Home KRYESORE Vuçiç flet për dokumentin që kanë rënë dakord me Ramen dhe Zvizdic

Vuçiç flet për dokumentin që kanë rënë dakord me Ramen dhe Zvizdic

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka folur për herë të parë për një dokument konkret që është arritur mes tij, Edi Ramës dhe kryeministrit boshnjak Denis Zvizdic, për krijimin e një tregu të lirë dhe bashkim doganar për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Vuçiç e ka bërë të ditur këtë fakt gjatë një konference të përbashkët me homologun e Austrisë, Christian Kern, një prej shteteve që ka intersa të mëdha në Ballkanin Perëndimor.

Sipas kryeministrit serb, kjo lëvizje ka për qëllim që “të sjellë territoret tona më afër dhe të lehtësojë lëvizjen e mallrave”.

Ndonëse nuk dha shumë detaje, Vuçiç theksoi se kishte kryer konsultimet e para për dokumentin në gjuhën angleze, me kryeministrat Rama dhe Zvizdic.

“Ishte ideja ime për një treg të lirë dhe bashkim doganor që do të na bëjë një treg më të madh dhe më tërheqës. Sa më shumë të pasur të jemi, aq më mirë është për ne”, ka deklaruar kryeministri i Serbisë.

Në Tiranë nuk është dhënë asnjë informacion i tillë nga kryeministri Rama apo Ministria e Jashtme dhe nuk është përmendur ndonjëherë zhvillimi i bisedimeve për këtë çështje.

Vitet e fundit ka patur shumë ide të ngjashme për një bashkim doganar mes Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës, por asnjë herë nuk është folur për një dokument konkret, si ai të cilit iu referuara Vuçiç./360grade.al

Share: