Home KRYESORE Ja Çamët e Edit!

Ja Çamët e Edit!

Nga Flamur TAJARI

Një deputet i dalë nga PDIU në 2013 sot është nxjerrë nga Parlamenti, dy të tjerë të grupit kuvendor të PDIU po diskutohen t’u hiqet mandati. Që të treve prej “dekriminalizimit”. Ç’bëhet kështu?

Kur çamët nisën organizmin dhe sidomos atë politik, tronditja qe e madhe. Shumë u entuziazmuan dhe shumë u trembën. Forca dhe vitaliteti i këtij komuniteti njihet mirë në Shqipëri. Deri në atë kohë politika i kishte përdorur si kishte mundur.Tashmë që po grupoheshin në forcën e tyre, të gjithë pritëm që të jenë një parti e fuqishme, ndër të paktat me ideal dhe aktore e rëndësishme në skenën politike.

Kujt do t’ia merrte mendja se në 2017 çamët do të identifikoheshin me krimin dhe të keqen? Cili çam ka menduar, kur u themeluan partitë e tij, se sot do të ishin diversantët e Edi Ramës në intrigat e tij për pushtet? Cili çam ka ëndërruar se ideali i tij do të qe pritja e pafund për një vend pune që do t’i falë Edi Rama kur t’i teket?

Shpëtim Idrizi ia ka dalë që t’i mbushë mendjen komunitetit çam se AI është përfaqësuesi i tyre, pavarësisht se në partinë e tij ç’nuk gjen. Më mirë me thënë, në emërimet në administratë për llogari të çamëve ç’nuk gjen….natyrisht, tek – tuk, ka edhe çam!

Nisur edhe nga historia dhe kuptimi i këtij komuniteti të nderuar, të paktën patriotizmi dhe çështja kombëtare pretendohej të qenë ADN – ja e saj. Por nën hijen e një internacionalisti sorosian si Edi Rama, këto koncepte janë tretur. Kush e ka parë e dëgjuar Shpëtim Idrizin a deputetët e tij të prononcohen për çështjet e ndjeshme shqiptare, nga marrëdhëniet me Serbinë, tek situata në Maqedoni. Ramush Haradinajt, Idrizi i ka dhënë Urdhërin e Mirënjohjes së Shoqatës Çamëria, ama tashmë që u arrestua në Francë nuk u ndje.

Tashmë çamët janë kontorno në pjatën e Edi Ramës, servirur lirë fare nga ata që në emër të një kauze të shenjtë morën përsipër t’i përfaqësojnë. Si tek “Lulëkuqe mbi mur” prej 4 vitesh presin gojëhapur t’u hedhë kafshatën kryeministri, por ky i fundit, sa kohë që i ka të mbledhur aty nuk ka ndonjë arsye pse t’ua lëshojë atë kafshatë.

Si do të shkojnë pra në zgjedhje çamët? Me damkën që janë kriminelë, drogaxhin e tradhëtarë? Deri më sot, kështu po i çojnë, pavarësisht se ai komunitet nuk është i tillë. Por për shkak të lidershipit pragmatist, ideali është konvertuar në përqindje pushteti, sakrificat në para dhe të fortë që “vënë në rresht” çamët, dhe atdhetarizmi në atavizëm të rilindjes. Gjynah ta thuash, por sot janë bërë çamët e Edit. Këtu i ka katandisur lidershipi./parrena.com

Share: