Home KRYESORE Shpërthen Prokurori i Përgjithshëm: Ambasadori i SHBA po na shantazhon për arsye...

Shpërthen Prokurori i Përgjithshëm: Ambasadori i SHBA po na shantazhon për arsye personale

Ka reaguar fort Prokurori i Përgjithshëm pas akuzave të ambasadorit amerikan Donald Lu se kryeprokurori ka qenë kundër reformës në drejtësi dhe ka ndërmarrë veprime antikushtetuese. Në një reagim publik, kryeprokurori Llalla i quajti akuzat e ambasadorit Lu si aspak diplomatike, por tentativa të vazhdueshme për të shantazhuar institucionin e prokurorisë për interesa tërësisht personale.

Në reagim thuhet se kryeprokurorit iu refuzua viza amerikane vetëm për shkak të një letre që ai u ka dërguar institucioneve shtetërore, me anë të së cilës i ka vënë në dijeni për disa praktika shantazhuese të ambasadorit. Po kështu, prokurori i përgjithshëm deklaron publikisht se akuzat e ambasasdorit janë të lidhura me hetimet që po kryen prokuroria ndaj disa politikanëve që kanë mbështetjen e ambasadorit dhe ndaj disa deptuetëve që ambasadori u ka kërkuar votën edhe me anë të shantazhit për reformën në drejtësi, të cilët dyshohet se preken nga ligji për dekriminalizimin.

Prokuroria e Përgjithshme reagon ndaj deklaratave të Ambasadorit Amerikan në Tiranë

Prokuroria e Përgjithshme është gjendur ditën e sotme në një sulm të hapur dhe të paprecedent nga ambasadori aktual në Tiranë, z. Donald Lu, lidhur me qëndrimet e institucionet përsa sa i përket Reformës në Drejtësi dhe kandidaturave për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Dëshirojmë të njoftojmë median dhe, nëpërmjet Jush, edhe opinionin publik shqiptar se, këto sulme tërësisht jo-diplomatike nuk janë aspak të reja për institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Sa i përket Reformës në Drejtësi, Prokuroria e Përgjithshme dhe prokurorët kanë mbështetur që në fillimet e saj nevojën për reformim. Në qëndrimet zyrtare dhe publike, Prokuroria ka identifikuar problematika në draftet kushtetuese dhe ligjore, për të cilat ka shprehur qëndrimet e saj parimore dhe në frymën e së drejtës. Duhet theksuar se këto qëndrime kanë gjetur mbështetjen e plotë në Opinionin e Komisionit të Venecias, i cili, siç dihet tashmë, ka rrëzuar një pjesë të konsiderueshme të drafteve të propozuar nga ekspertët e huaj, të mbështetur publikisht nga Ambasadori Lu.

Sa i përket procedurës së kandidimit të anëtarëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ftojmë zotin Lu dhe ekspertët e tij të rilexojnë ligjin përkatës mbi kriteret e anëtarëve të këtij institucioni. Është shumë e rëndësishme që ambasadori Lu të lexoj variantin zyrtar, si në shqip, ashtu edhe në anglisht.

Prokuroria e Përgjithshme i bën të qartë zotit Lu se, nëse është mësuar të jetë zot në ambjentet e politikës shqiptare, këtë nuk mund ta realizojë me institucionin e Prokurorisë.

Për fat të keq, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka shumë paqartësi brenda, të cilat kanë shkaktuar kaos institucional të papranueshëm.

Zoti Lu mendon se ka në dorën e tij fatin e Prokurorisë kur shantazhon institucionin për mbyllje hetimesh apo me heqje vizash. Duhet ta ketë të qartë ai dhe kushdo tjetër që, për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore, prokurorët e Republikës nuk kanë nevojë për viza.

Këto presione të Ambasadorit Amerikan në Tiranë janë tipike sorosiane, të cilat kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të zhvlerësojnë institucionet.

Ky reagim i Ambasadori Amerikan në Tiranë, Donald Lu, vjen menjëherë pasi Prokuroria e Përgjithshme njoftoi zyrtarisht krerët më të lartë të shtetit shqiptar, Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, mbi presionet dhe shantazhet e vazhdueshme të ambasadorit Lu kundrejt institucionit.

Duke kërkuar mirëkuptimin Tuaj për kohën, dëshirojmë t’Ju prezantojmë letrën e plotë që u është dërguar autoriteteve më të larta shtetërore shqiptare për veprimet jo-diplomatike të Ambasadorit Lu.

LETRA DERGUAR NISHANIT E METËS

   PROKURORI I PËRGJITHSHËM

Nr. _______Prot                                                                                             Tiranë më __.__.2017

     Lënda:       Informacion mbi revokimin e vizave amerikane për disa prokurorë

Drejtuar:  SH.T.Z. Bujar NISHANI 

President i Republikës

   Z. Ilir META

Kryetar i Kuvendit

T I R A N Ë

Të nderuar Zotërinj,

Ju informoj se Prokuroria e Përgjithshme e Republikes gjendet gjatë ditëve të fundit nën një presion të hapur nga ana e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Nëpërmjet një lëvizje aspak diplomatike, Prokurorit të Përgjithshëm, i është anulluar viza diplomatike, si edhe disa prokurorëve të lartë ju janë anulluar gjithashtu vizat e dhëna nga kjo ambasadë konform rregullave të parashikuara nga ligjet e këtij shteti.

Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, kjo lëvizje, për të cilën ritheksojmë që është aspak diplomatike, ka disa arsye, të cilat lidhen me qëndrime dhe përfitime personale të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, z. Donald Lu.

Pak javë më parë, Ambasada e SHBA në Tiranë njoftoi Prokurorin e Përgjithshëm se është anulluar viza diplomatike e tij dhe e bashkëshortes së tij.  Si shkak për këtë veprim tërësisht në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit, ka shërbyer një udhëtim për arsye shëndetësore në SHBA, i bashkëshortes së Prokurorit të Përgjithshëm.

Ky veprim i Ambasadorit Lu është vijim i sjelljeve shantazhuese që ai ka prezantuar ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Prej kohësh, z. Lu, duke u prezantuar si nxitës i Reformës në Drejtësi në Shqipëri, ka kërkuar me presion që Prokuroria e Përgjithshme të mbajë qëndrime hapur pro paketës ligjore, edhe në ato raste kur projektet ligjore, siç ka rezultuar më pas nga Opinioni i Komisionit të Venecias, kanë qenë tërësisht në kundërshtim me normat kushtetuese, si edhe me respektimin e të drejtave të njeriut.

Në komunikimet zyrtare dhe informale, Ambasadori Lu ia ka bërë të qartë Prokurorit të Përgjithshëm se, nëse nuk do të mbronte publikisht ndryshimet ligjore, do të kishte pasoja personale dhe institucionale.

Gjithashtu, Ambasadori Lu, në më shumë se njëherë, ka ushtruar presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të mos vijuar hetimet ndaj disa kompanive, për të cilat kanë ekzistuar dyshimet se kanë shkelur ligjet shqiptare.

Rasti më flagrant, i cili është i dokumentuar me shkresë zyrtare, i bere publik edhe ne media, i referohet ndërhyrjes së drejtëpërdrejtë të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, në hetimin që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi ndaj kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”.  Kjo kompani akuzohej nga mediat dhe banorët e zonës ku ushtron aktivitetin se u kishte sjellë dëme të pariparueshme në pasuritë dhe shëndetin e tyre.  Për këtë rast, Ambasadori Lu ka kërkuar, në kundërshtim me çdo lloj komunikimi diplomatik dhe ligjor, që hetimi të mos vijonte, pasi pasojat do të godisnin në mënyrë të drejtëpërdrejtë Prokurorin e Përgjithshëm.

Të nderuar zotërinj,

Ambasada e SHBA në Tiranë i ka revokuar vizën, ndër të tjerëve, edhe Drejtorit të  Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, njëkohësisht edhe drejtues i Sektorit të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme.

Drejtori, i vetmi prokuror magjistrat në Prokurorinë e Përgjithëshme, ka mbajtur qëndrime thellësisht profesionale sa i përket paketës ligjore të Reformës në Drejtësi, si edhe ka shprehur opinione për disa problematika në prani të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, si edhe ekspertëve të tjerë vendas dhe të huaj.

Prokuroria e Përgjithshme vlerëson se edhe veprimi aspak diplomatik ndaj prokurorëve është një reagim ndaj qëndrimeve parimore të tyre, të cilat nuk përkonin plotësisht me projektet ligjore të mbrojtura nga Ambasadori dhe disa prej ekspertëve të tjerë, vendas apo të huaj.

Prokurori në fjalë, është një ndër zyrtarët më të rëndësishëm të Prokurorisë Shqiptare, sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, sidomos në luftën kundër terrorizmit global dhe krimit të organizuar trans-nacional.

Gjithashtu në drejtim të strukturës shumë të rëndësishme të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila tashmë ka nisur të japë rezultate konkrete në përjashtimin të disa deputetëve nga Kuvendi i Shqipërisë, si edhe të zyrtarëve të lartë nga administrata shtetërore, të cilët rezultojnë të përfshirë në veprimtarinë e krimit të organizuar brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.  Kjo strukturë po vijon me veprimet e saj dhe rezultatet do të prekin edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë, kryesisht persona të cilët Ambasadori Amerikan në Tiranë i ka shantazhuar publikisht dhe privatisht për të siguruar vota parlamentare për kalimin në parlament të projektit të mbështetur prej tij për Reformën në Drejtësi, ku, mesazhe telefonike të dërguara nga kjo Ambasadë, janë bërë publike edhe në media.

Ju informojmë gjithashtu se përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithëshme ishte kandidaturë dhe tashmë është zgjedhur si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).  Një ditë para hedhjes së shortit nga Kuvendi i Shqipërisë për përzgjedhjen e anëtarëve të KED, për shkak të mungesës së konkurencës, kandidati i vetëm për anëtarin nga Prokuroria e Përgjithshme në këtë strukturë, thirret me urgjencë nga konsulli në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokurori gjendej në një takim të IPA 2014,  Rrjetit të Prokurorëve të Ballkanit, i cili zhvillohej në Gjermani dhe u detyrua të rikthehej me urgjencë, duke vlerësuar se, për shkak të pozicionit të si Drejtor i Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, mund të ishin temë diskutimi çështje me rëndësi ndërkombëtare, përfshirë edhe terrorizmin.

Në takimin në Ambasadën Amerikane, Prokurori çuditërisht, nuk u prit nga konsulli, por nga një tjetër punonjës, i cili, pa dhënë asnjë shpjegim, i komunikoi asaj vendimin për revokimin e vizës amerikane.

Fakti që Prokuroi u kërkua me urgjencë në Ambasadën Amerikane, vetëm një ditë para hedhjes së shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vlerësohet si një manovër aspak diplomatike, për të ushtruar shantazh ndaj përfaqësuesit të Prokurorisë, por edhe institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme, për interesa të segmenteve të caktuara politike që synojnë kapjen e institucioneve të drejtësisë.

Në vijim, Ju informojmë gjithashtu, se Ambasada Amerikane në Tiranë u ka revokuar vizën edhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të Prokurorisë, të cilët kanë nën hetim persona me pushtet në Shqipëri, të cilët njihen publikisht si faktorë bashkëpunues të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, z. Donald Lu.

Këta persona, të cilët gëzojnë mbështetjen e Ambasadorit Amerikan, janë pjesë e segmenteve të caktuara të politikës, por që ka dyshime që janë të lidhur edhe me botën e krimit të organizuar, të cilët po tentojnë në çdo formë për të deligjitimuar, shantazhuar dhe paralizuar institucionin e Prokurorisë.

Kjo sjellje kundër institucionit të Prokurorisë, e cila po agravohet edhe me ndërhyrjen aspak diplomatike të Ambasadorit Lu, është në vijim të sulmeve të hapura kundër të gjithë trupës së prokurorëve gjatë dy viteve të fundit, kohë në të cilën është diskutuar mbi Reformën në Drejtësi.

Qëndrimet e ditëve të fundit të Ambasadori Lu, lidhur me revokimin e vizave, i shohim si kundërvënie ndaj qëndrimeve profesionale të trupës së prokurorëve ndaj drafteve ligjore për Reformën në Drejtësi, të mbrojtura nga Ambasadori Amerikan në Tiranë.

Vlen të theksojmë se, shumë prej problematikave të prezantuara nga Prokuroria, u konsideruan të tilla dhe u korrigjuan edhe nga Komisioni i Venecias, i cili u investua për të dhënë opinion nga palët politikë në Shqipëri.

Pra, nuk hezitojmë të shprehemi se, sjellja e Ambasadorit Amerikan në Tiranë mund të konsiderohet edhe si një hakmarrje e tij personale për qëndrimet parimore të Prokurorisë së Përgjithshme.

Gjithashtu, nuk hezitojmë të shprehemi se, kjo sjelle jo-diplomatike nga ana e Ambasadori Lu është rrjedhim i shantazheve të papranuara nga ana e Prokurorisë lidhur me disa çështje konkrete hetimi, për të cilat dukshëm ai ka pasur interesa thellësisht personale.

Të nderuar zotërinj,

Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokurori i Përgjithshëm në veçanti, Ju sigurojnë se institucioni do të vijojë të përmbushë me korrektesë maksimale detyrimet e saj që rrjedhin nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacioni përkatës.

Ju sigurojmë se institucioni i Prokurorisë nuk do të shantazhohet nga asnjë faktor, vendas apo i huaj, në përmbushjen e detyrimeve të saj kushtetuese dhe ligjore.

Institucioni ynë është i vetëdijshëm se, me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri, të cilat zhvillohen në Qershor 2017, segmente të ndryshme politike, të mbështetur edhe nga faktorë të jashtëm të lobuar, do të tentojnë të ushtrojnë presion ndaj Prokurorisë dhe Prokurorëve të Republikës. Ju garantojmë se do të merret çdo masë, për aq sa i takon institucionit, që të sigurohet vota e lirë.

Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të ndjekë me përparësi të veçantë zbatimin e ligjit “Për Dekriminalizimin”, me qëllimin e vetëm për të siguruar pastërtinë më të lartë të Parlamentit dhe Administratës Publike Shqiptare.

Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të mbështesë zbatimin e Reformës në Drejtësi, larg çdo presioni e shantazhi që synon deformimin dhe kapjen e institucioneve të drejtësisë.

Duke Ju falenderuar për mirëkuptimin Tuaj,

PROKURORI I PËRGJITHSHËM

ADRIATIK LLALLA

Share: