Home KRYESORE Dekretimi i Xhafajt/ Henri Çili kundër Nishanit

Dekretimi i Xhafajt/ Henri Çili kundër Nishanit

Në një opinion publikuar sot në Mapo.al, Çili shkruan se ai bëri diçka kundër logjikës, e kjo mund të quhet sipas tij nje skizofreni politike.

“Presidenti Nishani, kundër ndërgjegjes së tij, por në respekt të Kushtetutës dekretoi ministrin e ri të Brendshëm, Fatmir Xhafa, i akuzuar si hetues i komunizmit dhe si individ që ka bërë gjykime politike dhe ka torturuar njerëz, të paktën sipas pretendimeve të palëve. Këto argumente ishin të mjaftueshme për presidentin Nishani për të mos firmosur në kuadër të sensibilitetit të lartë publik për këtë periudhë dhe për këtë pozicion, kandidaturën e Fatmir Xhafës si ministër, por Kushtetuta nuk e lejonte, sepse Kushtetuta kërkon që ministër të bëhet çdo individ që plotëson kriteret për të qenë deputet”- shkruan Çili.

Sipas tij, “nga pikëpamja e logjikës kemi të bëjmë me një akt “skizofrenik”. E them këtë në thonjëza, pasi nuk kam asnjë pretendim apo etiketim mbi shëndetin mendor të presidentit tonë të nderuar, por të bësh diçka dhe të argumentosh të kundërtën, të firmosësh dekretin e të mos jesh dakord me atë, është nga pikëpamja e metaforës një skizofreni politike”.

Ai thekson se një autoritet i lartë publik, duhet të vendosë në koherencë aktet dhe mendimet e tij.

“Nëse akti, në këtë rast firmosja e një ministri që vjen nga radhët e aparateve të diktaturës, është kundër ndërgjegjes tënde dhe të detyron të shprehesh publikisht, ka diçka që nuk shkon. Si i tillë presidenti kishte vetëm dy rrugë; ose të firmoste pa folur dhe t’i mbante mendimet për vete, ose nëse kishte një krizë kaq të madhe ndërgjegjeje duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe të mos firmoste një ministër të tillë. Si i tillë, akti i presidentit do të kishte të paktën një vlerë të madhe publike. Do të instalonte një përgjegjshmëri shumë më të madhe në republikën tonë, kur qeveritë apo kryeministrat do të kërkojnë emërimin e individëve për ministra me një moralitet të dyshimtë ose kundër disa parimeve shumë të rëndësishme për republikën, e cila vjen fill pas Republikës Popullore të Shqipërisë, ku hetuesit apo individët në aparatin e lartë represiv të diktaturës kanë një problem të madh moral njëzet e ca vjet pas rënies së komunizmit, në kushtet kur flitet për pastërtinë e figurave, hapjen e dosjeve apo shumë e shumë elemente të kësaj natyre”- shkruan Çili.

Ai thekson me tej se Presidenti, duhet të kishte ndjekur një prej linjave; ose një linjë të ftohtë institucionale dhe formaliste siç i takon rolit të presidentit në rastet e vullneteve të shprehura nga një autoritet tjetër siç është kryeministri për emërimin e ministrave të tij; ose ai do të ishte ngritur në lartësinë e një akti moral, duke refuzuar vazhdimin e detyrës për shkak të krizës së ndërgjegjes që e ka përfshirë, siç tregoi në fjalimin përkatës në konferencën për shtyp dhe të kishte dhënë një mesazh të madh publik.

“Akti i dorëheqjes së presidentit Nishani dhe refuzimi i dekretimit të ministrit të Brendshëm ndoshta nuk do e kishte penguar esencialisht vajtjen e këtij ministri në zyrë ose përmbushjen e kryeministrit, por kjo do të ishte bërë kundrejt kostove apo pengesave aq të mëdha morale, sa do të ishte bërë vërtet një precedent në republikën tonë, që po flet përditë për pastërtinë e figurës, për një biografi të pastër, për përgjegjshmëri dhe për një mesazh moral. Kështu siç ndodhi, jo vetëm që kjo nuk u pengua, por edhe institucioni i Presidentit u dëmtua, për shkak të faktit se tregoi që kemi një president, i cili respekton Kushtetutën kundër ndërgjegjes së tij”- shkruan ai.

Sipas tij, kauzës së demokratëve që përbën edhe një kauzë të rëndësishme të opinionit publik, presidenti i dalë nga radhët e demokratëve dhe i shquar vazhdimisht për njëanësi politike të dukshme, nga origjina e partisë, Nishani i dha një goditje finale, fatale.

“Sepse ai nuk u bë pengesë morale e një procesi të cilin demokratët e Shqipërisë, por edhe një pjesë e mirë e opinionit publik, opinionit gri, kishte: Mosardhja në radhët e qeverisë, e individëve të paktën me prova formale të punës në të tilla organe të diktaturës apo mbi pretendime të qytetarëve të caktuar, të cilat mbeten gjithsesi për t’u vërtetuar. Mesazhi i aktit të presidentit Nishani për demokratët është tipikisht ky: Një president i emëruar dhe i dobët publikisht nuk e ka kurajën morale për të bërë akte të rëndësishme atëherë kur koha për një akt vjen”- shkruan ai.

Çili nenvizon se “Ky ishte rasti i artë i Nishanit të mbetej në histori si presidenti që instaloi një precedent. Jo gjithçka kalon, nëse do ta besojmë nga fjalimi i tillë se ishte në një krizë të vërtetë ndërgjegjeje dhe për këtë presidenti jepte edhe dorëheqjen. Kur Bujar Nishani u emërua President i Republikës erdhi si kandidaturë e minutës së fundit, e cila prishi çdo logjikë politike dhe konsensus të kohës. Atëherë pata shkruar një shkrim “Njeriu i mirë Nishani kundër interesit publik, kundër interesit të PD”. Ishte radha e PD-së të provonte shijen e hidhur të një presidenti, i cili gjatë gjithë viteve, nuk ndërtoi një personalitet në lartësinë e Presidentit të Republikës, përfshi këtu edhe njëherë për një çështje madhore me karakter moral, që i duhej partisë e cila e investoi dhe e çoi në atë post. Por në këtë rast i duhej jo vetëm asaj, por edhe opinionit të shëndoshë publik”./360grade.al

Share: