Home KRYESORE Vjedhja e bankave, traditë apo risi në qeverisjen e fundit?!

Vjedhja e bankave, traditë apo risi në qeverisjen e fundit?!

Do të ishte çudi që ndër të tjerë tipare të të qenit pjesë e integruar e Europës, është dhe dukuria negative e antinormave të një shoqërie demokratike.

Pa u zgjatur, sa më shumë të rritet numri i vjedhjeve të parave të depozituara nga shqiptarët në banka, aq më shumë pasiguri në shoqëri dhe, sa më shumë pasiguri për paranë e qytetarëve, aq më shumë pasiguri për një sistem demokratik që, rrjedhimisht, të çon te dyshimi i arsyeshëm se demokracia është e pasigurt, për shkak të hipotezës se zgjedhjet mund të blihen me paratë e vjedhura.

Radhitja e vjedhjeve të bankave në vite, në sasi, në nivele profesionale të vjedhjes, në nivelet e investigimit dhe zbulimit të policisë së shtetit, të … kapjes së autorëve dhe, fatkeqësisht, dënimit të tyre mbetet një “bosh“ i madh që hedh dyshimin vetëm mbi aftësinë e qeverinë në dy opsione: mungesë efektiviteti dhe efiçence (veprimtarisë së dobishme dhe më të mirës) së policisë së shtetit, ose kapje e shtetit nga krimi.

Shumë vjedhje në banka dhe në proçesin e trasferimit të parave të bankave gjatë viteve të qeverisjes Rama, si asnjëherë tjetër! Përse?! A është, thjesht, paaftësi e policisë së shtetit? A është, thjesht, bashkëpunim mes krimit të organizuar dhe segmenteve në qeverisje? Apo, thjesht, shitje e interesit kombëtar që ve në dyshim se ku varet pushteti i qeverisë?

ZOT NA RUAJ!

Vetëm një shoqëri pa identitet kombëtar, ose pa moral, lejon një gjendje të tillë. Por, meqenëse ngjarje të tilla në Shqipëri nuk perceptohen si interes publik nga qytetarët për mungesë të informacionit të thjeshtë dhe të kuptueshëm publik, nuk kanë shkaktuar dhe, mesa duket, nuk shkaktojnë zemërim për të protestuar sikundër u protestua për lëndët helmuese jo shumë muaj më parë.

Me të drejtë, çdo qytetar, ka hedhur dyshimin se në këtë dukuri “ka dorë shteti“. Dhe, nëse në të vërtetë do të kishte dorë shteti, atzëherë me të drejtë lind e drejta për të parë dhe krahasuar si shfaqet kjo dukuri ndër vitet e qeverive të ndryshme?

Një krahasim i tillë me fakte dhe shifra që mbështesin faktet, pa dyshim, tregojnë se ku është niveli i rendit publik në vend, ose më saktë si po përdoren paratë e paguara për tatime dhe taksa të qytetarëve shqiptarë, për aq sa i përket rendit dhe, veçanërisht, ruajtjes së parave të kombit.

Natyrisht, Banka e Shqipërisë, nuk është forcë policore, por është forcë menaxhuese e parasë së shqiptarëve dhe, si e tillë, duhet të ndërhyjë (kuptohet brenda të drejtave kushtetuese) për të kontrolluar veprimtarinë e bankave të nivelit të dytë (ku ndër to është dhe sigurimi dhe risigurimi i depozitave dhe transferimit të fondeve).

ÇFARË KA NDODHUR ME VJEDHJET E VITEVE TË FUNDIT?!

As më pak adhe as më shumë: është zhbërë edhe ai pak emër i mirë që do të forconte të ardhmen e vendit. Me dashje, ose pa dashje duket se kësisoj janë shitur interesat kombëtarë.

Përse ka rrjedhur e keqja deri në këtë nivel?

Thuaj atëhere po të duash se përse politika nuk ka faj dhe se nuk është përgjegjëse për një gjendje të tillë. Dhe, pikërisht, po ndodhin këto ngjarje dhe jemi në një gjendje të tillë, pas premtimeve të bujshme për një rilindje që, fatkeqësisht, po rezulton si rilindje e “viteve të mbrapshtë“ dhe aspak imitim, apo pasqyrim i veprës së Kadaresë.

A kemi të bëjmë në këtë rast me një: “State capture“?!

O ZOT!

Lidhe të keqen!

Jepi këtij populli, të paktën, një mundësi tjetër!

Kasem Seferi – ekonomist/Perqasje.com

Share: