Home KRYESORE “KONSUM…”

“KONSUM…”

Nga Jonida Salku

Brejtur rrjetë e kapjes sonë përdore,
shndërruar iksi puthjes në ypsilon,
jo sepse është dimër, fund nëntori,
që në janar nisi kjo vjeshta jonë.

Ranë gjethet dhe u volën frutat,
i pështymë bërthamat matanë,
katër stinë si katër minuta,
përtokë na ranë dhe nuk i pamë.

Çaste që s’i ruan dot as kujtimi,
të ëmbla, por nuk treten në stomak,
të arta, por asnjë arkë kursimi,
s’i mbledh dot si monedha pak nga pak.

I përtypëm e s’bëmë as thërrime,
asnjë letër ambalazhi në kosh.
Sa keq! Kalove nëpër jetën time,
dhe mbeti bashkë me tënden bosh.

Me dashuri si mund t’i kishim mbushur?
Sikur rëndom të shitej në market…
A do të kishim dalë po kaq të humbur?
A do të mbaronte po kaq shpejt?

Share: