Home KRYESORE Historia/ Si lindi banda “Hakmarrja për Drejtësi” dhe kush e dha “haberin”

Historia/ Si lindi banda “Hakmarrja për Drejtësi” dhe kush e dha “haberin”

Pasditja e datës 12-tetor të vitit 1996, kur Televizioni Shqiptar (TVSH) transmetoi lajmin se “në një apartament në qendër të Tiranës ishte zbuluar një arsenal i madh armësh”, shënon edhe krijimin e organizatës së quajtur “Hakmarrja për Drejtësi”.

Lajmi në fjalë shoqërohej me sekuenca filmike, që tregonin një arsenal armësh të llojeve të ndryshme, ndërsa kureshtja se kush qëndronte prapa tyre, ishte e madhe. Tre ditë më pas, mediat e asaj kohe raportuan se “vrasja e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Bujar Kaloshi, akuzë kjo e cila më pas iu adresua anëtarëve të “Hakmarrjes për Drejtësisë”, ishte urdhëruar nga burgu i Bënçës.
kajoshi1

Në shkrimet e asaj kohë nuk identifikohet urdhëruesi, por një gjë dihej se në atë kohë në burgun e Bënçës ndodheshin duke vuajtur ditët e burgut, ish-kryeministri Fatos Nano dhe ish-Ministri i Brendshëm Aredin Shyti. Këtu filloi edhe dalja në skenë i emrave të parë të të akuzuarve si pjesëtarë të kësaj organizate.

Sipas avokatit Dylber Mane, i cili për 12 vjet ka ndjekur këtë çështjes gjithçka filloi me 16-tetor të vitit 1996, kur në një emision special doli para mediave, Ministri i Brendshëm i asaj kohe, për të dhënë “haberin” se është zbuluar një “organizatë terroriste me karakter politik për të rrëzuar demokracinë”, e krijuar në vitin 1992 nga Orik Shyti, djali i Aredin Shytit, ish-zvministër dhe Ministër i Brendshëm për periudhën Janar-Korrik 1991, i dënuar me 17-vjet heqje lirie me akuzën “vrasje me dashje indirekte” për ngjarjen e ndodhur në Shkodër më 2-prill 1991″.

Përveç armëve, në sekuencat filmike të dhënë nga Ministri i Brendshëm i asaj kohe, sipas avokatit Mane, tregoheshin të filmuara dokumente, ndër të cilat: “kode sekrete komunikimi”; “platforma dhe skema e funksionimit të organizatës”; “plane për krimet që kishin kryer nga viti 1992-1996 dhe ato që do kryenin, duke përfshirë edhe vrasjen e kryeministrit të tanishëm, Sali Berisha, që në atë kohë ishte president.

Të parët që dolën në media, si të akuzuar ishin i pandehuri Leart Shyti dhe i ndjeri Enkeled Agaj, të cilët shqiptonin fjalë kritike për qeverinë. Por, më 12 dhe 13-mars të vitit 1997, burgjet u hapën dhe të arrestuarit e dyshuar si pjesëtarë të ashtuquajturës organizata kriminale “Hakmarrja për Drejtësi” u larguan për mos t’u kthyer në qelit e tyre. Shumica prej tyre botuan në shtyp tregime rrëqethëse për tortura të ushtruara gjatë marrjes në pyetje nga njerëzit e policisë së asaj kohe./360grade.al

Share: