptare, sado e keqe të jetë, në disa pika ka bërë kujdes që të mbështetet te parimi i dialogut dhe mirëkuptimit midis opozitës dhe pushtetit. Pesë ditë para zgjedhjeve, Lulzim Bashës grupimit politik që ai përfaqëson do t’i mjaftonte të hiqte nga komisionet e votimit, në qendër dhe në bazë antarët që vijnë aty nga opozita dhe gjithçka do të bëhej pothuajse e pamundur.

Ne do të ngeleshim një « demokraci » pa zgjedhje.

Mendoni një parlament të ardhshëm pa deputetët e opozitës ?

Ata që kanë në ngarkim organizimin dhe administrimin e procesit elektoral e dinë mirë se nëse deputetët e opozitës nuk shkojnë në Kuvend, nëse antarët që marrin pjesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo në komisionet lokale nuk paraqiten, nëse antarët e AMA-s bojkotojnë, sigurisht zgjedhje nuk mund të ketë.

Kurse ne qytetarët duam zgjedhje sepse është e drejta jonë.

Të lira, sigurisht, jo vetëm të lira, por edhe të barabarta, pra edhe me shanse të barabarta për të gjithë kandidatët.

Po sikur kandidatët për deputetë të opozitës pasi të shpallen dhe rregjistrohen të dorëhiqen në momentin e fundit ?

Të gjitha këto rreziqe janë, prandaj është në të mirë të demokracisë që pushteti dhe opozita t’i shpëtojnë zgjedhjet.

E dyta, sepse Lulzim Basha i iku një dështimi të mundshëm në zgjedhje që do t’i faturohej atij personalisht nga konkurrentët e tjerë brenda partisë së tij. Pavarësisht sesi do të jetë rezultati real në zgjedhje.

Nëse do të shkonte në zgjedhje pa vendosur kërkesa për të qenë të lira dhe të ndershme, në rast humbjeje, atë do ta tregonin me gisht brenda formacionit të tij politik, si shkaktari i humbjes. Kurse duke treguar se ai shkon në zgjedhje vetëm në kushte lirie të siguruara, Lulzim Basha, fton të gjithë lidershipin e partisë, grupin e deputetëve, militantëve për t’u bërë pjesë e përgjegjësisë të përbashkët.

Këta të fundit, ose duhet ta ndjekin në këtë proces kontestues që ai ka filluar, ose nesër duhet ta mbajnë ata përgjegjësinë e përbashkët e një humbjeje në zgjedhje.

E treta, duke u vendosur në krye të protestës, Lulzim Basha në fakt e ka filluar qysh tani fushatën e tij elektorale.

Ai kapërceu censurën në media, zuri vendin qendror në informacionet e përditshme, si edhe krijoi figurën e një lideri politik që është vendosur në kontakt të drejtpërdrejt me masën e elektoratit të tij.

Vetëkuptohet që brenda lidershipit opozitar të demokratëve tanimë ai ka staturën e figurës politike që paraqet partinë para masës së elektoratit.

Duke ditur se është grupi i ngushtë udhëheqës me kryetarin e partisë që në Shqipëri bën listat e deputetëve, kuptohet sesa më shumë ditë kalojnë, aq më vendimtare bëhet përzgjedhja e deputetëve të ardhshëm. Sigurisht me këtë sistem zgjedhor që kemi, nuk mund të kërkosh të jesh edhe deputet i një partie dhe të kundërshtosh vijën politike të partisë. Do të ishte një kundërthënie.

E katërta, Lulzim Basha e ka gjetur fabulën dhe sloganin e fushatës së tij elektorale.

Mbi të gjitha ai kapi një trend, ndofta beson vërtet, se sot masat kudo në Europë dhe në Amerikë janë treguar kritike ndaj lidershipit politik institucional. A nuk treguan këtë zgjedhjet në ShBA, në Itali, në Greqi, Portugali, Angli, Spanjë, etj ?

Kështu Lulzmi Basha po shprehet kritik ndaj sistemit të tanishëm, duke kërkuar një demokraci tjetër. Forca politike në pushtet, cilado të ishte nuk do të kishte mundësi të hynte në këtë trend. Opozita hyn.

Kështu Lulzim Basha duke i qendruar kësaj teknike, po mban në një farë distance edhe lidershipin politik të partisë së tij, një pjesë e konsumuar para qytetarëve, dhe me siguri preferon një kontakt drejtpërdrejt me shoqërinë civile ose masën elektorale të partisë së tij.

Kërkon një republikë të re ! Kërkesë e drejtë. Kush mund ta kundërshtojë kur vetë vetingu nënkupton ndryshimin e republikës ekzistuese !

Thotë se asgjë nuk do të jetë më si më parë ! Ka parasysh besoj një model tjetër institucionesh që sot janë hibride, midis partitokracisë reale dhe demokracisë fasadë.

Lë të nënkuptohet se do të ketë një përqasje tjetër politike edhe në krahasim me të kaluarën e qeverisjeve demokrate ? E ka seriozisht ? Ndofta masa e gjerë elektorale pret të jetë më i qartë këtu.

Kërkon rishpërndarjen e pasurisë që tanimë grumbullohet në duar oligarkësh. Mendoni se një njeriu që mezi mban frymën gjallë me bukë, sikurse jemi të gjithë ne shumica, nuk i vjen mirë kur e dëgjon ?

Kush nuk është sensibël ndaj papunësisë ?

Kërkon zgjedhje të lira. A mendon kush se të gjithë shqiptarët, madje edhe kryetarët e partive politike brenda ose jashtë kuvendit, opozitarë apo të rreshtuar me qeverinë nuk duan që në zgjedhje të dalin të barabartë. Mendon kush se hapur ose në vetvete zotërinjtë Ilir Meta, Agron Duka, Paskal Milo, Dashamir Shehu, Ben Blushi, Fatmir Mediu, dhe të tjerë po kaq të rëndësishëm në jetën politike të sotme shqiptare nuk duan që në zgjedhje kandidatët e qeverisë ose ata që nuk kanë mbështetjen e qeverisë të shkojnë si realisht të barabartë në zgjedhje ?

Madje edhe brenda socialistëve ka që mendojnë, besoj unë, kështu.

Lulzim Basha ka shtruar deri tani kërkesa minimaliste, por kyçe dhe jetike :

Zgjedhje të lira, republikë tjetër, drejtësi tjetër, menaxhim tjetër i burimeve ekonomike të vendit, taksim tjetër, ndeshje me abuzivizmin e nëpunësve, me kanabisin, me faktin që asnjë shqiptar nuk e duron dot kollaj, pra me një elitë politike që përbën shtresën më të pasur të vendit.

Nuk është kollaj të përballohet kjo logjikë transformimi. E ka seriozisht apo jo gjithë këtë, Lulzim Basha ? – ai është vetë garant i vetes së vet. Por, ai po merr përsipër angazhime kolosale, krejt të mundshme për t’i realizuar, por që do t’i kërkojnë energji politike të madhe në të ardhmen.

Cfarë mund t’ja heqi ose zvoglojë, sipas meje, shanset Lulzim Bashës ?

I ndodhur brenda një mase që e duartroket, pa ndërmjetësimin e afërt të forumeve të partisë së tij, pa instrumenta vetëkontrolli jashtë tij, i ndodhur në një situatë aksioni live, ku mendimi, vendimarrja dhe komunikimi si tre faza të ndara janë përqendruar në një të vetme, ai mund të humbi herë pas here kontrollin dhe të bëjë gabime, duke marrë vendime të gabuara të çastit, ose duke rrëshqitur në ligjërim.

Kush pëson padrejtësi, duhet t’i drejtohet gjyqit, grevave, mediave, opinionit publik, opozitës, shërbimeve të policisë, prokurorisë, protestave, jo grushtit !

Paqja civile është kushti i parë dhe i panegociueshëm për demokratizimin që kërkohet me të drejtë.

Nuk ka nevojë për luftë Shqipëria sot ! Ka nevojë për zgjedhje të lira !

Poashtu nuk ka nevojë e pushuara në RTSH t’i çpojë gomat Thoma Gëllcit! Ka mënyra të tjera për t’iu qendruar
padrejtësive.

Tjetër është mosbindja civile paqesore!
Ose të lodhet.

Por edhe në këtë rast, ai e ka bërë investimin e tij politik duke dalë nga roli i një politikani në origjinë i ftuar në politikë, nga roli i një menaxheri politik, i një administratori institucionesh ministeriale, dhe shndërruar në një lider politik, që po sjell risi dhe energji të reja politike, praktikë e cila do të mbetet në historinë politike të vendit.

Se cila nga alternativat para tij do të konkretizohet, kjo nuk mund të parathuhet sot.

Por, sipas meje, sikurse thoshte Spinoza për një kontekst krejt tjetër, kjo varet tërësisht nga faktorë brenda tij, dhe jo jashtë tij.
Nga jashtë ai është i lirë.
E pikërisht, kjo liri e shanseve të plota në favor të tij, mund të bëhet edhe një kurth për të.

Share: