Home KRYESORE Ndikimi rus në zgjedhje, merret në pyetje dhëndri i Trump

Ndikimi rus në zgjedhje, merret në pyetje dhëndri i Trump

Dhëndri i presidentit Donald Trump, njëkohësisht bashkëpunëtori i tij, Jared Kushner do të merret në pyetje nga një komision i Senatit amerikan për lidhjet e dyshuara mes stafit të Trump dhe Moskës.

Komisioni për Shërbimet e Inteligjencës kërkon ta marrë në pyetje bashkëshortin e Ivanka Trump në lidhje me dy takime që ai dyshohet të ketë zhvilluar me zyrtarë rusë, raporton “New York Times”.

Nga ana tjetër, stafi i Kushner, i cili ishte këshilltar i rëndësishëm i Trump gjatë fushatës elektorale, ka deklaruar se ai është ofruar personalisht për t’u marrë në pyetje nga komisioni, por ftesa e tij nuk ka marrë ende përgjigje.

Gjatë tranzicionit presidencial në Shtetet e Bashkuara dhe në muajt e parë të administratës Trump, dhëndri i presidentit ka qenë, me të gjitha fuqitë, përfaqësues i Departamentit të Shtetit.

Komisioni i Shërbimeve të Inteligjencës dyshon se hakerimi rus gjatë zgjedhjeve presidenciale ka pasur si qëllim të ndihmojë zotin Trump në fitoren kundër Hillary Clinton.

Nga ana e saj Rusia i ka mohuar këto akuza dhe vetë presidenti Trump i ka cilësuar si “lajme të rreme”. Por aktualisht janë dy komisione hetimore parlamentare që po hetojnë dyshimet në fjalë, si dhe një hetim i FBI-së./ Top Channel

Share: