Home KRYESORE Peleshi i premtoi zgjidhjen banorëve të Zharrës! Me vone polica nderhyri…

Peleshi i premtoi zgjidhjen banorëve të Zharrës! Me vone polica nderhyri…

Në takimin që kishin në kryeministri me Niko Peleshin, banorëve të Zharrës iu premtua se do t’i plotësohej çdo kërkesë që kishin. Por sapo dolën nga aty, qeveria i dërgoi policinë për t’i mohuar vazhdimin e protestës. Gjatë përplasjes me policinë, njëri prej tyre përfundoi në spital. Qani Rredhi, 62 vjeçari që kishte ecur në këmbë për tre ditë, u godit nga policia dhe i ra të fikët në hyrjen e Ministrisë së Energjisë. Shtëpia e 62 vjeçarit është e shkatërruar, ndërsa familja e tij e sëmurë për shkak të ndotjes së ujit bën me dije Nisma Thurje, aktivistët e të cilës i janë bashkuar protestës.

qani redhi i zharres

Por çfarë iu premtua banorëve në takimin me zv.kryeministrin Peleshi? Sipas njoftimit të Ministrisë së Energjisë, “takimi u zhvillua në një frymë pozitive dialogu dhe ku u dakordësua mes palëve për vazhdimin e procesit të filluar tashmë për zgjidhjen e situatës së krijuar”. Premtimet për banorët kanë të bëjnë me ndaljen përfundimtare të shpimeve me ujë teknologjik nga Bankers, që bëhet shkak për tërmetet në Zharrëz.

“Që në datën 26 Dhjetor 2016 është urdhëruar ndalimi i injektimit të ujit teknologjik nga Bankers Petrolim në zonën e Zharrëzës, ndalim që vazhdon dhe sot. Nga banorët u kërkua që ndalimi të bëhet definitiv ç’ka u pranua dhe institucionet përkatëse do të marrin masat për ndalimin përfundimtar të injektimit të ujit teknologjik në zone njësoj siç e përcakton edhe raporti i grupit ndërministror të punës.

• Është bërë vlerësimi paraprak i dëmeve të shkaktuara në banesat e qytetarëve të Zharrëzës. Janë evidentuar 508 shtëpi të dëmtuara prej të cilave 44 të dëmtuara rëndë dhe 26 të pabanueshme. Banorët kërkuan që vlerësimi të mund të rikryhet në ato raste kur ka kontestime. Brenda javës së ardhme do të ngrihet një grup me ekspertë teknikë për të rivlerësuar rastet e kontestuara nga banorët.

• Nga Drejtoria e Emergjencave Civile dhe pushteti lokal, në mënyrë të menjëhershme janë marrë masa për ndjekje me procedurë të përshpejtuar të procesit të sistemimit në banesa me qera në mënyrë të përkohshme për banorët e 70 shtëpive të dëmtuara në mënyrë të rëndë, derisa ato të riparohen apo rindërtohen sipas rastit. Sistemimi i banorëve dhe riparimi i dëmeve të këtyre 70 banesave do të bëhet në masë të plotë nga qeveria dhe kompania pa pritur zbulimin shkencërisht të provuar të shkaqeve të lëkundjeve. Brenda javës që vjen, qeveria angazhohet të përmbyllë të gjitha modalitetet e kërkuara nga grupi ndërministror i punës ngritur me urdhër të Kryeministrit. Për banesat që nuk klasifikohen në gjendjen e emergjencës do të shpërblehen gjithashtu në mënyrë të plotë në varësi të rezultateve të ekspertizës së pavarur mbi shkaqet e lëkundjeve” thuhet në njoftim.

Sipas asaj që thuhet në njoftim,  kërkesat e banorëve mund të konsiderohen të plotësuara, por protesta nuk do të ndalet. Ky është rasti i dytë që banorëve i premtohet zgjidhja e situatës, ndaj grevistët e kanë humbur besimin tek fjalët e Niko Peleshit/ Lapsi.al

Share: