Home KRYESORE Në Kukës, aty ku dënohesh me vuajtjen

Në Kukës, aty ku dënohesh me vuajtjen

0

Nga Azem Parllaku

Menjëherë pas vitit 1990, e gjatë viteve të tranzicionit, liria e lëvizjes nxiti një numër të madh familjesh, që të largohen nga zonat rurale, duke kërkuar zona më “të buta” dhe kryesisht zonat e zhvilluara urbane.

Topojani dhe fshatrat tjerë, të ish-Komunës me qendër Topojanin, filluan të braktisen spontanisht, duke bërë që, tashmë në këto fshatra, të ketë mbetur më pak se 1/3 e popullësisë së dikurshme.

Ato pak banorë që jetojnë aktualisht në shtëpitë e të parëve në këto fshatra, qëndrojnë ende jo për nostalgji, por janë shumë të varfër dhe nuk kanë mundësi të lëvizin.

Ndërtesa të ish-reparteve ushtarake të së djeshmes, udhët përmes fshatrave të shkretuara, tek-tuk ndonjë zë i mbytur që, vjen nga larg pasuar nga pëllitja e bagtive nuk janë asgjë më tepër veçse një “panoramë trishtuese”, fatkeqësisht dhe shumë mjeruese.

E shkuara e Topojanit është mbreslënëse, sa herë na duhet t’i referohemi historisë, veçanërisht asaj të viteve 1912-1913. Një lapidar i madh dhe i restauruar së fundmi, përkujton një ngjarje, se si ky fshat u vra, por kurrë nuk u “shkretua” sic është sot i braktisur.

Të paktët njerëz që jetojnë këtu, i detyron pamundësia. E nëse ke hyrë në në “barakën” ku shitet vaji, e luhet bilardo, vetëm aty mund të tymosësh pak duhan, e të këmbesh ndonjë fjalë rastësisht.

Duke qenë se toka është shumë e pakët dhe aspak e bonifikuar, fshatarët mezi e nxjerrin jetesën duke u marrë me të, nga ana tjetër edhe pyjet janë zhdukur pothuajse plotësisht, saqë peizazhi i fshatit të ngjan me zona të shkreta në mëshirën e erozionit.

Kur kujton, si patriotët topojanas luftuan në 1912 për të bërë shtet, sot në Topojan shteti është pothuaj inekzistent. Në fletoren e mjerimit mbushen, e mbushen fletët, ndërsa të pamundur njerëzit janë të dëshpëruar.

Në Topojan mjerimi duket në çdo detaj të jetës dhe më tepër në kuzhinat e familjeve, ku më së shumti amvisat gatuajnë për ushqim vetëm patate me gjizë, në veshjet e varfra të fëmijëve, e dyshemetë prej balte të shtëpive përdhese.

Trishtuese por, Topojani po shkon drejt shuarjes, pasi që prej më shumë se dy dekadash këtu nuk është ndërtuar asnjë shtëpi e re.
Të rinjtë janë larguar kryesisht në vendet perëndimore për një punë, për të mbajtur familjet, ndërsa shumë rrallë, njerëzit i janë kthyer fshatit të lindjes, për të parë mundësinë se edhe aty mund të jetohet.

Ikja këtu ofrohet si e vetmja mundësi, por ikja si për pjesën dërrmuese të shqiptarëve, është tepër e vështirë. Intinerari për shumë nga emigrantët nga Topojani, më herët kalonte nga Kosova, Maqedonia dhe më në fund në Greqi, dhe e gjithë rruga bëhej në këmbë, ndërsa sot të shkosh deri në Gjermani, është aspak e lehtë.

Këtu djemtë shpresojnë rrugëdalje tek emigracioni, atje gjejnë ndonjë zanat dhe nuk kthehen më në vendlindje. Vendosen diku në fushë, afër zonave urbane dhe atje ndërtojnë një jetë të re.

Në Topojan, por edhe në fshatrat e tjerë, për vajzat jeta “mbyllet” me mbarimin e shkollës së detyrueshme. Në të rrallë vajzat që mbarojnë arsimin e mesëm shkojnë në shkollë të lartë dhe kjo dukuri quhet “shpëtoi nga jeta e vështirë”.

Pas mbarimit të shkollës së fshatit vajzat merren me punë dore dhe ruajnë bagëtitë, punojnë tokat dhe merren me punët e shtëpisë deri sa “t‘u dalë fati”, që do të thotë derisa dikush të ndërhyjë, për t‘i kërkuar dorën te prindërit.

Në Topojan e fshatrat ngjitur, përjashtohet mundësia që vetë vajza të japë mendim për burrin ardhshëm. Në të vërtetë vajzat e këtyre zonave nuk kanë asnjë kontakt me njerëz të tjerë dhe kështu nuk kanë se si të krijojnë një lidhje apo të njohin dikë.

Të jesh pensionist nuk është edhe aq keq, veçanërisht nëse ke pagën si i tillë. Ata që janë ende të fortë fizikisht, punojnë kopshtin rreth shtëpisë, mbajmë një lopë, e shtyjnë motet e gjata të vetmisë.

Në anën lindore të fshatit ndodhet një godinë e madhe e bardhë, që dikur ka qenë një shkollë e bashkuar, e mesme dhe 8-vjeçare. Shkolla është ndërtuar në dekadat e fundit, por është krejt bosh, për shkak të largimit të familjeve nga fshati.

Ata pak nxënës që kishin mbetur i kanë bashkuar në një klasë, ndërsa çfarë mund të mendosh për këta nxënës të cilët, i pret një botë e panjohur dhe të vjen keq, që atdheu nuk u premton më shumë.

Të gurta, me themele në një tokë të ashpër, shtëpitë këtu në Cernalevë, i kanë mbijetuar erozionit i cili është kërcënues permanent, në barkun e shpatit ku shtrihet ky fshat.

Ndërsa, vjeshta po i shkon fletët e saj, banorët këtu i pret dimri i radhës, që gjithësesi nuk do të jetë, aspak miqësor. Nga 400 banorët, prej tyre 230 janë gra dhe vajza shtëpiake të shkuara. Që nga koha e vjetër e udhëtarëve të njëqind viteve më parë, për këtë fshat të harruar të Veriut, janë të papërfillshme ndryshimet.

Njësoj si vite, dekada e mote të tëra, s’ka ujë, ndonëse ai kalon prej shekujsh poshtë shtëpive të gurta, s’ka shpresë ndonëse jetohet në vitet e mëdha të Shqipërisë.

Sapo ke hyrë në këtë fshat, të zveniten përnjëherësh projektet dhe premtimet e politikës, e sikur Zoti të mos i falte jetë këtij vendi, do të thoshe pa mëdyshje: C’duan vallë këtu këta njerëz?
Pemët e pakta, grumbujt e plehut të bagëtive, e gardhet e drunjta, janë peizashi “varfërisht” i lartë i këtij fshati.

Një minibus 10-12 vendësh, nga ku zbresin tre udhëtarë, ka ndaluar në atë që quhet qendra e fshatit. Edhe pse qyteti i Kukësit nuk është larg prej këtu, minibusi nuk e përshkon aksin drejt qytetit cdo ditë.

Më shumë lëvizin ata pak njerëz, që i drejtohen spitalit të qytetit, mbasi Cernaleva është ndër të rrallët fshatra të Shqipërisë, që nuk ka as dhe një infiermier, kurse për mjek, apo qendër shëndetësore, as që bëhet fjalë.

Ata që kanë nevojën e ilaceve, ecin për orë të tëra në drejtim të Shishtavecit, apo gjetkë në Kosovë, për t’i marrë pjesërisht dhe pa rekomandimin e mjekut.

Tre të moshuar që janë ulur nën hijen e një lisi, janë të hapur për të biseduar. Pothuaj të gjithë djemtë kanë ikur, thonë ata. Shumica e tyre, gjatë stinës së verës punojnë në Kosovë, merren me punë bujqësie dhe si blegtorë. Pak prej tyre kanë mundur të shkojnë në Europë, falë pajisjes me pasaportë të shtetit bullgar.

Më parë burrat e këtij fshati, kanë punuar në minierën e bakrit në Gjegjan, ku pak prej tyre kanë mundur të kenë një pension. Në Cernalevë rreth 70% e familjeve, jetojnë me ndihmën ekonomike, që dikur u paguhej nga Komuna e Shishtavecit, ndërsa sot ende nuk e dijnë se ku do t’a marrin.

Bujqësia këtu është shumë pak e zhvilluar. Ajo pak tokë e punueshme shfrytëzohet për mbjelljen e patates, fasules dhe qepës, vetëm për konsum familjar.

Po kështu dhe për ato pak gjedhë dhe të imëta që mbahen, mungojnë kullotat dhe ushqimin e thatë të dimërit për bagëtinë, cernalevasit janë të detyruar t’a blejnë në Novosej dhe Kollovoz.

Në fshat mungon rrjeti i kanalizimit të ujërave të zeza, e pirgjet e mbetjeve në anët e gardheve janë diçka e zakonshme. Furnizimi me energji elektrike, kryhet nga nënstaciooni Rexhepaj, por një erë e lehtë e zhyt për ditë të tëra në errësirë fshatin, mbasi rrjeti i shpërndarjes është tejet i amortizuar, e fatkeqësisht askush nuk përkujdeset për kontrollin dhe mirëmbajtjen e tij.

E kur mungon energjia elektrike, ndërpritet dhe komunikimi me telefon, aq sa shkohet në qytet, thjeshtë për të karikuar telefonin mobil.

Këtu njerëzit janë të dënuar të vuajnë dhe netët e ftohta të dimërit, mbasi ngrohja për ta konsiderohet luks. Zjarri ndizet me të kursyer vetëm kur gatuhet, teksa gatimi duke shfrytëzuar energjinë elektrike, as që shkohet ndërmend.

Bashkimi i klasave të nxëdijësve, ka vite që nuk përbën ndonjë problem, as për mësonjësit, e as për komunitetin e prindërve. Ndonëse është folur për rikonstruksionin e rrugës Cernalevë-Oreshkë deri tek ura e Stafës, ende deri sot, nuk është hedhur, asnjë lopatë dheu. E amortizuar totalisht është dhe rruga lidhëse me Shishtavecin, ndërsa ajo me fshatin Borje, është kujtim i të shkuarës.

Malet përreth mbajnë të ftohtin që do të vij, pastaj bardhësia e mbulon këtë vend. Këtu njerëz dhe kafshët flenë shumë pranë. Metafora është e mirë për t’u provuar, por disi “irreale”. Disa si kolibe përbëjnë banjot, ku era përshkon nga kudo.

Ai pak tym që shihet diku, është shenja e jetës, dhe shtëpitë e gurta që ende mbahen, janë shenja që do t’i qëndrojnë kohës, për të na kujtuar se në Kukës është dhe një fshat me emërin Cernalevë.

Share:
Reklama juaj