Home KRYESORE PORTAT LINDORE TË MENDËSISË MAQEDONE DHE APATIA E PERENDIMIT

PORTAT LINDORE TË MENDËSISË MAQEDONE DHE APATIA E PERENDIMIT

Në Shkup nuk është lexuar drejt përpjekja e Moskës për të intensifikuar luftën diplomatike me mjete të huazuara nga zhonglerizmi ekonomiko-energjetik. Dominimin e saj rajonal, Rusia ka kohë që po mundohet ta shprehë në forma të sofistikuara, duke i konkurruar Perëndimit me projekte, që janë jetësisht të lidhura me vendet e Ballkanit. Kërkimi i një modeli, si Serbia, që po kërkon rrugë alternative për siguri kolektive ushtarake, është sinjal i keq që e bën Shkupin, jo vetëm lojtarin me dy fytyra por edhe partnerin pa fytyrë të Perëndimit, tek i cili Maqedonia në periudhat më dramatike të krizave rajonale kishte mbështetje, siguri dhe partneritet të sinqertë

Nga EMIN AZEMI

Hulumtimet e opinionit publik që janë bërë në Maqedoni kanë nxjerrë në sipërfaqe një mendësi të re për sa i përket orientimit të politikave shtetërore ekonomike, kulturore, ushtarake, duke mos fshehur euroskepticizmin si emërues i përbashkët i të gjitha refuzimeve e nismave që vijnë nga Brukseli e Uashingtoni. “Nëse nuk na duan në Bruksel, të hedhim sytë nga Lindja”, është ky lajtmotivi i një thirrjeje në kontinuitet i euroskepikëve maqedonas në Shkup, të cilët haptazi propagandojnë aleanca ekonomike e ushtarake me vendet e Azisë dhe Rusinë. Shtypi maqedonas, jo moti transmetoi me brohoritje ekzaltuese lajmin për përfshirjen, si vëzhguese, e Serbisë në të ashtuquajturën CSTO – një Organizatë për Siguri Kolektive, e kryesuar nga Rusia, në të cilën anëtarësojnë edhe Bjellorusia, Armenia, Kazakistani, Kirgistani dhe Taxhikistani, me një interes në rritje edhe të Iranit për të qenë pjesë e kësaj organizate ushtarake, që ishte ideuar qysh në themelim, në vitin 2002, në Tashkent, si pandan i NATO-s.

Kërkimi i një modeli, si Serbia, që po kërkon rrugë alternative për siguri kolektive ushtarake, është sinjal i keq që e bën Shkupin, jo vetëm lojtarin me dy fytyra por edhe partnerin pa fytyrë të Perëndimit, tek i cili Maqedonia në periudhat më dramatike të krizave rajonale kishte mbështetje, siguri dhe partneritet të sinqertë. Leximi i keq i këtyre modeleve, krijon për opinionin publik iluzione të rrejshme për një aleancë pansllave, e cila në një të ardhme po rivendoska balancat e humbura në Ballkan dhe po rikthyeka drejtësinë e munguar në favor të popujve të dëmtuar, si maqedonasit, të cilët gjatë historisë paskan pësuar tkurrje territoriale e etnike.

Se mbështetja te “nana Rusi” nuk paraqet më kurrfarë modeli për aleanca të mundshme rajonale politike, ekonomike e ushtarake, dëshmon ngrirja e vodkës ruse në gurmazin e politikanëve të ekzaltuar të Beogradit, të cilët nuk arritën ta shndërrojnë në dolli të përbashkët serbo-ruse marrëveshjen e arritur në Bruksel me përfaqësuesit legjitimë të Kosovës. Marrëveshjen e Brukselit, Moska zyrtare e kishte konsideruar edhe si fiasko të diplomacisë së saj sepse kishte qenë vetë ajo që kishte ushqyer mitin serb për mosdorëzim e Kosovës, në njërën anë, kurse në anën tjetër kishte qenë pikërisht Kosova argumenti kryesor rus për krijimin e aleancave anti-perëndimore, rreth së cilave do të grumbulloheshin disa shtete sllave dhe aziatike me prirje dhe synime identike për rikthimin e influencave dhe balancave historike në këtë pjesë të Ballkanit.

Në Shkup, gjithashtu nuk është lexuar drejt edhe përpjekja e Moskës për të intensifikuar luftën diplomatike me mjete të huazuara nga zhonglerizmi ekonomiko-energjetik. Dominimin e saj rajonal, Rusia ka kohë që po mundohet ta shprehë në forma të sofistikuara, duke i konkurruar Perëndimit me projekte, që janë jetësisht të lidhura me vendet e Ballkanit. Projekti rus i tubacionit të gazit natyror ”Rryma Jugore”, një kohë shikohej si alternativë e korridorit të tetë që parashihte të lidhte shtetet e rajonit nga Deti i Zi e deri në Adriatik. Anashkalimi i viseve shqiptare nga ky projekt rus ishte mesazh i qartë i Moskës për një ndarje të re gjeopolitike në rajon. Por, ajo që hëpërhë ia prish planet Moskës është afrimi i Serbisë me BE-në pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel, ndonëse që nga futja e NATO-s në Kosovë (1999), ombrella ruse filloi ta lëshojë ujin. Serbia me shekuj ishte ushqyer me mitin për Rusinë, si mbrojtëse e vlerave pansllaviste e ortodokse në Ballkan, madje edhe atëherë kur politika ruse kundrejt Ballkanit kishte ndryshuar që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, kur edhe fillon të zbehet ylli i pansllavizmit në Serbi. Resurset me gaz natyror që po përdoren aktualisht nga Moska, si alibi për të vendosur njëfarë balance në mes të joshjes eurointegruese të Perëndimit dhe varshmërisë energjetike nga Rusia, është peshorja në të cilën edhe Maqedonia edhe Serbia do të duhej t’i masin prioritetet e tyre gjeostrategjike.

Shikuar nga këndvështrimi maqedonas, interesimi rus nuk ka shkuar përtej ndonjë piknik-vizite kurtoazie të diplomatëve rus në Shkup a Ohër dhe asnjë vizitë e këtyre diplomatëve nuk është përcjellë nga kujdesi i Moskës zyrtare për të ndihmuar Maqedonisë, fjala bie, në tejkalimin e kontestit me Greqinë rreth emrit, edhe përkundër faktit se raportet greko-ruse kanë qenë gjithmonë të nivelit të kënaqshëm. Çuditërisht, gjithë ato shtete e kombe, që Maqedonia zyrtare pretendon se i ka miqë e aleatë, nuk kanë bërë as lëvizjen më të vogël lobuese për të neutralizuar ndikimin bllokues të Athinës në instancat ndërkombëtare, apo për të nxjerrë nga letargjia identitare Kishën Ortodokse Maqedonase.

Animoziteti publik maqedonas kundrejt Brukselit, në thelb përmban trajektoren e qëndrimeve dhe sensibiliteteve të një populli të vogël ndaj sfidave e të papriturave të kohës. Shenjat e qarta të euroskepticizmit që përshkojnë këtë animozitet, nuk mund të shpjegohen lehtë pa një ‘shëtitje’ të shkurtër në axhendën e vizitave të ish-kryeministrit Gruevski por edhe në kolonat e shtypit, ku tejdukshëm nxjerr krye përpjekja për të risjellë në vëmendjen e publikut shanset e humbura të integrimit në strukturat euro-atlantike, përmes efekteve të kompensimit.

Dy janë portat që shënojnë dalje për këtë frustrim publik maqedonas: aleanca ekonomike dhe ajo ushtarake me vendet e Azisë, Amerikës Latine dhe vetë Rusinë. Vizitat që bënte ish kryeministri Gruevski (pa asnjë përfaqësues shqiptarë), , në disa shtete të Amerikës Latine, nga analistë proqeveritarë shikohej si alternativë ekonomike e zhvillimore e Shkupit zyrtar për të gjetur tregje të reja dhe investues të rinj, të cilët, sipas tyre, gjoja do të kompensonin dhe rikuperonin efektet e pasojave rrënuese të ekonomive brenda Eurozonës.

Një shtet i vogël, tepër i papërfillshëm në përmasa planetare, po shfaqet në sytë e publikut të këtushëm si një gurë peshoreje që do të rivendoste balancat e humbura në mes të Lindjes dhe Perëndimit.
Absurd!

Share: