Home KRYESORE Mosrealizimi i të ardhurave nga TVSH dhe evazioni

Mosrealizimi i të ardhurave nga TVSH dhe evazioni

0

Oliver Wendell Holmes, një jurist amerikan i hershëm por me famë dhe trashëgimi me vlerë të lartë, ndër të tjera, ka lënë edhe shprehjen e patjetërsueshme: “Tatimet janë ato çfarë ne paguajmë për shoqërinë e civilizuar.”.

Një ndër komentet e fundit në revistën “Monitor” ishte dhe “lajmi” që bënte fjalë për mosrealizimin e të ardhurave nga TVSH për muajin janar 2017, që ka qenë rezultat i TVSH – së së mbledhur jo nga importet.

Për ata shumë që nuk e dinë se si funksionon mekanizmi i TVSH – së, po sqaroj se kësaj dukurie mund t’i jepen dy shpjegime:

E para, ose ka pasur varfëri në fundvitin 2016, për arsye se me rastin e festave të vitit të ri qytetarët familjarë, ose paguesit e vërtetë të TVSH – së, nuk kanë pasur para për të konsumuar gjë që ka ulur shitjet me TVSH të deklaruara nga tatimpaguesit e regjistruar për TVSH dhe tatimin mbi fitimin, etj.

E dyta, ose paraja e paguar nga qytetarët familjarë (në qoftë se pranojmë opsionin e mospasjes varfëri), si përdorues të fundit të mallit dhe të shërbimeve, nga tatimpaguesit e regjistruar për TVSH, tatim fitimin, etj, një pjesë të kësaj paraje të paguar nuk e kanë deklaruar, por e kanë mbajtur për vete, për shumë arsye.

Në rastin e dytë, arsyeja kryesore është dukuria e mosrealizimit të të ardhurave nga TVSH, vetëm e vetëm nga një emër: evazion.

Ligjet që bëhen nga qeveria dhe miratohen nga ligjvënësi (pra, ajo që quhet politikë tatimore) janë me një dobi fare të vogël për qytetarin familjar për të ofruar zgjidhje në interesin e tyre kur nuk realizohen të ardhurat e parashikuara, për arsye se, e kundërta, sa më shumë TVSH e mbledhur të hyjë në buxhetin e shtetit, aq më shumë mundësi do të kishte qeveria për t’i siguruar qytetarit të mira publike.

Por, në qoftë se ligji dhe udhëzimi për TVSH, ashtu sikundër është shumë voluminoz, aq sa nuk mund të lexohen dhe pa shumë lidhje logjike, aq sa nuk mund të kuptohen dhe të plotësohen kërkesat e ytre nga tatimpaguesit, për arsye të nënshtrimit të ndryshimeve të vazhdueshëm, nga të cilët nuk mund të presësh ndonjë rezultat pozitiv.

Një tatimpagues i regjistruar për TVSH dhe tatimin mbi fitimin, që e dinte/kishte njohuri se çfarë ishte ligji i parë për TVSH i vitit 1995, nuk arriti të marrë me mend se çfarë do të ishte ky ligj të “nesërmen” e vitit 2015 – 2016, për arsye se ligji i ri për TVSH nuk është përkufizuar qartë për të qenë një praktikë për veprim në plotësim të kërkesave të tij.

Por, si mund të jetë një praktikë për veprim, një ligj që njihet fare pak dhe që fiksohet edhe më pak?!

TVSH, në kuptimin e njohjes së sistemit tatimor, është një tatim “mëmë”, për arsye se është tatim mbi shitjet dhe, po qe se nuk do të ketë shitje nuk do të ketë mallra dhe/ose shërbime, nuk do të ketë punë (ose vende pune), për rrjedhojë nuk do të ketë tatim mbi pagat si dhe sigurimet shoqrore dhe shëndetsore, nuk do të ketë akcizë, nuk nuk do të ketë tatim fitimi e ndonjë tatim tjetër.

Me një fjalë të vetme: nuk do të ketë të ardhura tatimore.

Përsa i takon mendjemprehtësisë së tatimpaguesve të regjistruar për TVSH dhe tatimin mbi fitimin, në renditjen e punëve të tyre përsa i përket minimizimit të tatimeve, duhet thënë se, kuptimi i vërtetë i linjës në ligjin për TVSH, në mënyrë të qëllimshme, duhet të ishte synimi që tatimpaguesi t’i shkonte aq afër kësaj linje arsyetimi sa të mundej që të mos e kalonte vijën e ndarjes/demarkacionit, ose kalimin e tatimpaguesve në veprimtarinë në hije (evazion dhe/ose shmangie tatimore).

Kjo dukuri (pra, mosrealizimi i të ardhurave nga TVSH) ndodh për arsye se asnjë tatimpagues i regjistruar për TVSH dhe tatimin mbi fitimin nuk ka ndonjë detyrim publik/(madje as) patriotik për të paguar më shumë tatime nga sa u kërkon atyre legjislacioni tatimor.

Tatimet janë pagesa të detyruara me ligj dhe aspak kontribute vullnetare.

Asnjë tatimpagues në Shqipëri nuk ka as edhe obligimin më të vogël moral që t’i organizojë marrëdhëniet në biznesin e tij në lidhje me plotësimin e kërkesave të legjislacionit tatimor, për t‘ia bërë të mundur administratës tatimore që t’i vejë atij “lopatën” më të madhe të mundshme te rezervat e parave/pasurisë së tij.

Në këtë kontekst, tatimpaguesi ka të drejtën legjitime të jetë syçelur për të parandaluar, aq shumë sa ai mundet, boshatisjen e arkës së parave të tij nga ana e administratës tatimore.

Secili tatimpagues mund t’i përgatisë llogaritjet dhe llogaritë e tij në atë mënyrë që pagesat për tatimet e tij të jenë sa më të vogla që është e mundur, për arsye se tatimpaguesi nuk mund të detyrohet dhe të kufizohet që të zgjedhë atë formë me të cilën të paguajë më shumë tatime për buxhetin e shtetit.

Hapat e bërë nga tatimpaguesit, në një seri veprimesh tregtare të blerjeve dhe shitjeve, që përfshijnë transferimin e pasurisë dhe që nuk trajtohen si një veprim tregtar i vetëm blerje dhe/ose shitje, si dhe që nuk pasqyrojnë të vërtetën, përbëjnë në rastin e mashtrimit evazion tatimor, ose përbën krim, si dhe në rastin përdorimit të boshllëqeve që ka ligji për TVSH, që quhet shmangie dhe është aftësi profesionale e profesioneve që punësohen nga tatimpaguesit.

Në qoftë se ka ndonjë kuptim në ligjin për TVSH, që do të thotë se veprimet tregtare të bëra në blerje dhe shitje, ose dokumentet përkatëse ndërmjet palëve në këto veprime nuk e tregojnë “mashtrimin” që ka për qëllim t’i japë administratës tatimore pamjen e obligimeve dhe të drejtave ligjore, ndryshe nga obligimet dhe të drejtat që kërkon ligji për TVSH, atëhere nuk justifikohet veprimi arbitrar që ndeshet në rastin e rimbursimit të TVSH së paguar në blerje.

Rimbursimi i TVSH – së së paguar në blerje, është thembra e Akilit për funksionimin normal të ligjit për TVSH, veçanërisht, të mekanizmit të kreditimit të TVSH – së së paguar në blerje.

Rendja pas realizimit të të ardhurave nga TVSH, sipas parashikimeve të bëra në mënyrë burokratike nga teknokratë diletantë, e ka rritur frymën e arbitraritetit të administratës tatimore, ka rritur fuqinë e maturisë (gjykimit sipas oreksit në lidhje me plotësimin e kërkesave të legjislacionit tatimor) të zyrtarit tatimor për të bërë pazar me tatimpaguesit, gjë që ka rezultuar në korrupsion

Kjo dukuri është një prej nxitësve negativë në lidhje me plotësimin e kërkesave të ligjit për TVSH dhe çdo ligji tjetër tatimor që ka bashkëlidhje me ligjin për TVSH.

Gjithashtu, mënyra e të tatuarit të biznesit të vogël, më saktë rrjetit të shitjes me pakicë ku realizohen shitjet për qytetarin familjar është një nga faktorët e “padukshëm” që duhet analizuar dhe trajtuar me kujdes për të kuptuar një nga shkaqet madhorë të mosrealizimit të të ardhurave nga TVSH.

Nuk është sasia dhe përqindjet e ndrshimeve në zbritje të të ardhurave tatimore të mbledhura në periudha të karahasueshme në muaj, tremujorë dhe vite, ato që mund të shpjegojnë mosrealizimin e të ardhurave të parashikuara nga TVSH, por pasojat e politikës tatimore, ose mënyrës së të tatuarit dhe mënyrës së përdorur në të administruarit të mënyrës së të tatuarit.

Sa pak rrihen këto çështje të mprehta në media dhe ka një arsye të thjeshtë për t’a shpjeguar: ose gazetarët dhe analistët tremben se mos duke u marrë me këtë çështje delikate do t’u “kruhet kurrizi” nga administrata tatimore, ose janë të paditur dhe me të drejtë e meritojnë shprehjen latine “Ignoratia non est argumentum – Padija nuk është argument”.

Po realizuan më shumë se dy milionë lek në vit të ardhura janë të detyruar të plotësojnë një deklaratë personale. Le të deklarojë administrata tatimore se sa prej këtyre gazetarëve dhe analistëve “me famë” shqipëtare e kanë plotësuar këtë deklaratë, për arsye se, për t’u justifikuar mund të përdorin faktin se këtë lloj deklarate nuk e kanë plotësuar edhe shumë politikanë.

O Zot! E dini? Këta të fundit bëjnë ligje!

Kasem Seferi – ekonomist

Share:
Reklama juaj