Home KRYESORE Flet Kryetari i Shoqatës “Iliria” Slloveni”, Heset Ahmeti: Flamuri dhe gjuha dy...

Flet Kryetari i Shoqatës “Iliria” Slloveni”, Heset Ahmeti: Flamuri dhe gjuha dy simbolet tona

Pinjolli Bruti, nga familje fisnike durrsake, u martua, me Orean,  mbesën e Skënderbeut

 Si festuam 9- vjetorin e pavarësisë së Kosovës në Slloveni me të nderuarin Bexhet Pacolli

– Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Tinka Kurti, Irini Qirjako, Vitore Sallaku, Silvana Braçe, ngritën në këmbë Slloveninë

Nga Albert Z. ZHOLI

Është lindur e rritur në Sllatinë afër Ferizajt ku ka kaluar fëmijërinë e hershme. Ishte  5 vjeç kur u vendos në Shkup për të jetuar. Një pjesë të rinisë si dhe shkollën fillore e ka bërë atje, në Shkup. Më vonë u kthye së bashku me familjen në vendlindje ku ka mbaruar shkollimin. Arsyet e ndryshme si ekonomike apo  politike e bënë të largohet nga Kosova e shtrenjtë në vitin 1984 ku u vendos në Koper të Sllovenisë. Më vonë aty solli edhe familjen ku jeton dhe sot.

– Si ishte pritja që ju bënë dhe a ke ndjerë shenja racizmi në Slloveni?

Në kohën që emigrova ishte akoma regjimi komunist e s’mund të them se pati dallim në racizëm, por sigurisht nuk më pritën as me tufa me lule. Thjesht ju nënshtruam  ligjit apo rregullave të qeverisë në fuqi ku as bëhej fjalë për të festuar ndonjë festë kombëtare tonën, apo të mbanim flamurin kuq e zi, simbol i indetitetit tonë, etje. Kjo faktikisht ishte shumë e rëndë për të gjithë ne emigrantët që ishim në Koper, apo në mbarë Slloveninë. Kur u nda Sllovenia në vitin 1991 , them të drejtën ne ishim stabilizuar. Me këtë dua të them se sapo u vendosëm në Koper, unë dhe familja ime (kam parasysh dhe pjesëtar të tjerë të familjes që erdhën me ne), ju përveshëm punës për të siguruar jetën tonë dhe të fëmijëve. Në traditën familjare, të parët e mi kanë qenë punëtor të kualifikuar në ndërtim, zanat që e mora dhe unë dhe mbasi hapa firmën time të ndërtimit. Puna po jepte rezultate. Në vitet që pasuan firma dhe puna u zgjeruan, fëmijët u rritën nën edukatën familjare tonën, ku, zonja ime, (që më është bërë krahë i djathtë gjithë këto vite që unë i jam  kushtuar kombit tim) ka mbajt përgjegjësinë më të madhe në edukimin e fëmijëve apo mbarëvajtjen e shtëpisë me nevojat e saj. Ne të dy,  mbollëm tek të katër fëmijët, atë që prindërit tanë kishin kultivuar te ne, pra dashurinë e pakufishme për kombin tonë të copëtuar, për Kosovën tonë të dashur  dhe për gjuhën shqipe. Sepse gjuha, himni dhe flamuri janë indetiteti i një kombi .

 -Ju keni një shoqatë Kulturore Atdhetare, cila është kjo shoqatë dhe kur u formua?

shqiptari slloveni1Shoqata emërtohet  “Shoqata Kulturore e shqiptareve të Istres, Sllovene “ILIRIA”.  Shoqata u themelua në vitin 1998, atëherë kur vendi ynë kishte nevojë për ndihmë e edhe ndihmën e ne, mërgimtarëve. Në atë kohë bënim grumbullimin e mjeteve materiale dhe evidentonim vullnetar për të ju dalë krah djemve dhe vashave që ishin ngritur në këmbë për të çliruar vendin dhe dërgonim edhe ndihma të tjera. Ishim dhe jemi shumë shqiptarë me familje  të vendosur këtu në  Koper. Madje ka nga të gjitha trevat shqiptare por më shumë dominojnë shqiptar të Kosovës  dhe Maqedonisë. Të gjithë shqiptarët në këtë qytet kanë hapur aktivitetet e tyre si ëmbëltore (që janë aq të preferuara për sllovenet apo turistët) , furra buke, restorante , argjendari, etj. Pra nga kjo anë jemi pothuaj të gjithë të sistemuar por mungonte diçka… dhe kjo “diçka” ishte organizimi midis nesh, që ti tregojmë Sllovenëve se dhe ne jemi DIKUSH! Se dhe ne kemi traditat dhe kulturën tonë aq të pasur sa në  vitet që nga formim i shoqatës tonë e deri më sot  e treguan këtë kulturë të moçme që kemi.  Në bisedë me disa shokë atëherë  (disa jemi ende) si Naser Krasinqi, Bashkim Ziba, Fadil Vatovci e shume tjerë, kishim dëgjuar për themelimin e një shoqate shqiptare me emrin “Migjeni” që vepronte në Lubjanë dhe  kishte bërë disa aktivitete. Pra ishin iniciatorë të hapjes së shoqatës shqiptare për herë të parë në Slloveni. Ndaj dua të them se ka qenë kjo shoqatë që na nxiti,  kështu që dhe ne me shokët, vendosem të ngremë shoqatën tonë në Koper duke përfshire dhe shqiptarë nga gjithë qytetet bregdetare që ka Sllovenia, e kështu u bë. E pagëzuam me emrin e shumë, kërkuar në shekuj nga Kosova ime pra “Iliria” dhe filluam menjëherë nga puna e organizimit. Meqë kishim shumë të rinj që u regjistruan si anëtarë të saj dhe me kërkesën e tyre, formuam ekipin e futbollit kuq e zinj, me uniformë me ngjyrën e flamurit. Ishin djem të përgatitur që u klasifikuan disa herë në vendin e parë në Ligën Rajonale. Pastaj u formua  grupi artistik. Detyrën e drejtimit të këtij grupi ju lamë anëtarëve të kryesisë Fazli Hoti dhe poetit Mexhid  Hoxhaj, ku në këto vite ky grup ka marrë fromën e një Ansambli  duke dhënë shfaqe te ndryshme qe pëlqehen aq shume edhe  nga  publiku  slloven. Ky Ansambël i ka dhënë një gjallëri të jashtëzakonshme komunitetit shqiptare këtu në Koper, Portorozh, Izolle, Piran, etj ku ne organizojmë tubime  të ndryshme kombëtare dhe ku pas tubimit, grupi i valleve popullore i kënaq me vallet karakteristike të të gjitha trevave tona.

Në vitet në vazhdim shoqata u zgjerua shumë si në aktivitete dhe veprimtari si dhe në kërkesa e nevoja për tu hapur një klase e gjuhës shqipe, ku tre vjet më parë e kemi realizuar me mësuesen Magbule Behrami  dhe dy ndihmëse të saj studente, motrat Liridona dhe Egzona Kabashi. Na ka ndihmuar shumë Ministria e Diasporës Kosovë me librat përkatëse. Mandej 2 herë kemi organizuar Kuizin e diturisë që mbahet në shumë shtete të botës dhe finalja mbahet në Prishtinë. Nxënësit e mësimit plotësues të shoqatës sonë kanë zënë vendin e parë në Slloveni  dy vjet dhe kemi shkuar në finale në Prishtinë. Kemi përkrahjen edhe nga ambasadat, si ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës.  Këtu do ndalesha pak për të falënderuar shumë  ambasadën e Shqipërisë, që nga ambasador , Sandër Kovaçin, më vonë konsullin Adrian Simoni, e së fundi Ambasadorin,  Dr. Pëllumb Qazimi, që na kanë qëndruar shume afër, jo vetëm duke marr pjesë në të gjitha aktivitetet tona, por edhe duke na udhëzuar apo ndihmuar në ndonjë kërkesë e nevojë që kemi pasur. Po kështu edhe ambasada e R. së Kosovës na ka qëndruar pranë në të gjitha aspektet duke filluar nga ambasadori i parë Anton Berisha, mandej znj. Mimoza Ahmetaj e tani ambasador, z. Nexhmi Rexhepi.

– Sa njihet sot Shoqata “Iliria” në Slloveni?

shqiptari slloveni2Pra, shoqata “Iliria” ka marrë zgjerim dhe është shumë e njohur në gjithë Slloveninë ku frymon shqiptari dhe ku në çdo aktivitet të saj, marrin pjesë të ftuar nga organizata të ndryshme  sllovene. Para dy vjetësh me iniciativën tonën të kryesisë i bëmë një kërkesë bashkiakut të Koprit për një objekt të vjetër që na e dha menjëherë. Brenda një kohe të shkurtër prej 20-ditësh e ngritëm në këmbë dhe sot është qendra  kulturore dhe po aty kemi selinë e shoqatës Iliria. Në këtë kullë (se kështu e quajmë), ka një dhomë të veçantë (Oda) me oxhak, ku vet dhoma ka karakterin e një ekspozite të vogël me veshje kombëtare nga krahinat tona me sofrën karakteristike, me shilte e qilima,  tamam si dhomat e burrave një herë moti,  ku s’mungon as çiftelia apo sharkia. Karshi saj, në një dhomë tjetër kemi bërë një bibliotekë të pasur me libra shqip nga shkrimtarë të njohur apo edhe nga diaspora, ku herë pas here bëjmë dhe promovim të librave.

Si i mbani lidhjet me atdheun?

Drejt me thënë, në aktivitetet tona jemi ne që thërrasim  qeveritar apo funksionar të ndryshëm e sidomos nga Ministria e diasporës së Kosovës  që na kanë vizituar shumë e ndihmuar për problemet tona. Jemi munduar ne ti qëndrojmë afër atdheut, qoftë dhe me ndihma, pasi të gjithë e dimë aktualitetin Kosovar dhe problemet e tij, por ne si shoqatë e komunitet shqiptar jemi munduar e mundohemi ta mbajmë lart indetitetin tonë, ku prej vitesh, që në themelimin e shoqatës është bërë aq i njohur për publikun Slloven, si kultura si traditat si dhe bujaria shqiptare, që nëse nëpër botë e ka humbur sensin, te ne shqiptarët qëndron akoma fjala e parë që i themi atij që na troket në derë  “Hajde urdhëro!”.

-Me cilat personalitete të artit shqiptar bashkëpunoni dhe kanë ardhë mes jush për aktivitete?

Ne kemi shumë bashkëpunim me të gjithë artistët dhe artistet e shquara shqiptare. Lidhje të vazhdueshme kemi pasur dhe kemi me gratë e Fondacionit “Nermin Vlora Falachi”, dhe ne kemi krijuar degën e fondacionit “ Nermin Vlora Falaschi” për Slloveninë  ku vajzat tona të mrekullishme u zgjodhën në kryesine e degës së fondacionit, kur në delegacionin e fondacionit ishin artistet e mëdha të Kombit si Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Tinka Kurti, legjenda e polifonisë së jugut këngëtarja Irini Qirjako, Vitore Sallaku, Silvana Braçe. Atëherë ishte dhe komiku famoz Skënder Sallaku së bashku me  Presidenten e Fondacionit, gazetaren Zenepe Luka. Në këto aktivitete është gjithmonë e pranishme “Nanë Loke”, Zonja Vitore Stefa, e cila është një ure lidhëse mes shqiptareve dhe shoqatave në gjithë diasporën dhe në këto 27 vjet nuk ka  shqiptar që nuk e njeh dhe e do “Nanë Loken”. Unë personalisht e njoh që në fillim të krijimit të shoqatës tonë,  e cila na u bashkua që në orët e para duke ardhur kastile nga Trieste ku banon.  Veç kësaj, lidhja me të u bë më e fortë në kohën  e luftës në ndihmë të familjeve të shpërngulura  apo marrëdhëniet e saj me  luftëtarët e UÇK-së.

-Si e festuat atë ditë mes këtyre personaliteteve të artit shqiptar?

Ato dy ditë që formuam degën e fondacionit këtu në Slloveni, janë ngulur në kujtesën time se e kthyem sallën e hotelit  ku i pritëm zonjat, në një copëz, Shqipëri të vogël ku buçiste vallja e kënga shqipe nga këngëtaret e njohura Irini Qirjako dhe Ludmilla Baballëku. Nga çdo anë valonte flamuri shqiptar kuq e zi, flamuri Kosovës dhe i Sllovenisë, ku morën pjesë jo vetëm shqiptarë nga gjithë qytetet sllovene por dhe nga Italia,  Zvicra, si dhe miku i popullit shqiptar deputeti Luka Bertoli nga Verona.

-Në këto aktivitete a jeni njohur me ndonjë lidhje mes shqiptarëve të hershëm dhe sllovenëve?

Në këto dy vitet e fundit aktivitetet janë zgjeruar më shumë për arsye se një miku im udhëheqës i bibliotekës Koperit,  Pjeter Shtoka, më dërgoi ftesën për të marrë pjesë në Simpozium që shënonin 300- vjetorin e Pallatit Bruti dhe në promovimin e librave të ipeshkvit, Augostin Bruti, të përkthyera në sllovenisht. Me atë rast, më flet në lidhje me disa dokumente të vjetra që ka zbuluar në këtë bibliotekë, që unë u interesova menjëherë  të dija çafrë fshihej. Mund të them se është gjëja më e madhe, që kemi zbuluar dhe na bënte të krenohemi e të ecim akoma më shumë me kokën lartë. Pra Pallati ku është biblioteka e qytetit quhet Pallati Bruti, dhe i takon familjes, Fisnike Bruti me origjinë nga Durrësi. Por më interesantja është se aty zbuluam një  kuriozitet, se, një nga nipërit e tij, u martua me Orean, mbesën e Skënderbeut. Unë kam arritur të nxjerr në dritë një histori të këndshme për Familjet shqiptare Fisnike që kanë jetuar në Istren të Sllovenisë dhe kanë bërë krushqi me fiset më të shquara të Fisme sllovene. Përpos  familjes fisnike Bruti  edhe shume familje të tjera Fisnike siç janë Brati, Bruni, Borisi, Dukagjini kanë lidhje me familjet shqiptare. Unë kam bërë 2 Simpoziume këtu dhe kam mbledh shumë historianë për këto lidhje duke ftuar dhe qeveritarët vendas, pasi faktet janë shumë interesante.

shqiptari slloveni3– Kush është aktiviteti i radhës dhe çfarë qëllimi kanë këto aktivitete?

Së fundi festuam 9- vjetorin e pavarësisë së Kosovës  ku të ftuar veç ambasadorëve apo personalitete të ndryshëm si dhe përfaqësues të bashkisë së Koperit patëm mes nesh dhe të nderuarin Bexhet Pacolli. Ai është miku ynë dhe merr pjesë gjithmonë në festimet tona.  ..

Share: