Home KRYESORE Çfarë harron Batoni kur del në krah të Ramës?

Çfarë harron Batoni kur del në krah të Ramës?

Nga Artur Zheji

Është në të drejtën e tij Batoni. Të mbështesë dhe të dojë fitoren pas fitoreje të Edi Ramës. Për këtë ai ka investuar dhe investon shumë energji në Kosovë, si përfaqësues ekskluziv i Kryeministrit shqiptar në Prishtinë dhe në mediat e saj.
Mirëpo interesat e ndërsjella, të Batonit me Ramën, nuk janë objekt i këtij shkrimi.

Ajo çfarë shqetëson te parashtrimet e Baton Haxhiut, janë “harresat” e tij, krejtësisht të qëllimshme dhe krejt në favor të Edi Ramës dhe krejt kundër Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Sipas “Parashtrimit Haxhiu” në shkrimin e tij më të fundit, rikthehet si me porosi, teza se “e Keqja” e qeverisjes së tashme, është Ilir Meta dhe LSI, ndërsa PD dhe Opozita, nuk egziston fare politikisht.

Sipas Batonit dhe sipas analizës së tij të pamvarur, pjesa idealiste e klasës politike shqiptare, qënkej dhe qëndron vetëm te kryeministri Rama, mirëpo kompromiset që ai detyrohet të bëjë me Metën, janë arësyet e dështimit të kësaj qeverisjeje. Dhe prandaj, këshillon apo arësyeton Batoni, e vetmja “Zgjidhje” është zgjidhja dhe ndarja e Koalicionit PSI-LSI, si një ndarje nga e “keqja”, për të shpëtuar “pjesën e mirë”, që është e përqëndruar te Rama dhe Kupola e tij.

Mirëpo ka disa “Harresa” në këtë “parashtrimin Haxhiu”, që e bëjnë parashtresën të pabesueshme dhe mbi të gjitha, bartëse e një qëllim të caktuar elektoral, anti PD dhe anti LSI.

Por kush janë të paktën 5, nga shumë “Harresat” e Batonit, që vendosin në pikëpyetje parashtrimin e tij, si të pamvarur?

Harresa e Parë, lidhet me kriminalizimin e politikës. Në debatin që u zhvillua te Emisioni i Ylli Rakipit, Lubonja në replikë me Batonin, ishte shumë e qartë kjo “harresë” në pyetjen e Lubonjës: “Pse Rama e mbushi parlamentin dhe bashkitë me kriminelë dhe banditë?” Ku është këtu faji apo përgjegjësia e kriminalizimit të politikës, nga ana e PD dhe e LSI? Harron apo bën sikur harron, Batoni këtu?

Harresa e Dytë, lidhet me Kanabizimin e Shqipërisë. Ku qëndron përgjegjësia e Opozitës dhe e LSI në këtë turp dhe maskarallëk kombëtar? Kur ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, kontrollohej dhe kontrollohet nga Edi Rama? Dhe aq më tepër kur Ylli Manjani, një Ministër Drejtësie i LSI, u shkarkua sepse kërkoi një fushatë kombëtare antikanabis.

Harresa e Tretë, lidhet me Koncesionet në Shëndetësi dhe në fushën e Energjisë. Qindra e qindra miliona euro, të shpërdorura dhe të hedhura në ajër. Të dyja Ministritë, që kanë një përgjegjësi direkte për këtë politikë financiare shpërdoruese dhe me hije të rënda korruptive, janë eksponentë të Partisë Socialiste. Të kësaj Pjese të Koalicionit qeverisës, që Batoni e sheh dhe e prek për të shëndoshë dhe idealiste, në arësyetimet publike.

Harresa e Katërt e Batonit, lidhet me thelbin e kërkesës së Opozitës: “Garantizmin e zgjedhjeve të ardhshme”. A ka dijeni gazetari mik nga Kosova, se çfarë ka ndodhur me kriminelët e liruar më së fundi nga burgu? Vrasës serialë dhe pasionantë të politikës? Batoni duhet të lexojë objektivisht se çfarë ndodhi vjet në zgjedhjet e Peshkopisë dhe se kush e drejtoi në të vërtetë fushatën zgjedhore në terren atje. Që dhe solli rezultatin e një fitoreje spektakolare për PS.

Harresa e Pestë, dukshëm e vetëdijshme e Batonit, lidhet me Sistemin Zgjedhor, të tanishëm, që është një prodhim dy partiak PS-PD, ku Rama ishte dhe është krejt në sinkron me PD dhe që përjashton mundësinë e krijimit të forcave të reja politike, të cilat të kenë mundësinë e një konkurence të ndershme zgjedhore.

Thënë këtë, parashtrimi i Batonit, që nxjerr si përfundim llogjik, një fitore qeverisëse të pakushtëzuar të PS dhe të Edi Ramës, edhe për 4 vitet e ardhshme, si një forcë e vetme politike dhe me një superkryeministër të fortë, nuk sjell ndonjë të mirë për Shqipërinë, si edhe Batoni thotë si pikënisje të analizës së vet.

“Harresat” e tija të shumta, janë një shenjë aspak e mirë, për shëndetin e llogjikës arësyetuese. Duke patur besim që Batoni është inteligjent dhe ka një kujtesë të mirë, mund të dalim thjesht në përfundimin se ai, sapo ka hyrë në politikë.

Ky angazhim politik i njëanshëm dhe i këtyre përmasave, e rreshton Haxhiun në fushatën zgjedhore të Tiranës.

Share: