Home KRYESORE UNË JAM AI… MILITANTI…

UNË JAM AI… MILITANTI…

NGA RENALDO SALIANJI

E ke dëgjuar shpesh emrin tim. Mund të kesh njohur edhe ndonjë të sojit tim, por ti nuk më njeh aq sa duhet mua. Unë jam qenia më e shpërfytyruar që krijoi ky kapitalizmi shqiptar, ky tranzicioni ynë 25 vjecar.

Jeta ime, ashtu si ajo e shumë kafshëve të tjera letargjike është e ndarë në dy faza.  Para, dhe pas zgjedhjeve.  Intensitetin më të madh ajo e ka para zgjedhjeve, gjatë fushatës… aty unë behem i dobishëm. Aty është rasti më i mirë që unë ti bie në sy liderit për devotshmerinë time. Unë kam shumë detyra gjatë fushatës, si për shembull: të ngjis postera nëpër mure, të shkruaj parrulla, të ndjek shefin tim në çdo takim që ai ben, të trokas duart kur ai flet, të brohoras, të çirrem, t’u mbush mendjen të tjerëve se ne kështu, e ne ashtu, e lloj e soj genjeshtrash të tjera qe as unë vetë nuk i besoj. Por një detyrë tjetër gjatë fushatës është të mbush sallat apo sheshet e mitingjeve. Partia vendos një numër të caktuar të njerëzve që unë duhet të sjell, dhe une duhet t’i gjej nga janë e nga s’jane , se kjo është detyra ime. Por kam edhe detyra të tjera, si: te shperndaj 20-mijë lekëshat dhe thasët me miell një natë para zgjedhjeve. I ngarkuar si një hajvan pune, unë  çaj erresiren, ndofta edhe borën apo shiun dhe i çoj thasët me miell atje ku më ka thënë partia. Pastaj ditën tjeter, ashtu i përgjumur dhe i lodhur, duhet të shkoj të ruaj votat, se mos na i vjedhin ata hajdutët dhe maskarenjtë e partisë tjetër.

Unë punoj gjithmonë në heshtje. Di gjithçka per ty.  Kerkoj në arkivat e Vatikanit, me teleskopët e NASA-s, në dosjet e sigurimit, KGB-se, UDB-se, CIA-s, MOSSAD-it dhe zbuloj çdo gjë për ty. Sa femijë ke. Ku i ke ne shkollë. Për çfarë studiojnë, sa pike kanë marrë tek kolegiumi i fundit, me çfarë e ha ti dreken, edhe sa të ka mbetur nga letra higjenike, çfarë ngjyre i ke pllakat e tualetit, çfarë pune të ka bërë babai, gjyshi, stërgjyshi, ku  punon nusja e djalit të xhaxhait të gruas tënde, sa dhemballë ke të mbushura e tërci e vërci si këto. Deri sa të gjej një kleçkë në biografi.

Dhe nje ditë, të dal në rrugë si gjoja rastësisht, të fus krahun dhe të marr me zor për kafe. A te vij ne shtëpi vonë në darkë, dhe ashtu si më të qeshur, të them se ti na detyrohesh ne, se ne të kemi futur në punë nusen e djalit të xhaxhait të gruas tënde. Dhe në qoftë se kjo nuk pi ujë të kërcenojme me femijët. Se ne e dimë që në filan lënde ai çalon, se edhe atë bursen që merr se është me rezultate të shkëlqyera, ne mund t’ia heqim.

Kjo është mënyra si punoj unë në fushatë. Kështu i bëj edhe ata numrat që më kanë caktuar.  Pastaj, pas fushatës ka dy mundësi. Ose ne fitojmë zgjedhjet dhe unë kam nje post të siguruar në administratë, drejtor, doganier, tatimor, taksidar, polic, pune shteti mo. Ore po edhe gëdhë e dru në jam, partia do ta gjejë një  vend për mua a do ta krijojë një, edhe ne qoftë se nuk ekziston.  Dhe kështu mbushet administrata me njerëz të sojit tone.

Ne rrimë me kostume. Kapardisemi nëpër zyra, me një kompjuter përpara dhe gjithë ditën e perendisë punojmë, luajmë “solitaire” sa lodhemi, djersë na kullojnë. Dhe kur ti na troket tek dera e zyrës për një hall, aty është momenti kur mua më duket vetja i zoti.  Filloj të çirrem, të bertas të të trajtoj si të pa aftë, të nxjerr jashtë, paçka se ti mund të jesh një goxha profesor, e unë një gëdhë. Por më beso. Unë nuk sillem keshtu se nuk dua të të  mbaroj punë, por nuk di si bëhet puna. Se jam i pa aftë. Dhe ulem e vazhdoj përsëri atje ku e kam lënë me “solitairen”,  e ty të dërgoj tek një zyrë tjetër, ku po prap atje punon një i sojit tim. Edhe ai të dërgon në një zyrë tjetër, ai tjetri në një tjetër. Deri sa vjen prap tek une. Keshtu të sorollatim një jetë të tërë. Se fundja ne jemi në pushtet, dhe kemi punuar për këtë ditë. Ti vetë na ke votuar.

-Po nëse nuk i fitoni zgjedhjet?

Në qoftë se nuk fitojmë… e thjeshtë fare.  Nxjerr atë testeren tjetër që e kam pasur të fshehur. Ose po nuk e pata, marr një tjetër dhe problemi u zgjidh. Bashkohem me ata tjerët, i tregoj të gjitha pisllëqet që kanë bërë ata maskarenjtë që humbën zgjedhjet,  dhe prap do ta kap një zyrë, do vazhdoj të luaj “solitaire” e ti prap do vish të më trokasësh tek dera.

Kjo ishte faza e parë e jetës sime.  Pastaj faza e dytë është shumë e mërzitshme. Gjatë kësaj faze pres të më qetësohen duart që më janë bërë plagë duke duartroktur shefin në fushatë, dhe të më qetësohet zëri që  më është ngjirrur nga çjerrjet dhe brohoritjet. E vetmja punë që kam për të bërë, është të shpërndaj në fejzbuk postimet e shefit tim. E shefit të shefit tim. E shefit të shefit të shefit tim e kështu deri sa arrijmë tek shefi i madh. Edhe nëse unë harroj ta bëj këtë gjë, nuk ka problem, se është dikush që  ma kujton cdo ditë këtë gjë. Por tani më është bëre si shprehi kjo punë, spara harroj më.  Kjo është arsyeja pse shefat tanë marrim më shumë shpërndarje në fejzbuk sesa komente. Se unë apo të tjerët e sojit tim, as që i lexojmë ato broçkullat që ai shkruan.  Na duken budallallëqe, ose në rastin më të mirë nuk  i kuptojmë, se jemi gëdhënj.

Ky pra jam unë. Militanti. Njeriu i sakrificave dhe fitoreve të  medha. Unë nuk kam tru, se nuk ka ç’më duhet. Mendon partia për atë që unë duhet të them dhe mendoj. Jam idiot, nuk kam bërë shkollë.  Kur isha i ri, bleva nja dy diploma atëhere në kohën e rrëmujës, dhe tani i mbaj ato fort. Futem nëpër konkurse dhe të zë vendin ty që je përpjekur me shkollë e me mastera e militantidoktoratura a ç’jane ato. Ama për të folur flas mirë, edhe pse budalla. Partia më ka mesuar të bilbiloj, natyrisht, ato që duhet, dhe të mos e kaloj cakun. Se po e kalova, më ndodh si tek ajo historia e gomarit me lekurë luani. Do ta kuptojnë që jam gomar.

Unë  rri urtë. Lëpi kockat që më hedhin shefate mij, dhe kaq më mjafton deri në zgjedhjet e radhes.

Ky pra jam unë… Militanti.

Share: