Home KRYESORE Kërcënon Gruevski: Zgjedhje të reja ose…

Kërcënon Gruevski: Zgjedhje të reja ose…

Ish kryeministri Nikolla Gruevski këmbëngul se zgjedhjet e parakohshme janë shans për shtetin pasi në të kundërtën sipas tij kriza do të thellohet.

“Më mirë të fitojmë mundësi dhe shans, se sa të futemi në krizë të vazhdueshme. Më mirë të konsumohen 2 muaj për zgjedhje të reja, se sa 6 muaj apo një vjet të ngecim në krizë politike”– shprehet Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO DPMNE-së.

Megjithatë ekspertët juridik vlerësojnë se në kohën kur vendi nuk ka konsumuar të gjitha mundësitë ligjore për formimin e shumicës parlamentare nuk është e arsyeshme të kërkohen zgjedhje të reja. Sipas tyre vendi ka nevojë për formimin e shpejtë të qeverisë dhe përmbushjen e reformave urgjente por jo për zgjedhje të reja.

“Nuk e shoh të arsyeshme që të shkohet në zgjedhje të parakohshme sepse mund të sigurohet shumica në parlament dhe ajo është rregulla kryesore me të cilën mund të funksionojë dhe parlamenti ka legjitimitetin e plotë të vazhdojë punën me kapacitet të plotë. Ndërsa eventualisht nëse nuk arrihet ndonjë shumicë brenda parlamentit që të reflektojë me rastin e formimit të qeverisë atëherë në aspektin ligjor nuk ka ndonjë kufizim mund të organizohen zgjedhje të përbashkëta edhe parlamentare dhe lokale”– tha Mersim Maksuti, ekspert juridik.

Maksuti shtoi se zgjedhjet e mundshme të parakohshme duhet t’i organizojë një qeveri tjetër teknike që do të formohej si rezultat i një marrëveshjeje të re politike midis forcave kryesore dhe jo qeveria aktuale. Zgjedhjet e reja janë një nga 5 opsionet edhe të BDI-së ndërkohë që subjektet e tjera politike janë kundër organizimit të tyre./Alsatm/

Share: